Shkurtimisht
- Numri i votuesve nga Kosova është rritur me më shumë se 20 mijë mes dy cikleve zgjedhore në Serbi, tregon një hulumtim i Radios Evropa e Lirë (REL).
- REL gjeti në regjistrin e votuesve nga Kosova raste të përsëritjes së emrave, gabime drejtshkrimore dhe të dhëna të paplota për votuesit.
- Ndërsa ministritë përgjegjëse nuk japin përgjigje se përse ka gabime në regjistër, përfaqësues të opozitës në Komisionin për Auditimin e Listës Zgjedhore paralajmërojnë se baza e të dhënave të votuesve është “e parregullt” dhe se krijon hapësirë për manipulim të votave.
- Megjithatë, pushteti pretendon se lista zgjedhore është “më e përditësuara deri më tani”.
Para zgjedhjeve parlamentare në Serbi, Zoran Spasiq nga fshati Rubofc, afër Lipjanit, në Kosovë, ende nuk ka vendosur nëse do të dalë për të votuar.
Ai është i regjistruar në listën zgjedhore të Serbisë, ku figurojnë më shumë se 115 mijë qytetarë me adresë në Kosovë.
Krahasuar me ciklin e mëparshëm zgjedhor, numri i votuesve nga Kosova është rritur për më shumë se njëzet mijë, sipas një hulumtimi të Radios Evropa e Lirë (REL).
Në fshatin Rubofc, ku jetojnë së bashku serbë dhe shqiptarë, janë regjistruar 527 votues.
Megjithatë, Zoran Spasiq vlerëson se numri i tyre në të vërtetë është më i vogël.
“Ka njerëz që janë shpërngulur. Ka pasur edhe shumë raste vdekjesh. Me gjasë, lista nuk është përditësuar”, thotë ai.
Numri i votuesve në Rubofc të Kosovës në listën zgjedhore të Serbisë. Baza e të dhënave e konsultuar më 13 tetor 2026.
Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), përmes misionit të saj ndërkombëtar vëzhgues ODIHR, i bën thirrje Serbisë që ta përditësojë regjistrin e votuesve.
Autoritetet në Serbi, megjithatë, pretendojnë se lista zgjedhore është “e saktë” dhe “më e përditësuara deri më tani”.
Por, çfarë po ndodh me bazën e të dhënave të votuesve nga Kosova, ndërkohë që Beogradi zyrtar dhe Prishtina nuk e njohin njëri-tjetrin dhe mbajnë evidenca paralele?
Ndërmjet dy zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, brenda më pak se tre vjetësh, numri i tyre është rritur për më shumë se njëzet mijë.
Në zgjedhjet parlamentare në Serbi, në fund të vitit 2023, të drejtë vote kishin 94.161 votues nga Kosova, ndërsa tani në listën zgjedhore figurojnë 115.856.
Si është e mundur kjo?
Sipas Ognjen Rashuos nga Komisioni për Rishikimin e Listës Zgjedhore, kjo nuk do të thotë se është rritur numri i njerëzve me dokumente serbe që jetojnë vërtet në Kosovë.
Ai thotë se ka ndryshuar mënyra e regjistrimit të këtyre votuesve.
Deri më tani, sipas tij, ata ishin regjistruar në vendvotime në Serbi, në adresat ku kishin qëndrim të përkohshëm.
“Mirëpo, qëndrimi i përkohshëm është i kufizuar në dy vjet. Dhe, kur kaluan këto dy vjet, për ata që nuk e vazhduan qëndrimin e përkohshëm, Ministria vendosi t’i fshinte nga lista sipas vendit të qëndrimit dhe t’i kthente në listën sipas vendbanimit, i cili ndodhej në Kosovë”, shton ai.
Autoritetet, megjithatë, nuk kanë dhënë shpjegime se përse kjo është bërë tani.
Deri në publikimin e tekstit, ministritë e Punëve të Brendshme dhe të Administratës Shtetërore, përgjegjëse për të dhënat personale të qytetarëve dhe mbajtjen e evidencës së votuesve, nuk u janë përgjigjur pyetjeve të REL-it lidhur me votuesit nga Kosova.
