Një i mitur është vrarë pasi sulmoi një pjesëtar të Xhandarmërisë serbe që po ruante Ambasadën e Izraelit në Beograd, tha Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.
Sipas ministrit të Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, sulmuesi iu vërsul xhandarit me dy thika, duke thirrur “Allahu Akbar [Zoti është i madh]”, pas së cilës pjesëtari i Xhandarmërisë serbe përdori armën e zjarrit dhe e vrau.
Ngjarja ndodhi rreth 15 minuta pas mesnatës, të mërkurën, më 28 tetor.
Daçiqi e cilësoi ngjarjen si sulm terrorist dhe tha se i dyshuari më herët kishte qenë nën vëzhgimin e shërbimeve të sigurisë dhe sipas informacioneve të deritanishme, ai ishte përkrahës i grupit terrorist Shteti Islamik.
Zyra e Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd njoftoi, në bazë të hetimit fillestar, një person i veshur me rroba të zeza hapi derën e kabinës ku qëndron personeli i sigurisë, ku gjendej pjesëtari i Xhandarmërisë, dhe u nis drejt tij me dy thika në duar dhe bërtiti “Allahu Akbar”.
Sulmuesi hodhi njërën nga thikat drejt xhandarit dhe e goditi në faqe. Pas kësaj, xhandari qëlloi drejt tij me armë zjarri disa herë, duke e vrarë, u tha në njoftim.
Sipas Prokurorisë, pas hetimit u përcaktua se përdorimi i armës vdekjeprurëse ishte i justifikuar në kuadër të vetëmbrojtjes.
SHIKONI EDHE:
“Ia kanë shpëlarë trurin”: Sulmi në Beograd nxori në pah radikalizimin onlineArrestohet një person në Beograd lidhur me sulmin pranë Ambasadës izraelitePas incidentit, Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë e ngriti nivelin e kërcënimit terrorist në shkallën më të lartë, atë të kuqe. Kjo nënkupton shtimin e pranisë policore dhe të kontrolleve në lokacione kyç në mbarë Serbinë.
Autoritetet serbe nuk e kanë bërë ende publik identitetin e sulmuesit dhe as detaje të tjera lidhur me hetimet.
“Dua të përsëris edhe një herë se në sulmin terrorist të kryer sonte, një pjesëtar i Xhandarmërisë, i cili siguronte Ambasadën e Izraelit, u plagos lehtë dhe më pas e neutralizoi sulmuesin. Edhe pse identiteti i tij ende nuk është përcaktuar, shërbimi ynë e kishte mbajtur nën vëzhgim dhe dihet se ishte përkrahës i Shtetit Islamik. Në profilin e tij në Instagram mbante flamurin e zi dhe simbolin e Shtetit Islamik”, tha Ivica Daçiq.
Ambasada e Izraelit në Beograd ka qenë edhe më parë cak i sulmeve. Në qershor të vitit 2024, një sulmues plagosi rëndë me hark me shigjeta një pjesëtar të Xhandarmërisë që ruante Ambasadën, pas së cilës u vra gjatë një ndërhyrjeje policore.