Ndërlidhjet

SEJDIU: STATUSI NUK DO TË SHTYHET, ZGJIDHJA DO TË JETË PAVARËSIA


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Nuk mund të arrihet marrëveshje me Beogradin për statusin e Kosovës dhe Serbia nuk mund të bëhet përcaktuese e të ardhmes së Kosovës, tha sot presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu. Ai i bëri këto komente në aeroportin e Prishtinës me t’u kthyer nga një vizitë disaditëshe në Bruksel dhe Nju Jork, me ç’rast ka pasur takime me zyrtarë të Bashkimit Evropian, të Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Presidenti Sejdiu tha se kishte marrë mbështetjen për mosshtyrjen e mëtejshme të përcaktimit të statusit të Kosovës:

"Te shumica e tyre është një gatishmëri dhe mirëkuptim i plotë për çështjen e Kosovës, për përcaktimin e statusit të saj politik sa më shpejt sipas dinamikës që është përcaktuar. Insistimi ynë ka qenë këmbëngulës që të mos ketë asnjë shtyrje tjetër, sepse do të ishte në dëm të procesit të përgjithshëm dhe të komprometimit të procesit, gjë që Serbia dëshiron ta bëjë vazhdimisht", tha Sejdiu.

Prandaj, presidenti i Kosovës u shpreh i bindur se nuk do të ketë shtyrje të tjera të statusit, i cili do të ecë sipas dinamikës së përcaktuar së fundi. Ai tha se bashkësia ndërkombëtare dhe qendrat e vendimmarrjes kanë parasysh të gjitha zhvillimet dhe obstruksionet që mund të ndodhin nga ana e Serbisë, prandaj janë të përgatitur ta japin përgjigjen e tyre. Presidenti Sejdiu tha se zgjidhja do të jetë pavarësia:

"Unë do të them se vullneti i popullit të Kosovës është i pakalueshëm dhe është kategoria kryesore që duhet të respektohet, natyrisht me obligimet tona që do t’i marrim edhe ndaj pakicave", tha Sejdiu.

Zoti Sejdiu tha se kishte pasur takime edhe me ambasadorë të vendeve të ndryshme anëtare të Këshillit të Sigurimit, përfshirë edhe ambasadorin rus, Vitalij Çurkin:

"Rusia ka një pozicion që e ka shprehur tash e sa herë, një pozicion që duhet të arrihet një marrëveshje ndërmjet palëve. Ne e kemi bërë të qartë edhe në takimin që kisha me ambasadorin rus në Kombet e Bashkuara, zotin Çurkin, kur i thashë se me Beogradin nuk mund të arrihet marrëveshje me qasjet që kemi dhe natyrisht se Beogradi nuk mund të jetë përcaktuesi i të ardhmes së Kosovës, "tha presidenti Sejdiu, për të shtuar se e rëndësishmja është që Kosova të ketë marrëveshje me bashkësinë ndërkombëtare në këtë drejtim dhe që bashkësia ndërkombëtare ta ketë parasysh vullnetin e qytetarëve të Kosovës, që është kusht i rëndësishëm i stabilitetit rajonal.

Duke komentuar ndërkaq, vendimin e djeshëm të NATO-s për përfshirjen edhe të Serbisë në programin e Partneritetit për Paqe, presidenti Fatmir Sejdiu tha se NATO-ja bën lëvizjet e saj të arsyeshme dhe ka logjikën e saj të veprimit, duke qenë faktor i rëndësishëm i paqes dhe stabilitetit të përgjithshëm. Mirëpo, tha ai, dhe ne e kemi të arsyeshëm objektivin tonë që të ecim drejt integrimeve të ardhshme.





XS
SM
MD
LG