Ndërlidhjet

FRANSUA SHTAM: SË SHPEJTI RIFILLOJNË TAKIMET E GRUPEVE PUNUESE PËR TË PAGJETURIT


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Askush nuk është zhdukur në aksident dhe përgjigjet për të zhdukurit ekzistojnë, tha sot në Prishtinë përfaqësuesi i Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, François Stamm. Ai i bëri këto komente sot në Prishtinë, pas takimit të tij të parë me shefin e UNMIK-ut Joachim Ruecker, që prej se ky i fundit e ka marrë postin nga Jessen Petersen.

Zoti Stamm, i cili është ndërmjetësues ndërkombëtar në bisedimet teknike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për çështjen e të zhdukurve, paralajmëroi sot se së shpejti do të rinisin takimet ndërmjet grupeve punuese të Prishtinës dhe Beogradit për çështjen e të zhdukurve, pas një ndërprerjeje prej disa muajsh.

"Takimet e ardhshme formale publike janë ndërprerë për momentin, derisa të kemi më shumë progres për të raportuar," tha përfaqësuesi i Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, Stamm, për të siguruar se procesi i konsultimeve në mes të dy palëve të udhëhequra nga organizata që ai përfaqëson, është në rrjedhë e sipër.

Zoti Stamm tha në këtë kuadër se takimet formale ndërmjet grupeve punuese kanë nisur qysh sot, mirëpo pritet të ketë më shumë informacione, në mënyrë që të mund të nisin takimet publike ndërmjet dy grupeve punuese. Ndërkaq duke folur për sfidat që e presin atë si ndërmjetësues, Stamm tha:

"Sfida më e madhe, siç e kemi thënë edhe më herët është nevoja për mbledhur informacione për fatin e personave që janë zhdukur, dhe zbulimin e varrezave të reja masive," tha François Stamm, sipas të cilit nuk mund të thuhet se nuk ka pasur përparim, pasi të gjithë trupat e zbuluar në Serbi të shqiptarëve të vrarë janë riatdhesuar dhe është konfirmuar se në Serbi më nuk ka trupa. Detyra jonë është të gjejmë informacione në Prishtinë dhe në Beograd rreth varreve të reja, pasi askush nuk është zhdukur me aksident, kështu që përgjigjet ekzistojnë dhe ne duhet të kujdesemi që këto përgjigje t'i ofrohen grupit punues, tha François Stamm.

Sipas shënimeve të organizatave që merren me çështjen e të zhdukurve, rreth 2000 persona në Kosovë ende konsiderohen të pagjetur, shumica dërrmuese e të cilëve janë shqiptarë të zhdukur gjatë kohës së luftës. Gjatë dy viteve të fundit në Kosovë janë kthyer rreth 800 kufoma të shqiptarëve të vrarë e të varrosur në dy varreza masive në Serbi.



XS
SM
MD
LG