Ndërlidhjet

Për një opozitë të fortë


Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës
Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës
Në shkurt mund të konkretizohet formula e ardhshme qeverisëse, ndërkohë që analistët mendojnë se në të mirë të demokracisë në Kosovë, është një qeveri që ka përballë një opozitë të fortë.

Zgjatja e ciklit zgjedhor për shkak të parregullsive, ka shtyrë edhe krijimin e koalicionit qeverisës, formula e të cilit ende mbetet enigmë.

Partia Demokratike e Kosovës, si fituese e zgjedhjeve, ka thënë se nuk është përjashtuese, por ende nuk ka folur me terma konkretë se me kë do ta bëjë qeverinë e ardhshme.

Në anën tjetër, dy partitë që rreshtohen pas PDK-së, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, thonë se do të qëndrojnë në opozitë.

Analistët kosovarë mendojnë së në të mirë të demokracisë do të ishte një opozitë e fortë. Imer Mushkolaj thotë për Radion Evropa e Lirë, se është kundër një qeverie gjithëpërfshirëse apo të koalicionit të gjerë.
E, ne, nga përvojat e kaluara qeverisëse, e dimë se mungesa e një opozite të fortë e dëmton shumë një vend me demokraci të brishtë siç është
Kosova.

“Unë jam kundër një qeverisjeje të tillë, sepse atëherë nuk ka logjikë që të mbahen zgjedhjet, të votojnë njerëzit dhe pastaj të krijohet një qeveri për shkak të interesave, qoftë për shkak të interesave nacionale, apo të tjera, me një formulë që i bën bashkë të gjitha këto parti”.

“Unë jam kundër edhe për arsyen tjetër, se nuk do të kishim një opozitë të fortë për shkak se të gjithë do të hynin në qeveri. E, ne, nga përvojat e kaluara qeverisëse, e dimë se mungesa e një opozite të fortë e dëmton shumë një vend me demokraci të brishtë siç është Kosova”,
vlerëson Mushkolaj.

Adrian Arifaj nga Klubi për Politikë të Jashtme, thotë se Kosovës i duhet një opozitë e fortë, por më shumë sesa kjo, sipas tij, i duhet një qeveri kredibile.

“Kosova, për ta zhvilluar demokracinë, ka nevojë për opozitë të fortë dhe jo të ketë një koalicion ku të gjitha partitë do të merrnin pjesë. Në anën tjetër, Kosova po ashtu ka nevojë për një qeveri stabile, të fortë dhe kredibile. E, ky kredibilitet pas raporteve që po miratohen në KE, është shumë i nevojshëm, është esencial”, thotë Arifaj.

Një qeveri e pastër, në të cilën nuk janë të përfshirë ministra që kanë dosje të hapura, që janë dënuar, apo ndaj të cilëve po bëhen hetime, është kërkuar nga akterët kryesorë ndërkombëtarë në Kosovë.

Mesazhet e tilla të dhëna nga ambasadori amerikan Kristofer Dell dhe nga shefi i ICO-së, Piter Feith, sipas Arifajt, i kanë vënë në sprovë të vështirë partitë politike.

“Do të jetë vështirë për partitë politike që të gjejnë njerëz. Mesazhet janë të qarta, se nuk duhet të ketë njerëz të përfshirë në krime. Por, me rëndësi është të priten numrat përfundimtarë të votave, ata përcaktojnë se si do të ndahet pushteti”
, thekson Arifaj.

Një ide tjetër për koalicion qeverisës ka dalë nga partia e dytë më e madhe në këto zgjedhje. LDK-ja kërkon qeveri teknike, e cila do ta përgatiste vendin për zgjedhjet e reja, që do të mbaheshin në vjeshtë të këtij viti.

Analisti Mushkolaj nuk mendon se kjo është zgjidhja:

“Nuk besoj se do të ketë zgjedhje të parakohshme dhe nuk konsideroj se duhet të organizohen tash zgjedhjet e parakohshme - e kam fjalën për zgjedhje brenda këtij viti. Në vitet e muajt e fundit, po kalojmë prej zgjedhjeve në zgjedhje, po kthehet ky proces në një qark të mbyllur ku nuk po dihet se ku është fundi. Unë besoj se Qeveria duhet të krijohet me këtë mandat të dalë nga këto zgjedhje dhe është çështje tjetër pastaj se sa do të zgjasë kjo qeveri, deri në fund të mandatit, apo do të qeverisë më pak”
.

Jo vetëm, LDK-ja, por edhe parti tjera më të vogla, si dhe shoqëria civile shprehin mendimin se sistemi zgjedhor duhet të reformohet thellësisht, në mënyrë që të evitohen parregullsitë që shoqëruan edhe zgjedhjet lokale, por edhe ato nacionale në dy vitet e fundit.
Nuk është ide e keqe të mendosh për zgjedhje të reja sa më shpejt, por jo sikur këto që i kishim në këtë
dhjetor...

Ideja e reformimit të sistemit zgjedhor, por edhe mbajtja e zgjedhjeve të reja, sipas Ardian Arifajt do të duhej të kihej parasysh.

“Nuk është ide e keqe të mendosh për zgjedhje të reja sa më shpejt, por jo sikur këto që i kishim në këtë dhjetor, por për zgjedhje, ku do të zgjidheshin përfaqësuesit e popullit në Parlament”,
shprehet Arifaj.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet që javën e ardhshme të certifikojë rezultatet e zgjedhjeve të 12 dhjetorit. Kjo i hap rrugë krijimit të institucioneve, që, sipas mandatares së ardhshme të qeverisë, PDK-së, do të krijohen kah mesi i muajit shkurt.

Lexoni edhe këto:

Kush do të jetë në opozitë?
S’e duan koalicionin PDK, LDK, AAK
XS
SM
MD
LG