Ndërlidhjet

TMK: DO TË KTHEHEMI NË FORCËN MBROJTËSE TË KOSOVËS


Albana Isufi, Prishtinë

Liderët kryesorë të vendit kanë shfaqur shpresën se TMK-shpejti do të shndërrohen në ushtri, përderisa përfaqësuesit ndërkombëtarë në Kosovë kanë lavdëruar TMK-në për arritjet e saj. Këto komente janë bërë pas parakalimit të TMK-së në kazermën e Gardës së TMK-së "Adem Jashari", të organizuar për nder të festave të Nëntorit.

Komandanti i TMK-së gjenerali Sylejman Selimi ka thënë se do të jetë ky nëntori i fundit, që Kosova e feston pa zgjidhur statusin e saj.

“Kosova po kalon momentet më të rëndësishme të historisë së saj, prandaj nga ne, nga ju dhe gjithë populli i Kosovës, kërkohet unitet, qetësi, vigjilencë dhe maturi, për të kaluar edhe këtë përballje, e cila nuk është aspak më e lehtë sesa sfidat e tjera, të cilat i kemi kaluar deri më sot", tha zoti Selimi.

Kryeparlamentari i Kosovës Kolë Berisha ka lavdëruar luftën e UÇK-së për liri, ndërsa angazhimet e tashme të TMK-së i ka krahasuar me ato të çdo ushtrie në botë.

“Ju sot sërisht qëndroni gatitu këtu dhe është simbolika e festës që po shënojmë tash. Çdo ushtri e botës bën kështu: në luftë lufton për flamurin, në paqe jeton për flamurin," tha zoti Berisha.

Ndërsa shefi i UNMIK-ut Joachim Ryker ka bërë thirrje që kjo ditë të shfrytëzohet për synimet e përbashkëta të popullit të Kosovës.

“Pasi po punojmë për të ndërtuar një Kosovë multietnike, duhen përdorur ditët si kjo, për të kontribuar të gjithë së bashku për një qëllim dhe vizion të përbashkët, për të ndërtuar një të ardhme të ndritshme për Kosovën dhe të gjithë popullin e saj. Jam i bindur se TMK-ja do të udhëheqë rrugën”, tha Ryker.

Kryeministri i Kosovës Agim Çeku ka thënë se shtyrja e statusit ka zbehur atmosferën festive, por sipas tij nuk ka zbehur angazhimin dhe përkushtimin për të përmbyllur procesin e statusit.

“Trenit të Kosovës që po lëvizte me shpejtësinë e duhur drejt stacionit të pavarësisë, ja kanë ulur pak shpejtësinë, por askush nuk mund ta ndalë këtë tren dhe askush nuk mund të ndryshojë drejtimin dhe stacionin e tij", tha kryeministri Çeku.

Në pakon e statusit të të dërguarit të OKB-së Marti Ahtisari pritet që të përcaktohet edhe e ardhmja e Forcave Mbrojtëse të Kosovës. Kryeministri Çeku është i bindur se e ardhmja e TMK-së do të përcaktohet qartë. TMK sipas tij do të jetë forcë mbrojtëse.

“Besoj se nuk ka njerëz në Kosovë që të dyshojnë për të ardhmen e TMK-së, në një Kosovë të pavarur TMK-ja është ushtria e Kosovës padyshim", tha zoti Çeku.

Ngjashëm mendon edhe komandanti i TMK-se Sylejman Selimi.
“Jam i bindur se TMK-ja do ta ketë rolin udhëheqës në Forcat Mbrojtëse të ardhshme të Kosovës", tha zoti Selimi.

Por, komandanti i KFOR-it Roland Kather, thotë se është ende heret të flitet për të ardhmen e TMK-së dhe secili duhet të presë vendimin përfundimtar për statusin.

“Kam folur me liderët rreth kësaj çështjeje, por kjo varet nga e ardhmja e statusit. Ne mund të kemi plane, mund të mendojmë rreth kësaj, por duhet pritur vendimi dhe gjithçka para kësaj do të ishte spekulim. Ka shumë për t'u bërë në përgatitjen për të ardhmen”, tha komandanti i KFOR-it Roland Kather.

Sektori për Rishikimin e Sigurisë së Brendshme në Kosovë ka përpiluar një raport, në të cilin rekomandon, që pas përcaktimit të statusit, Kosova të ketë një forcë të vogël mbrojtëse prej rreth 2500 trupave. Ata patën rekomanduar që kjo forcë të jetë e re, por jo një transformim i TMK-së.

Komandanti i TMK-së, Selimi thotë se TMK-ja do të jetë pjesë e kësaj force. Ndërkaq, ai i KFOR-it, Roland Kather thotë se nuk mund të flitet për formën dhe numrin e pjesëtarëve të Forcës së ardhshme Mbrojtëse, pa ditur se cili do të jetë statusi i Kosovës.
XS
SM
MD
LG