Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i ka shkruar letër të hapur homologut të vet rus, Vladimir Putin, duke i bërë thirrje për të marrë pjesë në një takim mes dy udhëheqësve në një vend neutral, për të arritur marrëveshje për përfundimin e luftës.
Në letër thuhet se, meqë Uashingtoni është “plotësisht i përqendruar” në konfliktin me Iranin, “do të ishte gabim të pritej” që kjo gjendje të ndryshojë. Megjithatë, në letër thuhet gjithashtu se Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane duhet të përfshihen në procesin e paqes.
“Ukraina është e gatshme për një armëpushim të plotë gjatë gjithë kohëzgjatjes së bisedimeve. Kjo është praktikë standarde dhe zhvillimet e tanishme rreth Iranit vetëm sa e përforcojnë këtë argument”, shkroi Zelensky, duke propozuar gjithashtu shkëmbimin e të gjithë robërve të luftës që mbahen nga të dyja palët.
SHIKONI EDHE:
I dërguari i Kievit thotë se raketat Patriotë janë jetike, teksa Zelensky i lutet TrumpitLetra e Zelenskyt vjen pesë vjet pasi Rusia e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës, dhe teksa forcat ukrainase po i vazhdojnë luftimet kundër trupave ruse në një konflikt që ka arritur pothuajse në një ngërç ushtarak.
Derisa vijat e frontit të mbizotëruara nga lufta me dronë pothuajse nuk po ndryshojnë fare, Rusia ka vazhduar t’i godasë qytetet ukrainase me raketa dhe sulme me dronë ndaj objektivave civile, në një përpjekje të dukshme për t’ia ulur moralin popullsisë.
Sulmi më i fundit, më 2 qershor, ishte aq madh sa tronditi edhe ukrainasit që kanë duruar vite bombardimesh. Gjashtë persona u vranë në Kiev, 16 në Dnipro dhe dhjetëra të tjerë u plagosën.
Në letrën e tij, Zelensky thekson se edhe Ukraina ka goditur Rusinë me “dronë dhe raketa”, të cilat kryesisht kanë pasur në shënjestër industrinë energjetike që financon përpjekjet e luftës së Kremlinit.
SHIKONI EDHE:
Ukraina thotë se goditi disa objektiva brenda Rusisë gjatë sulmeve të natës“Ju vazhdimisht shtyni, çdo disa muaj, afatet që vetë i keni vendosur për pushtimin e rajoneve tona — veçanërisht rajonit të Donjeckut. Dhe as këtë vit nuk do ta pushtoni”, shkroi ai.
“Por, ne në Ukrainë nuk duam luftë të përhershme. E dimë shumë mirë se jeta pa luftë është pafundësisht më e mirë. Dhe, ne duam ta arrijmë këtë”, shtoi ai.
Ngecja e përpjekjeve për paqe
Thirrja e Zelenskyt për nisjen e një procesi të ri paqeje vjen pas përpjekjeve diplomatike të udhëhequra nga SHBA-ja pas inaugurimit të Donald Trump në janar 2025. Këto përpjekje duket se kanë ngecur muajt e fundit, veçanërisht pas sulmeve amerikane dhe izraelite ndaj Iranit më 28 shkurt.
Lajmi për letrën u publikua derisa Putini po takohej me gazetarë të huaj në Shën Petersburg, ku po organizonte një forum ekonomik prestigjioz që shpesh quhet “Davosi i Rusisë”. Hapja e kësaj ngjarjeje u la nën hije nga sulmet me dronë ukrainas që ngritën re tymi mbi qytet.
SHIKONI EDHE:
Ukraina godet caqe ushtarake dhe energjetike në Shën Petersburg para forumit ekonomikPutini u tha gazetarëve se Rusia dëshiron paqe, por se Trump nuk kishte arritur ta bindte palën ukrainase.
“Ne jemi sigurisht të gatshëm dhe të vendosur të arrijmë një marrëveshje me Ukrainën përmes mjeteve paqësore. Konkretisht mbi bazën e asaj që diskutuam në takimin me presidentin Trump”, tha ai.
Putini po i referohej samitit të tij me Trumpin në Alaska në gusht 2025. Në atë kohë, Trump u kishte thënë gazetarëve se nuk ishte arritur asnjë marrëveshje.
Ndërsa Putini po u përgjigjej pyetjeve, zëdhënësi i tij, Dmitry Peskov, deklaroi se presidenti rus do të informohej më vonë për letrën e Zelenskyt.
SHIKONI EDHE:
Trump: Takimi me Putinin ishte produktiv, por nuk arritëm marrëveshjePeskov citohet gjithashtu nga mediat shtetërore ruse të ketë thënë se Zelensky mund të “vijë në çdo kohë në Moskë”.
Ky ka qenë një reagim i zakonshëm i Kremlinit ndaj thirrjeve të mëparshme të Zelenskyt për bisedime. Në letrën e tij, presidenti ukrainas e përjashton në mënyrë të qartë mundësinë e një takimi qoftë në Moskë, qoftë në Kiev.
Më vonë, Trump u pyet për letrën e Zelenskyt gjatë një sesioni pyetjesh në Zyrën Ovale.
“Jam i lumtur që ndoshta po flasin për t’u takuar. Mendoj se kemi pasur shumë ndikim në këtë”, tha Trump. “Do të ishte shumë mirë nëse do të takoheshin. Duhet ta bëjnë; ta zgjidhin këtë çështje”.