Ndërlidhjet

BRATISLLAVË


Kryeministri i Kosovës Agim Çeku tha se Kosova së shpejti mund ta fitojë pavarësinë edhe pa verifikimin e Këshillit të Sigurimit, edhe pse sipas tij, rezoluta e Këshillit të Sigurimit do të ishte më e dëshirueshme.
"Do të na vinte mirë po të miratohej rezoluta", tha Çeku në një konferencë të përbashkët për shtyp me shefin e UNMIK-ut Joachim Ruecker gjatë vizitës në Sllovaki.
Pas bisedimeve me ministrin e Jashtëm Sllovak Jan Kubish, Çeku theksoi se "negociatat për statusin e ardhshëm të Kosovës janë proces i përbashkët i bashkësisë ndërkombëtare", dhe se Kosova "nuk do të ndërmarrë kurrfarë hapash të njëanshëm".
Çeku me këtë rast tha se pavarësia e Kosovës, e cila sipas tij është zgjidhja e vetme praktike e qëndrueshme, mund të njihet nga shtetet e botës individualisht. Ai shtoi se shtyrja e statusit të Kosovës nuk do të ishte mirë për asnjërën palë dhe shfaqi shpresën që çështja e statusit të zgjidhet deri në shkurt të vitit të ardhshëm.
Ndërsa shefi i diplomacisë sllovake Jan Kubish tha se vendi i tij nuk do të marrë qëndrim rreth statusit të Kosovës para se Ahtisaari ta publikojë propozimin e tij.
Javën e kaluar kryeministri sllovak Robert Fico u shpreh kundër pavarësisë së Kosovës, që sipas tij do të nxiste tensione në rajon.
XS
SM
MD
LG