E mërkurë, prill 23, 2014 Kosova 13:50

Rajoni

Maqedoni: Paragjykimet në drejtësi

Ilustrim
Ilustrim
Madhësia e shkronjave - +
Etiketimi i personave ndaluar nga policia si autor kryesor të ndonjë vepre të caktuar penale ende pa filluar asnjë procedurë hetuese nga organet gjyqësore, paraqet tentim për të ndikuar në punën e pushtetit gjyqësor.

Kështu vlerësojnë ekspertët duke komentuar rastin e fundit të ekstradimit nga Kosova të Shukri Aliut, për të cilin fillimisht nga Ministria e Punëve të Brendshme thanë se bëhet fjalë për një radikal-islamik, që mund të jetë edhe “truri” i vrasjes së pesë maqedonasve në prill të këtij viti në Smillkovcë të Shkupit.

Mirëpo, një ditë më vonë, një vlerësim i këtillë u zëvendësua nga MPB-ja me një qëndrim më të butë se gjoja bëhet fjalë për persona të akuzuar për vepra tjera penale.

Osman Kadriu, ekspert për çështje juridike, thotë se përveç presioneve mbi punën e gjykatave, në këto raste, kemi edhe shkelje të të drejtave të njeriut, pasi askush nuk mund të shpallet fajtor pa një proces të pavarur gjyqësor.

“Mjerisht, gjykatat janë ende nën presion, ushtrohet një lloj trysnie ndaj tyre. Edhe arrestimet e fundit flasin për cenimin në mënyrë flagrante të të drejtave dhe lirive të njeriut dhe me këtë, po ashtu, cenohet parimi kushtetues, i cili ka të bëjë me prezumimin e pafajësisë. Mirëpo, edhe pse rregullativa është e qartë për këto çështje, sërish kemi të bëjmë me cenimin e këtyre parimeve që do të thotë edhe shkelje e të drejtave dhe lirive të njeriut”, vlerëson Osman Kadriu.

Nga ana tjetër, nga Ministria e Drejtësisë thonë se rastet e këtilla duhet të paraqesin sfidë për organet gjyqësore pasi duhet të vihet drejtësia në vend.

Ministri Blerim Bexheti thotë se për të gjitha rastet do të ketë proces korrekt gjyqësor.

“Edhe në prononcimet e mëhershme për rastin ‘Monstra’, kam deklaruar dhe sërish deklaroj se pas paraqitjes së dallimeve, paraqitet një sfidë serioze që t’i eliminoj të gjitha këto dyshime, si në gjithë botën, ashtu edhe në Maqedoni, Gjykatat duhet që në bazë të drejtësisë, kur do të shqyrtohen gjitha faktet, në suaza të ligjeve dhe Kushtetutës, që mbi të gjitha drejtësia të jetë mbi tavolinë”, thotë Bexheti.

Por, derisa Ministria e Drejtësisë që drejtohet nga kuadër shqiptar nga BDI-ja, garanton proces gjyqësor korrekt dhe bën thirrje për moskeqpërdorimin e rasteve të ndjeshme nga Ministria e Punëve të Brendshme në disa raste, personat e arrestuar apo ndaj atyre që janë shpallur fletë-arreste ndërkombëtare, i kanë cilësuar si autorë të drejtpërdrejtë të vrasjes në Smillkovcë.

Madje, ministrja e Brendshme, Gordana Jankullovska, kishte deklaruar se personat e ndaluar kanë marrë pjesë edhe në aksione të paligjshme jashtë vendi, por që më vonë është vërtetuar se disa nga personat e apostrofuar asnjëherë nuk kanë poseduar pasaporta udhëtimi.

Duke komentuar pozicionet e kundërta të zyrtarëve qeveritarë lidhur me rastet e këtilla, analisti Mersel Bilalli thekson:

“Deklaratat e këtilla kundërthënëse lënë dyshime para opinionit nëse do të ketë gjykim të drejtë, edhe pse nuk janë institucionet e punëve të brendshme ato që duhet të japin kualifikime. Kjo është punë e gjykatës, e cila duhet të vendosë në mënyrë të pavarur. Të gjitha këto janë në shërbim të lojërave politike partiake”.

Ndryshe, procesi gjyqësor për rastin “Monstra”, pritet të fillojë nga mesi i këtij muaji, ndërsa të akuzuar për vrasjen e pesë maqedonasve janë gjashtë persona, dy prej të cilëve ndodhen në arrati.
Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum