Ndërlidhjet

KOSOVA SHQYRTON SHPALLJEN E PAVARËSISË


“Financial Times”

Pas shumë vjetë pritjeje për pavarësinë, udhëheqësit e shqiptarëve të Kosovës thonë se janë duke shqyrtuar veprime të njëanshme, nëse diplomacia e Kombeve të Bashkuara dështon që t’u japë atyre shtetin e tyre. Zgjidhja për Kosovën do t’i jepte fund shpërbërjes territoriale të ish Jugosllavisë dhe do të ndihmonte në promovimin e stabilitetit politik dhe zhvillimit ekonomik në Ballkanin Perëndimor.

Dështimi ndërkaq në gjetjen e kësaj zgjidhjeje, do të ushqente pasiguri politike dhe mbase do të provokonte edhe dhunë. Megjithatë, arritja e zgjidhjes mbetet ende proces i brishtë.

Shtetet e Bashkuara, Rusia, Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe Italia, si vende anëtare të Grupit të Kontaktit, duken thellësisht të ndara mbi këtë çështje. Diplomatët amerikanë dhe ata britanikë duan t’i japin Kosovës pavarësinë nën mbikqyrjen e Bashkimit Evropian, por shpresat e tyre për të anashkaluar kundërshtimet e Serbisë janë duke u zbehur përballë përkrahjes që Moska i jep Beogradit.

Shqiptarët e Kosovës, tani e dinë se Grupi i Kontaktit do të mund të jepte më pak se që ata kanë shpresuar dhe tregëtia në këtë kuadër, e cila nga relacioni Prishtinë-Beograd tash është zhvendosur në relacionin Washington-Moskë, mund të zgjasë edhe më shumë se që ata janë të gatshëm të presin.

Rusia do ta trajtojë planin e hartuar nga i dërguari i Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, si një propozim dhe jo si një ultimatum, ndërkohë që edhe Franca, Gjermania dhe Italia gjithashtu kanë hamendjet e tyre mbi një marrëveshje të imponuar, thonë disa diplomatë.

Zgjedhjet e parakohshme në Serbi, të cilat pritet të mbahen më 21 janar, do të mund t’i bindin zyrtarët e Kombeve të Bashkuara për të shtyrë për dy muaj të tjerë publikimin e rekomandimeve të zotit Ahtisaari, por nëse kalon shumë kohë, atëherë situata mund të përshkallëzojë.

Megjithatë, gjasët më të mëdha janë që udhëheqësit kosovarë të
shpallin fillimisht pavarësinë, me bindjen se pavarësia do të stimulojë investimet e huaja, të krijojë vende pune dhe të zvogëlojë nivelin e emigracionit. Çdo zgjidhje alternative do të ishte një zhgënjim, që do të nxiste krimin e organizuar.
XS
SM
MD
LG