Ndërkaq, Rashuo, i cili është zgjedhur në Komision si përfaqësues i opozitës, thotë se lista zgjedhore është “e parregullt”.
“Jo vetëm të dhënat nga Kosova, por e gjithë lista zgjedhore është e tillë. Për këtë arsye ekziston rreziku i keqpërdorimit, sepse në gjithë këto parregullsi mund të fshihen manipulime”, shton ai.
Votues nga Kosova në radhë para qendrës së votimit në Serbi, gjatë zgjedhjeve parlamentare të 17 dhjetorit 2023.
Ndërsa po hyn në garën më të pasigurt që prej ardhjes në krye të shtetit në vitin 2012, Partia Përparimtare Serbe (SNS), në pushtet, i hedh poshtë akuzat se lista zgjedhore po manipulohet për të ndikuar në rezultatet e votimit.
Megjithatë, opozita dhe vëzhguesit nga organizatat joqeveritare i kanë bërë thirrje pushtetit që t’u mundësojë qasje në të gjitha evidencat, në mënyrë që përmes krahasimit të bazave të ndryshme shtetërore të të dhënave të verifikojnë saktësinë e listës dhe të parandalojnë keqpërdorimet e mundshme.
Rishikimi i listës ishte ndër rekomandimet kryesore të ODIHR-it për përmirësimin e kushteve zgjedhore.
Pushteti pretendon se rekomandimet janë përfshirë në ligje.
Megjithatë, në raportin preliminar para votimit të 25 tetorit, ODIHR thekson se saktësia e listës zgjedhore vazhdon të ngjallë shqetësim, për shkak të numrit jashtëzakonisht të madh të personave të regjistruar në disa komuna dhe në adresa të caktuara.
Si është rritur numri i të regjistruarve në listën zgjedhore?
Ndryshimet në listën zgjedhore gjatë javëve para votimit të 25 tetorit mund të ndiqeshin përmes bazës publike të të dhënave të Ministrisë së Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, e cila është përgjegjëse për listën zgjedhore.
REL-i konstatoi se vetëm gjatë tri javëve të fundit numri i votuesve nga Kosova ishte rritur për më shumë se një mijë: nga 114.492, sa ishin të regjistruar më 22 shtator, në 115.856 votues më 12 tetor.
Lista zgjedhore tani është përmbyllur.
Publikisht janë të qasshme edhe të dhënat për numrin e votuesve në secilin vendvotim, si dhe emrat e tyre.
Votues nga Kosova në radhë para qendrës së votimit në Serbi, në zgjedhjet parlamentare të 17 dhjetorit 2023.
Por, kush është regjistruar në këtë listë, pyet Zoran Saviq nga organizata joqeveritare “Aktiv”, me seli në Kosovë.
Ai e përshkruan bazën e të dhënave të votuesve nga Kosova në zgjedhjet serbe si “kontradiktore”.
“Unë nuk pretendoj se këta janë votues fantazmë, nuk kam prova për këtë. Por, me përgjegjësi pohoj se publiku nuk ka të dhëna të mjaftueshme për të kuptuar se kush e përbën këtë trup votuesish dhe çfarë i shkakton luhatjet kaq të mëdha”, thotë Saviq.
Meqë Serbia nuk e njeh Kosovën dhe e konsideron atë pjesë të territorit të saj, nuk ka të dhëna të sakta për numrin e qytetarëve me dokumente serbe që jetojnë realisht në qytetet dhe fshatrat e Kosovës.
Dokumentet serbe, ndër të tjera, u mundësojnë atyre edhe të votojnë në zgjedhje.
Në këto zgjedhje marrin pjesë kryesisht pjesëtarët e komunitetit serb, të cilët e njohin qeverinë në Beograd.
Ndërsa numri i personave të regjistruar në listën zgjedhore po rritet, hulumtimet e organizatave joqeveritare tregojnë se numri i serbëve në Kosovë po zvogëlohet, paralajmëron Zoran Saviq.
“Nga njëra anë kemi një komunitet serb, ku hulumtimet evidentojnë qartë një trend të fuqishëm të shpërnguljes, ndërsa nga ana tjetër kemi një listë zgjedhore, ku numri i votuesve nga Kosova lëviz në përmasa krejtësisht të ndryshme”, shton ai.
