Ndërlidhjet

S’e duan koalicionin PDK, LDK, AAK


Nga fushata për zgjedhjet e fundit në Kosovë...
Nga fushata për zgjedhjet e fundit në Kosovë...
PDK-ja dhe LDK-ja nuk e mbështesin idenë e nënkryetarit të parë të AAK-së, Blerim Shala, për formimin e një qeverie me bazë të gjerë. Përderisa PDK-ja thotë se formula e ardhshme qeverisëse do të përcaktohet nga partia fituese e zgjedhjeve, LDK-ja, në anën tjetër, vlerëson se qeveria e ardhshme nuk duhet të jetë me bazë të gjerë siç ka thënë Shala, por gjithëpërfshirëse.


Dy partitë më të mëdha në Kosovë, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk e mbështesin idenë e nënkryetarit të parë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Blerim Shala, që të formohet një qeveri me bazë të gjerë.

Përderisa PDK-ja e cilëson bashkimin e partive më të mëdha në një qeveri si logjikë dhe mentalitet të kohës së administrimit të Kosovës nga Kombet e Bashkuara, LDK-ja thotë se qeveria e ardhshme do të duhej të ishte gjithëpërfshirëse, por jo sipas idesë së zotit Shala.

Memli Krasniqi, anëtar i Kryesisë së PDK-së, thotë se formula e ardhshme qeverisëse caktohet nga partia fituese e zgjedhjeve.
Formulën e koalicionit qeverisës e përcakton fituesi i zgjedhjeve, që në këtë rast është PDK-ja dhe kryeministri Hashim Thaçi.


“Formulën e koalicionit qeverisës e përcakton fituesi i zgjedhjeve, që në këtë rast është PDK-ja dhe kryeministri Hashim Thaçi. Në asnjë mënyrë nuk mund ta përcaktojnë ata që i kanë humbur zgjedhjet dhe që nuk e kanë marrë besimin e qytetarëve, e që nuk dihet nëse do të jenë fare në çfarëdo koalicioni qeverisës”, thotë Krasniqi.

Qeveritë me një përfshirje të gjerë kishin nevojë për Kosovën në kohën e UNMIK-ut, kur nevojitej një stabilitet politik në vend, shton Krasniqi.

Kurse, për rrethanat e reja në shtetin e Kosovës, Krasniqi thotë se mund të ketë një qeveri me disa parti politike, por jo një qeveri me gjithëpërfshirje dhe pa opozitë.

“Unë mund t’ju konfirmoj se ne do të punojmë për një qeveri shumëpërfshirëse, por në asnjë rrethanë për një qeveri gjithëpërfshirëse, sepse tashmë ka kaluar koha e stabilizimit të pasluftës, ka kaluar koha e UNMIK-ut”.


“Dikush mund të ketë nostalgji për atë kohë... Çfarëdo ideje për cungim të mandatit kushtetues, është ide kundër-kushtetuese dhe ide kundër vullnetit të qytetarëve të Kosovës”
, thekson Krasniqi.

Ndërkohë, LDK-ja mbetet te qëndrimi i saj se Kosovës i duhet qeveria gjithëpërfshirëse. Kujtim Shala, nga Kryesia e LDK-së, thotë se një qeveri e tillë do t’i kryente disa obligime shtetërore dhe reformat zgjedhore, para se ta çonte vendin në zgjedhje në vjeshtën e këtij viti.
LDK-ja do të pranonte vetëm një qeveri politike me përfshirje të gjerë, e cila do të kishte
një mandat të përkohshëm...


“LDK-ja do të pranonte vetëm një qeveri politike me përfshirje të gjerë, e cila do të kishte një mandat të përkohshëm dhe që do të garantonte funksionimin e institucioneve bazë. Po ashtu, do t’i bënte gati institucionet dhe Kosovën për zgjedhje të reja dhe të rregullta”
, thotë Shala.

Insistimi i LDK-së për qeverinë gjithëpërfshirëse, sipas Kujtim Shalës, buron te validiteti i procesit zgjedhor, të cilin ky subjekt politik e cilëson si të manipuluar. Ai thekson se një qeveri e tillë do të merrte përsipër disa angazhime konkrete.

“Detyrat, të cilat parasheh LDK-ja e që do të duhej t’i kryente kjo qeveri, janë: regjistrimi i popullsisë – për t’u evituar problemet me regjistrat civilë – pastaj reformimi apo riamandamentimi i dispozitave kushtetuese - që lidhen me sistemin zgjedhor, me ligjet për zgjedhjet, si dhe dispozitat kushtetuese, të cilat lidhen drejtpërdrejt me Komisionin Qendror Zgjedhor”,
potencon Shala.

Nënkryetari i parë i AAK-së, Blerim Shala, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, një ditë më herët, pati vlerësuar se Kosova ndodhet në një udhëkryq, nga i cili mund të dilet vetëm me bashkimin e forcave të subjekteve politike, sidomos PDK-së, LDK-së dhe AAK-së.

Ideja e Shalës konsistonte në formimin e një qeverie me mandat deri në 24 muaj dhe me angazhimet konkrete, si në planin e brendshëm, ashtu edhe në atë të jashtëm.

Sidoqoftë, dy subjektet aktualisht më të mëdha në Kosovë që në start u deklaruan kundër kësaj ideje.

Lexoni edhe këto:

Sprova përballë partive politike
Kalkulimet për koalicion
XS
SM
MD
LG