Ndërlidhjet

Çka po e frikëson BE-në në rastin e liberalizimit të vizave për Kosovën?


Flamuri i Bashkimit Evropian dhe Kosovës. Fotografi ilustruese
Flamuri i Bashkimit Evropian dhe Kosovës. Fotografi ilustruese

Numri i madh i të rinjve të papunë dhe frika nga një përpjekje tjetër migrimi drejt vendeve të Bashkimit Evropian, sipas analistëve, mund të shihen si pengesa që ka Kosova për realizimin e synimit të saj për liberalizimin e vizave.

Analistët thonë se te vendet anëtare të BE-së, sidomos ato vende ku synojnë të shkojnë qytetarët e Kosovës në kërkim të një vendi pune dhe një jete më të mirë, droja është më e madhe se liberalizimi do të mund të keqpërdorej.

Ka tri javë që Kosova është në pritje të rekomandimit për liberalizimin e vizave nga Komisioni Evropian.

Pas ratifikimit të Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi dhe prezantimit të rezultateve në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, institucionet e Kosovës dhe liderët politikë ishin shprehur optimistë, se Bashkimi Evropian do të nxirrte rekomandime pozitive.

Por, një vendim i tillë ende nuk është marrë në Bruksel.

Taulant Kryeziu, njohës i çështjeve të integrimit evropian tha për Radion Evropa e Lirë se janë disa çështje që kanë ndikuar në këtë hezitim të Bashkimit Evropian në rastin e liberalizimit të vizave për Kosovën.

“Arsyeja pse unë shoh gjasa të vogël që në këtë vit të lëvizim lirshëm në vendet e BE-së, është sistemi jonë i drejtësisë i cili nuk ka treguar përkushtimin dhe vullnetin për t’u marrë me luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit të profileve të larta. E dyta, ekziston një klimë jo pozitive brenda vendeve të fuqishme të Bashkimit Evropian sa i përket çështjes së migrimit”.

“Kemi parë shqetësimet që ka qeveria populiste italiane, me atë që po quhet barra e emigrantëve dhe atë që kërkojnë që kjo barrë e emigrantëve të ndahet me brenda gjithë vendet anëtare të BE-së dhe jo të atakohet vetëm një vend. Problemet që ka pasuar pastaj kancelarja Angela Merkel me partnerin e saj konservativ të koalicionit, i cili ka bërë thirrje edhe për mbyllje të kufijve”, thekson Kryeziu.

Këto elemente, shton Kryeziu, do të prodhojnë vonesa në vendimmarrjen politike nga ana e Bashkimit Evropian në rastin e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Ndërkaq, analistja e çështjeve të integrimeve evropiane Jehona Lushaku - Sadriu thotë për Radion Evropa e Lirë se frika nga migracioni është e dyanshme, si për Bashkimin Evropian, ashtu edhe për Kosovën.

“Ka shumë arsye, disa kanë të bëjnë me politikat e brendshme të Bashkimit Evropian. Ata janë momentalisht duke u bërë gati për zgjedhjet e ardhshme dhe ka kalkulime të ndryshme politike të partive politike brenda institucioneve të BE-së. Ata janë duke kalkuluar për penalizmin që mund të kenë, në qoftëse e përkrahin liberalizmin e vizave për Kosovën”.

“Frika që mund të jetë për Kosovën është mos kontrolli ndaj migracionit. Nëse do të ballafaqohet Kosova, por edhe BE-ja me një valë të re të migracionit nga Kosova atëherë do të shihet si shumë problematike dhe me shumë ndikim në zgjedhjet e ardhshme në Bashkimin Evropian, meqë migracioni është një politikë mjaft problematike edhe aktualisht”, thotë Lushaku-Sadriu.

Ndryshe, në fund të vitit 2014 dhe fillim të vitit 2015, duke shfrytëzuar kufirin e ndërmjet Serbisë dhe Hungarisë, mijëra qytetarë të Kosovës në mënyrë të paligjshme, ishin nisur drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

Vala e madhe e migrimit të qytetarëve nga Kosova pati detyruar autoritetet në Hungari, Serbi, Austri dhe Gjermani, që të forcojnë kontrollet e kufirit, për të penguar kalimin e paligjshëm.

(Video nga arkivi: Kalimi ilegal i kufirit Serbi-Hungari. 4 shkurt, 2015)

Kalimi ilegal i kufirit Serbi - Hungari
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:03:14 0:00

Numri i të shpërngulurve nga Kosova pati rënë pas një ashpërsimi të kontrolleve dhe shumë qytetarë që migruan në mënyrë të paligjshme u rikthyen në Kosovë.

Institucionet e Kosovës, thonë analistë të çështjeve të integrimeve evropiane, do të duhej të marrin masa për parandalimin e fenomenit të migracionit.

Taulant Kryeziu thotë se liberalizimi i vizave nga qytetarët e Kosovës nuk duhet kuptuar se në asnjë rast, nuk mundëson punësim apo ndonjë veprimtari ekonomike në shtetet e zonës Schengen.

“Po besoj se duhet të bëhet një kampanjë më e fuqishme edhe nga Ministria e Integrimeve dhe institucioneve në përgjithësi. Mendoj që qytetarët duhet të kuptojnë se liberalizimi i vizave është çështje vetëm e lëvizjes së lirë nuk është e drejt pune apo studimi. Asnjë qytetar i Kosovës të mos mendojë se me liberalizim të vizave mund të kërkojnë azil dhe mund të bëhen barrë e taksapaguese të vendeve të BE-së”, thotë Kryeziu.

Standardi jetësor i qytetarëve të Kosovës, me gjithë përmirësimet e bëra viteve të fundit, sipas ekspertëve të fushës vazhdon të mbetet nën mesataren dhe larg vendeve të rajonit dhe Bashkimit Evropian. Papunësia është një nga problemet më të mëdha që ka përcjellë shoqërinë kosovare viteve të fundit. Shkalla e papunësisë sipas të dhënave zyrtare është 30.5 për qind.

XS
SM
MD
LG