Emra të dyfishuar në listë dhe gabime drejtshkrimore
Rritja e numrit të votuesve në Kosovë nuk është e vetmja gjë që ka vërejtur REL-i.
Nga përpunimi i të dhënave në bazën e regjistrit, u konstatua se disa qindra emra përsëriten.
Në të njëjtin vendvotim, 349 emra figurojnë më shumë se një herë, me të njëjtin emër, mbiemër dhe emër të prindit.
Prej tyre, 329 janë regjistruar nga dy herë, 11 nga tri herë, shtatë nga katër herë, ndërsa dy emra madje nga pesë herë.
Të njëjtët emra përsëriten edhe në vendvotime të ndryshme në Kosovë.
Kështu, më shumë se 700 emra të njëjtë figurojnë në dy vendvotime, 32 emra të njëjtë janë gjetur në tri vendvotime, ndërsa një emër figuron në plot pesë vendvotime.
Në të dhënat e më shumë se 3.800 personave të regjistruar në listë mungon emri i prindit.
Pjesë e listës zgjedhore të Serbisë për njërën nga komunat e Kosovës, ku mungojnë emrat e prindërve në të dhënat për votuesit. Baza e të dhënave u konsultua më 9 tetor 2026.
Në listë janë gjetur edhe qindra gabime drejtshkrimore në emra dhe mbiemra.
Gabime drejtshkrimore në emrat në bazën e të dhënave të votuesve për njërën nga komunat e Kosovës. Regjistri u konsultua më 9 tetor 2026.
Ndërkaq, më shumë se 2.500 emra janë shkruar duke përzier alfabetin cirilik me atë latin.
Emrat në listën zgjedhore për njërën nga komunat e Kosovës, të regjistruar duke ndërthurur alfabetin cirilik dhe atë latin. Baza e të dhënave u konsultua më 9 tetor 2026.
Nëse të dhënat në bazën e regjistrit merren nga dokumentet personale të qytetarëve, emrat e tyre nuk do të duhej të ishin shkruar në këtë mënyrë.
Autoritetet në Serbi nuk kanë dhënë shpjegime për këto gabime, ndërsa në faqen e Ministrisë së Administratës Shtetërore thuhet se për secilin vendvotim “shfaqen të dhënat e përditësuara nga lista zgjedhore”.
Ministritë përkatëse nuk i janë përgjigjur REL-it se si kanë ndodhur gabimet në evidencë.
Përfaqësuesit e Komisionit për Rishikimin e Listës Zgjedhore kanë pyetur gjithashtu nëse gabimet do të mbeten në evidencë edhe ditën e zgjedhjeve.
Ognjen Rashuo thotë për REL-in se kanë kërkuar t’u dorëzohen kopjet e listës zgjedhore, ashtu siç do të shtypen për zgjedhjet.
“Që të mund të verifikojmë nëse ka persona të regjistruar dy herë dhe nëse të gjitha të dhënat janë të plota, në mënyrë që votuesi të mund të identifikohet kur të vijë për të votuar”, shpjegon ai.
Ai thekson se deri më sot nuk i kanë marrë ato.
Prandaj, nënvizon ai, kontrolli në vendvotime është thelbësor.
“Nëse kontrolli ditën e zgjedhjeve është i mirë, askush nuk mund të votojë dy herë ose pa dokumente personale, sepse kjo do të vërehet”, thotë Ognjen Rashuo.
Sipas rregullave, çdo votues duhet të paraqesë një dokument personal të vlefshëm kur të vijë për të votuar. Gishtit të secilit votues i spërkatet një lëng që bëhet i dukshëm nën dritën ultravjollcë, me qëllim që të parandalohet votimi i shumëfishtë.
Ku votojnë votuesit nga Kosova?
Serbia i regjistron votuesit nga Kosova në 23 qytete dhe komuna të Kosovës.
Ndarja territoriale, përkatësisht përcaktimi se cili vendbanim i përket cilës komunë, ndryshon nga ajo që përdorin autoritetet e Kosovës pas shpalljes së pavarësisë.
