Ndërlidhjet

NË SHKUP U PËRURUA PËRMENDORJA E SKËNDERBEUT


Zerijeta Hajro Jahjaga, Shkup

Me rastin e Ditës së Flamurit në Shkup u përurua përmendorja e Skënderbeut, statujë kjo, që u vendos në qendër të qytetit. Iniciativa për vendosjen e bustit të Skënderbeut, u ndërmorr nga komuna e Qairit, një njësi që e përbën kryeqytetin e Shkupit dhe që është me shumicë shqiptare. Kryetari i Komunës, Izet Mexhiti, me këtë rast ka theksuar:

"Me prurjen e Skënderbeut në Shkup, ne donim që edhe kryeqendra e kryeqytetit tonë të përbashkët t'i ngjajë një lulishteje, ku çdo njeri njëlloj do të kujdeset sa për kopshtin e vet historik, kulturor, religjoz dhe tradicional, po aq dhe për atë të etniteteve të tjera, që jetojnë në këtë shtet".

Në momentin e vendosjes së shtatores së Skënderbeut, vepër e skulptorit nga Tirana, Thoma Thomai, kanë marrë pjesë përfaqësues nga të gjitha subjektet politike shqiptare, përfaqësues shqiptarë, si dhe personalitete të politikës dhe kulturës nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia. Me këtë rast kanë marrë pjesë edhe ambasadorët e vendeve të Bashkimit Evropian.

Historiani Ramiz Abdyli, ka theksuar se Skënderbeu është figurë historike me vizion evropian.
"Bëmat e Skënderbeut kanë mahnitur strategë të artit ushtarak, burrë shtetas, historianë, letrarë edhe krijues të tjerë, të cilët e kanë vlerësuar lart luftën kreshnike të popullit shqiptar me Skënderbeun legjendar në krye", tha zoti Abdyli.

Kryetari i Parlamentit të Maqedonisë, Lubisha Georgievksi, me këtë rast ka theksuar se ardhja e Skënderbeut në Shkup do të thotë kthim i një historie që Maqedoninë do ta çojë përpara kah integrimi.
"Skënderbeu është trim shqiptar, por njëherit edhe legjendar ndërkombëtar me idetë e tij progresive, prandaj kryeqendra e Maqedonisë është krenare për vendosjen e shtatores së tij," tha kryeparlamentari Lubisha Georgievski.

Ndërkaq Ramiz Lladrovci, në emër të kryeministrit të Kosovës, Agim Çeku tha se sot nuk feston Shkupi dhe vetëm shqiptarët, por i tërë Ballkani.
"Shtatorja e Gjergj Kastriot Skënderbeut, të mos jetë vijë dallimesh në Shkup dhe kudo tjetër, por pikë bashkimi midis popujve të Ballkanit dhe Evropës, për të nderuar një të ardhme të ndritur dhe me perspektivë për të gjithë pa dallim. Ky ishte dhe synimi i Skënderbeut, ky do të jetë synimi i të gjithë neve", tha zoti Lladrovci.

Shqipëria sot gëzon me Shkupin, është shprehur kështu Ruzhdi Ramadani, këshilltar i presidentit të Shqipërisë Alfred Moisiu, duke theksuar më pas:

"Fryma e bashkëpunimit dhe qëndrimi pro evropian i Skënderbeut, qe një konstante e përhershme. Kjo frymë bashkëpunimi, sot është bërë një realitet. Bashkëpunimi dhe miqësia ndërmjet vendeve të Ballkanit dhe integrimi i tyre në strukturat evroatlantike, vjen nga periudha skënderbejane", tha zoti Ramadani.


XS
SM
MD
LG