Ndërlidhjet

STATUSI I ZGJIDHUR FORCON ROLIN E KOSOVËS NË “CEFTA”


Albana Isufi

Pa status të zgjidhur Kosova nuk mund të jetë palë e barabartë në kuadër të CEFTA-s apo Marrëveshjes për Tregti të Lirë të Evropës Qendrore, vlerëson Zyra e Paktit të Stabilitetit në Kosovë. Kosova u bë pjesë e CEFTA-së me 19 dhjetor të këtij viti, duke krijuar kështu Marrëveshje të Tregtisë së Lirë me nëntë shtete tjera të Evropës Juglindore.
Koordinatori i Zyrës për Paktin e Stabilitetit Gazmend Qorraj thotë se zgjidhja e statusit do të forconte rolin e Kosovës në CEFTA.
“Me zgjidhjen e statusit ne do të jemi palë e barabartë edhe në aspektin e vizave, sepse ne kemi kërkuar që pos lëvizjes së lirë të mallrave të na mundësohet edhe lëvizja e lirë, prandaj tani kanë premtuar që në agjendën e Komisionit Evropian dhe institucioneve evropiane të hyjë edhe kërkesa e Kosovës për liberalizimin e lëvizjes së lirë të personave”, tha Qorraj.
Për shkak të mospërcaktimit të statusit, Kosova nuk ka bar-kod të vetin dhe rrjedhimisht prodhimet kosovare nuk mund të tregojnë prejardhjen në tregun e jashtëm. Vendet anëtare të CEFTA-s janë të obliguara që të tregojnë certifikatat e origjinës së mallrave gjatë shkëmbimit tregtar. Çfarë do të bëjë Kosova në këtë rast?
“CEFTA do të hyjë në fuqi pas majit të vitit 2007, dhe ne shpresojmë që të vendoset për statusin final, pastaj edhe të krijojë bar-kodin dhe aspektet tjera. Është e vërtetë që secili vend duhet t’i ketë certifikatat e origjinës apo t’i dërgojë te vendi tjetër, në mënyrë që të shihet se a është prodhuar në atë vend. Por, është menduar që Kosova të mos lihet mënjanë”, thotë Qorraj.
Koordinatori i Paktit të Stabilitetit per Kosovën thotë se ka qenë Komisioneri i BE-së për zgjerim Oli Rehn ai që ka insistuar që Kosova të jetë pjesë e CEFTA-së dhe u ka bërë thirrje vendeve të rajonit që të nënshkruajnë këtë marrëveshje, me qëllim që më vonë të mos ketë një kosto të madhe politike.
Në anën tjetër, pavarësisht ekonomisë së dobët kosovare, Gazmend Qorraj beson se Kosova ka potencial për të qenë konkurruese në këtë treg, bazuar në fuqinë e lirë punëtore dhe bazuar në praninë ndërkombëtare në Kosovë. Koordinatori i Paktit të Stabilitetit për Kosovën Gazmend Qorraj në konferencën për gazetarë të fundvitit i ka bërë thirrje diasporës kosovare që së bashku me afaristët ndërkombëtarë të investojnë në Kosovë.
XS
SM
MD
LG