Ndërlidhjet

NATO: DO TË RUAJMË PRANINË USHTARAKE NË KOSOVË EDHE PAS STATUSIT


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Prania e forcës paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë është e pashmangshme edhe pas zgjidhjes së statusit, që ndoshta do të bëhet gjatë këtij viti, thanë sot në Prishtinë, përfaqësuesit e Asamblesë Parlamentare të Aleancës Veriatlantike NATO. Ata i kanë bërë këto komente pas një takimi me udhëheqësit më të lartë të KFOR-it në Prishtinë, në ditën e dytë të qëndrimit të tyre në Kosovë, ndërkohë që po sot paradite kishin takuar përfaqësues të shqiptarëve dhe të serbëve në qytetin e Mitrovicës.

Me këtë rast ata ftuan qytetarët e Kosovës që t’i kontribuojnë paqes dhe të pranojnë pa dhunë zgjidhjen për statusin. Ata thanë po ashtu se asnjë lloj dhune nuk çon në rrugën e duhur për Kosovën.
Duke folur në emër të delegacionit, Karl Lamer, përfaqësues i Gjermanisë tha se KFOR-i ka bërë një punë të shkëlqyeshme për rritjen e shkallës së stabilitetit dhe sigurisë në Kosovë, por e quajti të pashmangshme nevojën e pranisë së vazhdueshme të kësaj force edhe pas zgjidhjes së statusit:

"Ne jemi të bindur se prania e KFOR-it në Kosovë është e pashmangshme tani, por edhe pas zgjidhjes së statusit, edhe pse ne shpresojmë se do të jetë një zgjidhje pozitive," tha Lamers, duke iu bërë thirrje qytetarëve të ruajnë këtë stabilitet dhe qetësi, qoftë gjatë procesit të përcaktimit të statusit, qoftë në vetë kohën e përcaktimit të tij:

"Ne u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që të pranojnë pa dhunë një zgjidhje që ndoshta do të arrihet deri në fund të këtij viti," tha Lamers, duke ritheksuar mbështetjen e NATO-s për Kosovën. Ai ka ftuar autoritetet e Kosovës që të kontaktojnë më shumë me qytetarët dhe t’i njoftojnë ata se gjëja më e mirë është që të jetojnë në paqe duke e respektuar njëri-tjetrin, pavarësisht nga përkatësia e tyre etnike.

Ndërkaq, zëvendëskomandanti i KFOR-it, gjeneral major, Roberto Bernardini tha se forca ndërkombëtare prej 16 mijë trupash është e përkushtuar që të ofrojë mjedis të qetë dhe të sigurt. Ai vlerësoi se kjo është një periudhë vendimtare jo vetëm për Kosovën, por edhe për rajonin dhe tha se KFOR-i mbështet plotësisht bisedimet politike dhe diplomatike për zgjidhjen e statusit të Kosovës:

"Pavarësisht se cila do të jetë zgjidhja e statusit, ajo duhet të bëhet në mënyrë paqësore," tha gjenerali Bernardini, duke vlerësuar se bisedimet për statusin nuk kanë ndikim në misionin e KFOR-it. Mirëpo, tha gjenerali Bernardini, KFOR-i nuk do të lejojë kurrfarë dhune dhe do t’i bindë njerëzit se dhuna nuk është rruga që ne po kërkojmë dhe se do të ishte e dëmshme të mendohet se dhuna do t’u ndihmojë kosovarëve drejt një të ardhmeje prosperuese dhe paqesore.

Gjenerali Bernardini po ashtu ka kërkuar nga qytetarët që të mos bien në ndikimin e grupeve të vogla që dëshirojnë ta destabilizojnë rajonin.
XS
SM
MD
LG