Ndërlidhjet

R. BLAKAJ: DERI 30 MIJË KOSOVARË LARGOHEN BRENDA VITIT NGA KOSOVA


Nadie Ahmeti, Prishtinë

Kushtet e vështira sociale dhe ekonomike, niveli i lartë i papunësisë dhe mungesa e një perspektive për të ardhmen, kanë bërë që migracioni ende të jetë në përmasa të mëdha, thotë Rifat Blakaj, udhëheqës i Institutit për Hulumtime të Migracionit.

Zoti Blakaj thotë se deri në 30 mijë kosovarë largohen brenda një viti nga Kosova në forma të ndryshme dhe 90 përqind prej tyre largohen për shkak të pamundësisë për t’i përmbushur kushtet më elementare për një jetë normale.

“Faktorët kryesorë që ushtrojnë ndikim në lëshimin e Kosovës në radhë të parë është gjendja tmerrësisht e rëndë dhe e pa perspektivë e punësimit. Duhet të përkujtojmë se synimet, ambiciet, objektivat që jeta ekonomike në Kosovë, punësimi do të rritej me projektin e privatizimit, mjerisht u tregua i dështuar. Dhe tani më nuk kemi rritje të punësimit me privatizimin, por përkundrazi zvogëlimin dhe reduktimin,” tha zoti Blakaj.

Zoti Blakaj, pohon se numri më i madh i atyre që largohen nga Kosova janë të rinj nga zonat urbane dhe ato rurale.

“Kjo korrespondon me kontingjentin se çdo vit në Kosovë ne kemi prej 22- 25 mijë krah të rinj pune dhe ajo vijimisht po akumulohet. Kështu që ky kontigjent i hyrjes në moshën e punës, vijimisht bartet, derdhet, largohet dhe shkon jashtë”, thotë zoti Blakaj.

Shpend Lilaj, 18 vjeç, pohon se është i gatshëm të largohet nga Kosova sapo të gjejë mundësinë.

“Kosova është vend, i cili nuk të ofron kushte të mira për shkollim, vend, i cili nuk të ofron punë pasi të përfundon shkollimin, vend, i cili nuk ofron edhe kushtet më elementare për jetë”, tha Shpend Lilaj.

Edhe Nebih Rama, 27 vjeç, i cili merret me shitjen e telefonave, thotë se është në kërkim të mundësive për t’u larguar nga Kosova.
“Këtu është papunësi e madhe. Normal që duam të dalim jashtë, ndoshta gjejmë diçka më shumë. Ku ka punë duhet të shkojnë të gjithë, jo veç unë”, tha zoti Rama.

Demografi Blakaj është i shqetësuar se numri i qytetarëve që synojnë largimin nga Kosova në të ardhmen mund të rritet edhe më shumë.

“Që do të dalin edhe jashtë kontrollit dhe do të kenë konsekuenca, jo vetëm për Kosovën, por edhe për rajonin si dhe vendet pranuese”, tha zoti Blakaj.

Për ta vënë kontrollin mbi këtë fenomen, zoti Blakaj bën thirrje për formimin e një ministrie që do të merrej me çështje të migracionit dhe të diasporës.

“Kjo ministri do të administronte migracionin kosovar në të tre etapat: para shkuarjes, gjatë punës dhe jetës në migracion, si dhe gjatë fazave të kthimit dhe ri integrimit në vendlindje," tha zoti Blakaj.
XS
SM
MD
LG