Qytetarët me të drejtë vote në zgjedhjet serbe janë të ndarë në 60 vendvotime.
Megjithatë, ata nuk votojnë në Kosovë, por në katër komuna kufitare në Serbi: Tutin, Rashkë, Kurshumli dhe Vranjë.
Kjo praktikë u vendos në vitin 2022, pasi autoritetet në Prishtinë refuzuan hapjen e vendvotimeve në Kosovë, në vendet ku jeton komuniteti serb.
Ndërsa në zgjedhjet e mëparshme në Serbi, në vitin 2023, ishin hapur 51 vendvotime për votuesit nga Kosova, tani do të jenë 60, pasi edhe numri zyrtar i votuesve është rritur.
Votues nga Kosova në pikëkalimin kufitar në Merdarë, ditën e zgjedhjeve parlamentare në Serbi, më 17 dhjetor 2023.
Zoran Spasiq nga Rubofci duhet të votojë në këto zgjedhje në Kurshumli.
Ai merret me bujqësi dhe, siç thotë, për të është “humbje kohe” të kalojë gjithë ditën në rrugë për të votuar.
Zoran Spasiq nga fshati Rubofc, pranë Lipjanit.
“Po të votohej në Kosovë, do të votoja. E gjithë familja ka votuar gjithmonë”, thotë ai.
Adresa e tij në Rubofc, në të cilën është i regjistruar në listën zgjedhore serbe, figuron si “pa rrugë, zero”.
Kjo do të thotë se as në listën zgjedhore dhe as në dokumentet serbe nuk e ka të shënuar adresën e saktë.
Në të njëjtën mënyrë janë regjistruar edhe banorët e tjerë të Rubofcit.
Spasiq, megjithatë, thotë se në dokumentet e Kosovës të dhënat janë ndryshe.
Pesë vjet më parë, rruga ku jeton në Rubofc mori një emër, ndërsa shtëpia një numër. Në atë adresë i vijnë posta dhe faturat.
Ky është edhe një shembull tjetër i mospërputhjes së evidencave të Beogradit dhe Prishtinës.
Kisha në fshatin Rubofc, në komunën e Lipjanit.
Serbia ka evidencën e saj, të vendosur para luftës së vitit 1999 dhe shpalljes së mëvonshme të pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, ndërsa Kosova ka evidencën e vet.
Përveç emrave të rrugëve, ndryshojnë edhe emërtimet e disa vendbanimeve.
Në listën zgjedhore të Serbisë figurojnë edhe disa mijëra emra shqiptarësh.
Ata janë vërejtur edhe në listën e votuesve në Lipjan.
Megjithatë, Zoran Spasiq thotë se nuk njeh asnjë shqiptar që ka votuar në zgjedhjet serbe pas luftës.
“Konkretisht, kur organizoheshin zgjedhjet këtu në fshat, asnjë shqiptar nuk dilte për të votuar në ato zgjedhje. Dyshoj shumë se dikush do të shkojë tani të votojë në Serbi. Nuk e di nëse kanë dokumente serbe, por gjithsesi nuk besoj se votojnë”, thotë ai.
Fusha e zbrazët sportive në fshatin Rubofc, komuna e Lipjanit.
Sa votues ka në Klinë?
Në komunën e vogël të Klinës, afër Pejës, jetojnë 120 pjesëtarë të pakicës serbe.
Në zyrën lokale për komunitete, e cila funksionon në kuadër të sistemit të Kosovës, punon Silvija Rashkoviq.
“Kemi fshatra të zbrazëta, shtëpi të zbrazëta”, thotë ajo.
Edhe pse në dokumentet komunale në Klinë figurojnë rreth 1.600 familje të kthyera, Silvija Rashkoviq thotë se shumica e tyre, pas rindërtimit të shtëpive në vendlindje, janë kthyer të jetojnë në Serbi.
Silvija Rashkoviq punon në Zyrën për Komunitete në Komunën e Klinës.
Sipas saj, ata zakonisht vijnë në Kosovë kur duhet të “përfundojnë ndonjë procedurë trashëgimie ose të shesin pronën e tyre”.
