Kompania serbe, Elektrosever, e licencuar për furnizimin e veriut të Kosovës me energji elektrike, nuk i ka plotësuar ende kushtet që ia përcakton udhërrëfyesi për Marrëveshjen për Energji ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Ndonëse i kanë mbetur më pak se tri javë për një gjë të tillë, nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë(ZRRE) në Kosovë thonë për Radion Evropa e Lirë se, në bazë të informacioneve që kanë, asnjë nga kriteret e përcaktuara “nuk është përmbushur”.
Marrëveshja për Energji parasheh që qytetarët në veri të Kosovës të paguajnë për rrymën e shpenzuar nga vjeshta e këtij viti - për herë të parë pas më shumë se dy dekadash.
REL ka pyetur edhe kompaninë Elektrosever për zbatimin e kritereve të marrëveshjes, por, deri në publikimin e këtij teksti, nuk ka marrë përgjigje.
Udhërrëfyesi për Marrëveshjen e Energjisë përcakton se, në rast të mosveprimit me kushtet e caktuara brenda 100 ditësh nga licencimi, Elektrosever-it mund t’i pezullohet ose tërhiqet licenca nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë.
Megjithatë, një vendim i tillë do të duhej të diskutohej paraprakisht mes palëve, përkatësisht mes Kosovës dhe Serbisë.
ZRRE i ka miratuar licencën Elekstrosever-it më 24 qershor, apo para 82 ditësh.
Elektrosever është në pronësi të kompanisë energjetike të Serbisë - EPS (Elektroprivreda Srbije), por në Kosovë është themeluar me ligje të Kosovës.
Kjo kompani është paraparë të bëjë edhe furnizimin, edhe faturimin e rrymës së shpenzuar në veri të Kosovës - pjesë e banuar me shumicë serbe.
Licencimi i saj është paraparë me Marrëveshjen midis Kosovës dhe Serbisë për Energjinë, e cila është arritur në vitin 2013, por pajtimi për zbatimin e kësaj marrëveshjeje, apo udhërrëfyesin, është arritur më 21 qershor.
Kushtet që duhen plotësuar
Vetëm tri ditë pas, bazuar në kushtet e udhërrëfyesit, ZRRE-ja ka licencuar Elektrosever-in.
Brenda dhjetë ditësh nga licencimi është dashur që Elektrosever të nënshkruajë marrëveshje teknike me Kompaninë për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë - KEDS, dhe me Operatorin e Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike - KOSTT, në mënyrë që të operojë në tregun e Kosovës.
Pas marrëveshjes me KOSTT-in, brenda 15 ditësh, Elektrosever do të pajisej me disa kode identifikuese për kryerjen e aktiviteteve. Ndërsa, 30 ditë pas kësaj, KEDS-i dhe KOSTT-i do të fitonin qasje te nënstacioni i diskutueshëm i Vallaçit, si dhe në infrastrukturën tjetër për shpërndarje të rrymës.
Në udhërrëfyes, po ashtu, thuhet se brenda 45 ditësh, KOSTT dhe KEDS, në konsultim me Elektrosever-in, do t’i dorëzonin ZRRE-së një plan investimi, kostot e mirëmbajtjes, si dhe humbjet në rrjet, bazuar në analizën e infrastrukturës ekzistuese.
Vetëm trysnia e madhe e faktorit ndërkombëtar, në këtë rast e BE-së dhe SHBA-së, mund ta detyrojë [Elektrosever-in] t’i pranojë dhe kryejë obligimet sipas kontratës".Ethem Çeku
Brenda 21 ditësh, pastaj, ZRRE-ja do t’i miratonte këto plane në parim.
KOSTT konfirmoi për REL-in se pjesën e marrëveshjes me të, Elektrosever nuk e ka përmbushur.
“Elektrosever ende nuk i ka siguruar KOSTT-it të dhënat për konsumatorët e energjisë elektrike”, tha KOSTT.
E pyetur nga REL nëse ka dështuar zbatimi i udhërrëfyesit, ZRRE-ja tha se “është ende herët të paragjykojmë këtë”.
Në një email dërguar Zyrës së Kryeministrit të Kosovës, më 9 shtator, me pyetjen se çfarë hapash mund të ndërmerren ndaj kompanisë Elektrosever në rast të mospërmbushjes së kushteve, REL po ashtu nuk ka marrë përgjigje.
“Trysnia” e faktorit ndërkombëtar
Eksperti i çështjeve energjetike, Ethem Çeku, njëherësh ish-ministër i Energjisë në Kosovë, thotë se nuk ka qenë e pritur që Elektrosever t’i plotësojë kushtet e parashtruara.
Këtë e justifikon me faktin se zbatimi i Marrëveshjes për Energjinë është zvarritur qysh në vitin 2013, kur edhe është nënshkruar.
“Vetëm trysnia e madhe e faktorit ndërkombëtar, në këtë rast e BE-së dhe SHBA-së, mund ta detyrojë [Elektrosever-in] t’i pranojë dhe kryejë obligimet sipas kontratës”, thotë Çeku për Radion Evropa e Lirë.
- “Vallaçi është yni” - Kosova dhe Serbia pas Marrëveshjes për Energjinë
- Kosova dhe Serbia pajtohen për zbatim të marrëveshjes për energjinë
Problemi i rrymës në veri
Nevoja për një marrëveshje për energjinë ka lindur pasi qytetarët në veri të Kosovës - shumica serbë - nuk kanë paguar për rrymën e shpenzuar që prej përfundimit të luftës, më 1999.
Refuzimi ka ardhur si pasojë e mosbindjes qytetare, por edhe ndikimit të strukturave të ndryshme atje, që kanë operuar nën dirigjimin e Serbisë.
Nga fundi i luftës deri më 2017, rrymën e shpenzuar në veri e kanë paguar qytetarë të pjesëve të tjera të Kosovës, të cilët kanë marrë fatura me rritje.
Nga 2017-ta e këndej - për shkak të ankesave të shumta të qytetarëve - përgjegjësia për pagesën ka kaluar te Qeveria e Kosovës.
Me Marrëveshjen për Energjinë, është paraparë që kompania Elektrosever të bëjë edhe furnizimin, edhe faturimin e rrymës së shpenzuar në veri.
*Video nga arkivi i Radios Evropa e Lirë: Çka thonë qytetarët e anketuar në veri për pagesën e rrymës në këtë pjesë
Your browser doesn’t support HTML5
Elektrosever-i nuk do të prodhonte rrymë, por do ta blinte atë - qoftë nga Korporata Energjetike e Kosovës apo nga një tjetër ofertues në tregun ndërkombëtar - ndërsa inkasimin do ta bënte vetë.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 8 gusht, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se në rast të dështimit të marrëveshjes, Qeveria e Kosovës nuk do të ketë mundësi që në vjeshtë të vazhdojë të paguajë rrymën në veri.