Ndërlidhjet

Sawers: Moska e izoluar


Këshilli i Sigurimit i OKB-së
Këshilli i Sigurimit i OKB-së

Këshilli i Sigurimit u takua mbrëmë, pasi Kuvendi i Kosovës e shpalli pavarësinë. Këtë takim të jashtëzakonshëm e kishte kërkuar Rusia, për të kërkuar nga KS-ja që ta hedhë poshtë Deklaratën e Pavarësisë.


Ambasadori i Belgjikës në Kombet e Bashkuara, Johan Verbeke, pas takimit foli në emër të disa vendeve të Bashkimit Evropian. Ai tha se ishte për keqardhje që serbët dhe shqiptarët e Kosovës dështuan të gjejnë një zgjidhje me negociata. Por, ambasadori Verbeke tha se status-quo-ja ishte e paqëndrueshme.
"Ne shprehim keqardhje për dështimin për të siguruar zgjidhje me pajtimin e të dyja palëve. Por, statusi-quo-ja është bërë e paqëndrueshme. Prandaj, një proces i koordinuar dhe stabil me mbështetjen ndërkombëtare është më i mirë se zgjatja e jostabilitetit", tha Johan Verbeke.

Në deklarimet e tij, pas mbledhjes së mbrëmshme të Këshillit të Sigurimit, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Moon, kërkoi nga shqiptarët dhe serbët në Ballkan që të mos ndërmarrin aksione që mund ta shkatërrojnë paqen. Zoti Ban Ki-Moon po ashtu tha se misioni i Kombeve të Bashkuara do të mbetet në Kosovë për ta plotësuar mandatin e tij. Ai nuk tha se Prishtina po vepronte ilegalisht, por, po ashtu, nuk tha asgjë që do të mund të interpretohej si mbështetje për pavarësinë e Kosovës.

"I ftoj të gjitha palët që t'i riafirmojnë përkushtimet dhe të veprojnë sipas tyre dhe të përmbahen nga çfarëdo aksioni ose deklarate që mund ta rrezikojnë paqen, të nxisin dhunë apo ta shkatërrojnë sigurinë në Kosovë dhe në rajon", tha Ban Ki-moon.

Ambasadori i Rusisë në OKB, Vitalij Curkin, i përsëriti kundërshtimet e fuqishme të Moskës për pavarësinë e Kosovës. Ai tha se Moska dhe Beogardi po punonin së bashku për të arritur mbështetje për një rezolutë që do ta anulonte Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës.

"Pozicioni ynë është se kjo deklaratë duhet të mos përfillet nga komuniteti ndërkombëtar dhe duhet të anulohet nga shefi i UNMIK-ut atje. Pra, ky është pozicioni ynë. Ne përsërisim shqetësimin tonë për situatën e sigurisë në Kosovë dhe kemi tërhequr fuqishëm vërejtjen kundër çdo përpjekjeje për t'i detyruar serbët në Kosovë, që ndoshta do të dëshironin ta sfidojnë Deklaratën e njëanshme të pavarësisë, duke bërë diçka, që në të kundërtën, ata nuk do të dëshironin ta bënin", tha Vitalij Curkin.

Por, ambasadori britanik, John Sawers, tha se Moska e gjeti vetveten të izoluar lidhur me Kosovën.

"Asnjë shtet nuk e mbështeti propozimin e Rusisë që të anulohet deklarata. Çdokush e kupton se situata me të vërtetë ka lëvizur. Ka edhe të atillë që nuk e mirëpritën këtë, por pjesa më e madhe e kupton se Kombet e Bashkuara tash duhet t'i përshtaten asaj që duket se është situatë e re", tha John Sawers.

Zëvendësambasadori amerikan në Kombet e Bashkuara, Alehandro Wolf, u tha reporterëve se Shtetet e Bashkuara janë të "kënaqura" që plani i Martti Ahtisaarit po implementohet në Kosovë.
Në këtë kuadër, zoti Wolf tha:

"Jam i kënaqur të shoh se autoritetet e Kosovës e riafirmuan përkushtimin e tyre gjithëpërfshirës për planin e Ahtisaarit dhe në veçanti për mbrojtjen e pakicave etnike në Kosovë. Pikëpamja jonë është se deklarata është logjike, konsistente dhe në tërësi në linjë me Rezolutën 1244, që nuk përjashton asnjë akt të tillë. Ne do ta monitorojmë situatën dhe do të punojmë për së afërmi me kosovarët dhe serbët, në rrugën e tyre kah Evropa", tha Alehandro Wolf.

Këshilli i Sigurimit edhe sot në mbrëmje do të debatojë për Kosovën.







XS
SM
MD
LG