Gjykata Themelore në Prishtinë ka shqiptuar dënim me burg dhe gjobë ndaj dy të akuzuarve për vjedhjen e mbi 2 milionë eurove nga Thesari i Kosovës.
Ish-punonjësi i Thesarit, Labinot Gruda, u dënua me 11 vjet burgim dhe me gjobë prej 8.500 eurosh, ndërkaq Kadri Shala me 10 vjet burgim dhe 33.000 euro gjobë.
SHIKONI EDHE: Vjedhja në Thesar: Prokuroria thotë se ka ngrirë rreth 600 mijë euroGruda dhe Shala, sipas aktgjykimit, duhet të t’ia kompensojnë Ministrisë së Financave dhe Transfereve, dëmin e shkaktuar në vlerë prej 2.077.995.90 euro.
Gruda u shpall fajtor për veprat penale: keqpërdorim i pozitës apo autoritetet zyrtar, hyrje në sistemet kompjuterike, vjedhje e identitetit dhe pajisja e qasjes dhe shpërlarje e parave. Shala u shpall fajtor për ndihmë në ndërlidhje me veprën e keqpërdorimit të pozitës zyrtare dhe për shpërlarje të parave.
Grudës po ashtu i është ndaluar ushtrimi i funksioneve në administratën publike apo në shërbim publik për gjashtë vjet dhe koha e kaluar në vuajtje të dënimit, nuk do t’i llogaritet në kohëzgjatjen e këtij dënimi plotësues.
Në aktgjykim u tha se dy të pandehurve do t’u konfiskohen paratë e ngrira nga gjykata, të cilat janë përfituar si pasojë e aktiviteteve kriminale. Këto mjete parash, u tha se duhet të transferohen në buxhetin e Kosovës.
Po ashtu është urdhëruar konfiskimi i disa automjeteve.
Të dënuarit kanë të drejtë të paraqesin ankesë kundër këtij aktgjykimi në Gjykatën e Apelit.
Si u vodhën mbi 2 milionë euro nga Thesari?
Rasti i vjedhjes së mbi 2 milionë eurove nga Thesari i Shtetit kishte ndodhur në tetor të vitit 2020.
Labinot Gruda, atëbotë punëtor i Thesarit të Kosovës, dyshohet se ka bërë transferimin e mbi 2 milionë eurove përmes katër transaksioneve të ndryshme, në llogari të kompanisë, LDA Group Shpk (shoqëri me përgjegjësi të kufizuar), me bazë në Llapushnik, fshat në Komunën e Gllogocit, 30 kilometra larg Prishtinës.
*Video nga arkivi: Selia e kompanisë ku u transferuan paratë e Thesarit
Njëri nga pronarët e këtij biznesi ishte edhe Kadri Shala dhe një person tjetër me inicialet V.Sh.
Prokruroria Speciale e Kosovës deklaroi vitin e kaluar se kishte arritur të ngrinte rreth 600 mijë euro që lidheshin me vjedhjen e rreth 2.1 milionë eurove nga Thesari i Kosovës. Po ashtu u tha se ishin ngrirë 34 llogari të bizneseve, ku besohej se ishin transferuar paratë.