Sërish rekord i viktimave nga COVID-19 në Rusi

Rrugë e Moskës.

Rusia ka regjistruar të premten një tjetër rekord të viktimave me koronavirus, përkatësisht 1,163 brenda 24 orëve.

Sipas task-forcës për koronavirus në këtë shtet, kjo është shifra më e lartë ditore e viktimave, prej kur ka shpërthyer pandemia.

Me shifrat e fundit, numri total i viktimave ka arritur në 236,220, njëherësh shifra më e lartë e viktimave në Evropë.

Për të ndalur valën e infektimeve, presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar një javë të mospunës, nga 30 tetori deri më 7 nëntor, duke pezulluar punën e shumicës së institucioneve nga zyrat.

Moska ka marrë po ashtu masa, duke mbyllur shkollat, palestrat, dyqanet, dhe restorantet.

SHIKONI EDHE: Kremlini i vë fajin “nihilizmit” për shpërthimin e ri të koronavirusit

Vetëm dyqanet me produkte të domosdoshme do të mbeten të hapuara.

Autoritetet kanë thënë se kjo situatë është pasojë e shkallës së ulët të vaksinimit.

Rreth 51 milionë rusë – pak më shmë se një e treta e popullsisë - është vaksinuar plotësisht kundër koronavirusit.

Rusia ka qenë shteti i parë në botë që ka autorizuar vaksinën kundër koronavirusit në gusht të vitit 2020, Sputnik V.

Megjithatë, procesi i imunizimit është ngadalësuar për shkak të dyshimeve të qytetetarëve, të cilët kanë thënë se autoritetet kanë dhënë sinjale të ndryshme për vaksinën.