Ndërlidhjet

DANIEL FRIED: KOSOVA DO TE JETË NJË, POR E DECENTRALIZUAR


Albana Isufi, Mitrovicë

“Ne nuk besojmë në ndarjen e Kosovës, por besojmë në Kosovën e decentralizuar”, ka deklaruar në ditën e tretë të vizitës së tij në Kosovë, ndihmës sekretari amerikan i shtetit Daniel Fried. Ai i ka bërë këto komente në Mitrovicë, pas takimit me administratorin rajonal të UNMIK-ut, Jerry Gallucci dhe përfaqësuesit e subjekteve politike serbe.

“Është e rëndësishme se do të ketë një Kosovë, e cila do të ketë decentralizimin dhe kjo nuk e dobëson Kosovën, por do ta bëjë atë më të fortë”, ka thënë Fried. Ai nuk beson se për Kosovën do ketë një zgjidhje te imponuar.

“Një zgjidhje e imponuar është një slogan, sipas meje i thatë. Faktikisht ne nuk mund te kthehemi pas, por as nuk mund te qëndrojmë këtu ku jemi. Duhet te ecim përpara në atë mënyrë që të njihen të drejtat e komuniteteve”, tha Fried duke theksuar se është fakt, që edhe pas zgjidhjes së statusit në Kosovë do të këtë prani ndërkombëtare ushtarake dhe civile, e cila do të mbikqyrë implementimin e marrëveshjes se arritur për statusin.

Por, ajo çka u duhet tani kosovarëve, sipas zotit Fried është qartësimi rreth statusit përfundimtar.
“Së pari njerëzit e Kosovës meritojnë qartësim për të ardhmen e tyre, janë bërë 7 vjet që nga lufta dhe është kohë e mjaftueshme, përderisa dikush mund të thotë se është kohë mjaft e gjatë. Njerëzit e Kosovës meritojnë qartësi”, tha Fried duke theksuar këtu qëndrimet e Grupit të Kontaktit, që brenda këtij viti të gjendet një zgjidhje e negociueshme.

Ndihmësi i sekretarit amerikan të shtetit, Daniel Fried u ka bërë thirrje serbëve të Kosovës, që të kthehen në institucione.

“Komuniteti serb në jug të lumit Ibër dhe ai në veri duhet te jenë pjese e përhershme e së ardhmes së Kosovës. Duhet të përkrahet përderisa punon me institucione e Kosovës tash dhe në të ardhmen. Unë dhe qeveria amerikane përkrahim ata serbë që punojnë për një të ardhme më të mirë për Kosovën” , tha Fried.

Ndërkaq, përfaqësuesi i Listes Serbe për Kosovën e Metohinë, Oliver Ivanoviq, pas takimit me zotin Fried ka thënë se serbëve u duhet ndihma e Shteteve te Bashkuara dhe bashkësisë ndërkombëtare, për të garantuar qëndrimin e serbëve në Kosovë.

“Të garantohet mbetja e serbëve këtu, çfarëdo që të jetë statusi. E ne mendojmë se statusi duhet të jetë një vendim kompromisi, që do t’i kënaqë të dy palët dhe të jetë i pranueshëm për të dy palët”, tha Ivanoviq.

Ndihmës sekretari amerikan i shtetit Daniel Fried ka vizituar sot edhe kampin Osterode në veri të Mitrovicës, ku janë të strehuar mbi 130 familje rome, ashkali dhe egjiptase.

As ditën e tretë të vizitës së tij në Kosovë, zoti Fried nuk e ka kaluar pa bërë thirrje kundër dhunës, përderisa ata, që kryejnë sulme kundër komuniteteve pakicë i ka quajtur qyqarë.



XS
SM
MD
LG