Ndërkaq, në listën zgjedhore të Serbisë, Klina ka më shumë se 1.800 votues.
Ekstrakt nga baza e të dhënave të votuesve në Klinë, në listën zgjedhore të Serbisë, ku në disa raste mungon emri i prindit në të dhënat për votuesit. Baza e të dhënave u konsultua më 9 tetor 2026.
Silvija Rashkoviq, megjithatë, thotë se ky numër nuk përputhet me gjendjen në terren.
Ajo dyshon se bëhet fjalë për “një formë manipulimi”.
Ajo nuk beson as se nga lista zgjedhore në Klinë janë fshirë të gjithë qytetarët e vdekur.
“Kemi shumë persona të vdekur. Unë njoh persona që këtu, në Kosovë, kanë nxjerrë certifikata të vdekjes, por ende figurojnë në listën zgjedhore të Serbisë. Për të paktën 80 persona mund të them se nuk janë më gjallë”, thotë ajo.
Ajo nuk deshi të përmendte emra konkretë.
Një nga shtëpitë e braktisura në fshatin Dresnik, në komunën e Klinës.
Ndërkaq, në një qytet tjetër të Kosovës, në Mitrovicën e Veriut, REL-i gjeti të paktën një person të vdekur në listën zgjedhore.
Emri i të ndjerit figuron në vendvotimin “Kosovska Mitrovica 4”.
Familjarët e tij e gjetën emrin në listën e votuesve, por nuk deshën që ai të publikohej.
Gjatë kontrollit të listës më 12 tetor, emri i të ndjerit vazhdonte të figurojë në bazën e të dhënave të votuesve.
Mitrovica e Veriut.
Sa votues ka në Pejë?
Qyteti i Pejës ka pothuajse 4.000 votues në listën zgjedhore të Serbisë.
Zoran Saviq nga organizata joqeveritare “Aktiv”, me seli në Kosovë, thotë se numri i tyre në të vërtetë është pakrahasimisht më i vogël.
Ai u referohet të dhënave të misionit ndërkombëtar të OSBE-së, sipas të cilave në Pejë jetonin 332 pjesëtarë të komunitetit serb.
Qyteti i Pejës nga lart, fotografuar më 2023.
“Nuk pretendoj se të tjerët janë votues fantazmë. Mes tyre mund të ketë shqiptarë me të drejtë vote në Serbi, persona të zhvendosur, njerëz që jetojnë në Serbi ose jashtë saj. Por pikërisht kjo është çështja. Nëse shteti thotë se në Pejë ka pothuajse 4.000 votues, publiku duhet ta dijë se kush e përbën këtë numër”.
“Sa prej tyre jetojnë vërtet në Pejë, sa janë të zhvendosur, sa jetojnë në Serbi ose jashtë saj dhe sa vazhdojnë të figurojnë në adresat e vjetra?”, pyet Saviq.
Një hulumtim i organizatës “Aktiv” nga viti 2024 tregoi se 66 për qind e serbëve të anketuar njihnin dikë që ishte larguar nga Kosova gjatë vitit paraprak.
Në veri, kjo përqindje ishte gati 71 për qind.
“Edhe një vit më vonë, ky problem nuk është zhdukur. Në Analizën e Trendeve për vitin 2025, rreth 45 për qind e të anketuarve i rendisin migrimin dhe largimin e të rinjve ndër problemet kryesore të komunitetit serb në Kosovë”, thekson Saviq.
Ciklet e kaluara zgjedhore kanë treguar pjesëmarrje të ulët të votuesve nga Kosova.
Në zgjedhjet e mëparshme parlamentare, të mbajtura në dhjetor të vitit 2023, pjesëmarrja ishte rreth 25 për qind.
Ndërkaq, mbështetja që votuesit nga Kosova u dhanë partive në pushtet, të udhëhequra nga Partia Përparimtare Serbe dhe Partia Socialiste e Serbisë, ishte pothuajse absolute.
Nga 23.878 votues që morën pjesë në zgjedhje, më shumë se 19 mijë prej tyre, ose rreth 80 për qind, e mbështetën koalicionin qeverisës.