Ndërlidhjet

BEJRUT


Ministri libanez i Industrisë dhe njëherësh udhëheqës politik i të krishterëve, Pierre Gemayel është vrarë sot afër kryeqytetit libanez Bejrut. Njoftohet se ndaj konvojit me të cilin udhëtonte ministri Gemayel, ka shtënë një person i armatosur.
Disa zyrtarë libanez e kanë akuzuar Sirinë për vrasjen e tij, mirëpo kjo e fundit menjëherë ka mohuar të ketë dorë në këtë atentat.
Presidenti amerikan George Bush fuqimisht e dënoi vrasjen duke kërkuar hetime të plota. Ndërsa Nikolas Burns, nënsekretar amerikan i shtetit, tha se ata që dëshirojnë destabilizim nuk do të kenë sukses.
"Mendojmë se është shumë e rëndësishme që këta të cilët po mundohen ta ndajnë Libanin, dhe që nëpërmjet dhunës po përpiqen ta destabilizojnë situatën politike, nuk do të kenë sukses", tha Burns.
Vrasjen e ministrit Gemayel e dënoi edhe ministrja e Jashtme Britanike Margaret Beckett.
"Haptazi e dënojmë këtë vrasje për të cilën jemi shumë të shqetësuar. Tashmë ka mjaft probleme në Liban por le të shpresojmë që kjo të jetë e fundit dhe të orientohemi më tepër në rindërtimin e Libanit dhe jo në vrasje e destabilizime", tha Beckett.
Vrasjen e ministrit Gemayel e kanë dënuar edhe liderë të shumtë botërorë.
Pierre Gemayel ishte i biri i ish presidentit libanez Amin Gemayel.
XS
SM
MD
LG