Ndërlidhjet

FRIED: SHBA-TË TË PËRKUSHTUARA PËR ZGJIDHJEN E STATUSIT BRENDA VITIT


Zijadin Gashi, Prishtinë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të përkushtuara që gjatë këtij viti të zgjidhet çështja e fundit në Ballkan, përkatësisht të zgjidhet statusi i Kosovës, ka thënë sot në Prishtinë, ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Daniel Fried.

Gjatë qëndrimit në Prishtinë, Daniel Fried, ka takuar sot presidentin Fatmir Sejdiu, ekipin negociues për statusin, pastaj shefin e UNMIK-ut, Joakim Ryker si dhe ka zhvilluar një takim me drejtorin politik në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Michael Schafer, i cili po qëndron sot gjithashtu në Prishtinë.

Daniel Fried tha se nuk do të donte të thoshte haptas se cili do të jetë statusi i Kosovës, por duke i dhënë mbështetje misionit negociues të Marti Ahtisarit, ai tha se e ardhmja e Kosovës nuk do të jetë kthimi në të kaluarën, mbajtja e gjendjes ekzistuese e as ndërtimi i një Kosovë një etnike. Por se e ardhmja e Kosovës, shtoi ai, do të jetë ndërtimi i një Kosovë shumë etnike dhe demokratike.

“Mesazhi im është se ne Shtetet e Bashkuara jemi seriozisht të interesuara për zgjidhjen e statusit të Kosovës dhe t’u ndihmojmë njerëzve të Kosovës që të gjejnë të ardhmen e tyre në siguri, tolerancë e demokraci dhe të ardhme në Evropë”, tha Daniel Fried, duke u zotuar se qeveria amerikane nuk do të ndalet për të arritur këtë qëllim. Shtyrja e zgjidhjes së statusit nuk do të kishte efekte pozitive dhe nuk do t’i ndihmonte askujt tha ai.

Fried lavdëroi qëndrimin që delegacioni i Kosovës ka mbajtur gjatë procesit të deritanishëm negociues të drejtuar nga Marti Ahtisari. Ndërkohë që bëri thirrje për ndaljen e të gjitha akteve të dhunës. Ata që përdorin sulmet e shpërthimet si mjete për arritjen e qëllimeve, nuk janë patriotë të këtij vendi, por janë kriminelë dhe si të tillë duhen trajtuar, pohoi Fried.

Në një paraqitje të përbashkët për media, ndihmës sekretari amerikan i shtetit Daniel Fried dhe drejtori politik në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Michael Schafer, premtuan angazhimin serioz të qeverive amerikane dhe gjermane që të ndihmojnë zgjidhjen e statusit, duke i dhënë mbështetje misionit negociues të Marti Ahtisarit. Me këtë rast, Michael Schefer tha se Grupi i Kontaktit dhe qeveria gjermane angazhohen për një zgjidhje kompromisi që do të jetë e balancuar dhe e pranueshme për dy palët në bisedime:

“Duhet të jetë një zgjidhje që do të reflektojë vullnetin e popullit të Kosovës, kjo është mjaftë e qartë dhe të gjithë e kemi përkrahur këtë zgjidhje, por në anën tjetër kjo zgjidhje duhet të jetë e pranueshme edhe për pakicat”, tha gjermani Schafer.

Në anën tjetër, presidenti Fatmir Sejdiu tha se ai dhe ekipi negociues e kanë njoftuar sot gjatë takimit të zhvilluar ndihmës sekretarin amerikan të shtetit me vizionet e Prishtinës për zgjidhjen e statusit. Duke i dënuar aktet e fundit të dhunës, Sejdiu tha se ata që përdorin dhunën, janë kundër të ardhmes dhe pavarësisë së Kosovës. Ndërkohë që edhe sot, Sejdiu u angazhua që procesi për statusin të përmbyllet gjatë këtij viti:

“Ne insistojmë po ashtu, sikur e kanë shprehur edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që ky proces të marrë të mbarën nga fundi i këtij viti. Natyrisht që ne kemi opsionin tonë, që është vullneti i popullit të Kosovës për pavarësi dhe këtë duam ta bëjmë sa më shpejt. Natyrisht që kjo mbështetje e fuqishme që i është dhënë zhvillimit të procesit edhe në Këshillin e Sigurimit, edhe në Grupin e Kontaktit. Edhe në gjitha aspektet e tjera të mbetet me këtë rol të rëndësishëm që Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë dhe e premtojnë edhe në proceset tjera”, tha Sejdiu.

Ndihmësi i sekretarit amerikan të shtetit, Daniel Fried po qëndron në Kosovë pas vizitës që i bëri Beogradit. Ai nesër do të vizitojë Mitrovicën, ku ndër të tjera do të bisedojë me autoritetet ndërkombëtare atje dhe përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës.

XS
SM
MD
LG