Ndërlidhjet

logo-print

Ratifikimi i marrëveshjes implikon ndryshime ligjore


Harta e Kosovës

Harta e Kosovës

Do të implikojë apo jo ndryshime ligjore zbatimi i marrëveshjes Thaçi – Daçiq?!- Kjo është një çështje debati që po zhvillohet në skenën politike të Kosovës.

Mendimet janë të ndryshme. Por, besohet se nevoja për ndryshime ligjore do të sqarohet pas arritjes së dakordimit rreth planit të zbatimit të kësaj marrëveshjeje dhe pasi që të dihet përfundimisht nëse ajo do të kërkon edhe ratifikimin në Kuvend.

Zëdhënësi i presidentes së Kosovës, Arbër Vllahiu i ka thënë Radios Evropa e Lirë se në ligjet e aktuale të Kosovës ka hapësirë të mjaftueshme të zbatohet marrëveshja e arritur në Bruksel.

Presidentja ka thënë se do të bëhet çdo gjë që është e nevojshme që marrëveshja e arritur në Bruksel ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë të zbatohet plotësisht, sepse kjo është në interesin e të gjithë qytetarëve".

"Presidentja ka thënë se çdo gjë që është në marrëveshjen e arritur është e garantuar me Kushtetutë dhe me ligjet e Kosovës dhe Presidentja ka thënë se në ligjet e aktuale të Kosovës ka hapësirë të mjaftueshme të zbatohet marrëveshja
”, ka thënë Vllahiu.

Në anën tjetër, kryetari i Komisionit për Legjislacion në Kuvendin e Kosovës, deputeti Arben Gashi nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës mendon se çështja e nevojës për ndryshime ligjore mund të sqarohet pasi që palët të merren vesh rreth planit të zbatimit, dhe sidomos pasi që të dihet nëse marrëveshja do të kërkon edhe ratifikimin në Kuvend.

Gashi i ka thënë Radios Evropa e Lirë se në rast të ratifikimit të marrëveshjes në Kuvend, ajo do të merr fuqinë e marrëveshjes ndërkombëtare dhe si e tillë do të kishte fuqi mbi legjislacionin e brendshëm.

Kur kemi të bëjmë me marrëveshjet ndërkombëtare ato kanë fuqi mbi legjislacionin e brendshëm dhe normalisht që legjislacioni i brendshëm duhet të adoptohet me marrëveshjen e cila do të ratifikohej në Kuvend".

"Mirëpo, kjo çështje ka mbetur e papërfunduar dhe së pari duhet të përmbyllet dhe të shihet ka nevojë të ratifikohet apo dhe elementi i dytë është çështja e pasojave që kjo marrëveshje i prodhon. Mendimi paraprak i imi është që ajo implikon ndryshime ligjore, por mbetet të shihet deri në përfundimin e saj”, ka thënë Gashi

Deputeti Arben Gashi ka kërkuar nga qeveria që krahas planit të zbatimit të cilin palët negociuese do ta diskutojnë sërish më 21 maj në Bruksel, të hartojë edhe planin e vet të veprimit.

“Përveç planit gjeneral të zbatimit që do të arrihet në dialogun midis dy qeverive, duhet të ketë edhe një plan konkret të qeverisë tonë i cili duhet të jetë akoma më i detajuar dhe në kuadër të tij do të shihet se ligjet duhet të ndryshohen eventualisht dhe çfarë lloj implikimesh do të ketë kjo marrëveshje”, ka thënë Gashi

Ndërkohë, në Qeverinë e Kosovës është konfirmuar se ekziston një plan i zbatimit i hartuar nga pala kosovare.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka deklaruar se ky plan tashmë është në duart e zyrtarëve ndërkombëtar dhe se ai ka një përmbajtje të detajuar për të zbatuar në praktikë marrëveshjen e arritur më 19 prill midis kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë.

“Prishtina ka pasur planin e zbatimit, të detajuar, i cili u është dërguar kohë më parë edhe përfaqësuesve ndërkombëtar. Ai është një plan racional e i implementueshëm dhe nuk është plan që ka vetëm vullnete e dëshira, por plan që mundëson angazhimin e plotët ë institucioneve për zbatimin e marrëveshjes”, ka sqaruar Kuçi.

Sidoqoftë, çështjet rreth implikimeve për ndryshimet ligjore në Kosovë që mund t’i prodhoj marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, pritet të sqarohen pas 21 majit, kur kryeministrat e të dyja vendeve pritet të takohen sërish në Bruksel me ndërmjetësimin e shefes së diplomacisë evropiane Catherine Ashton.

Në atë takim është thënë se mund të pritet miratimi i planit të zbatimit të marrëveshjes së arritur më 19 prill.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG