Ndërlidhjet

QEVERIA DO VAZHDOJË ZBATIMIN E STANDARDEVE ME APO PA PJESËMARRJEN E SERBËVE


Zijadin Gashi, Prishtinë

Qeveria e Kosovës do t’i vazhdojë përpjekjet për përfshirjen e të gjitha komuniteteve, pra edhe të atij serb në ekzekutivin vendor, por njëkohësisht do të vazhdojë me punën e vet të rregullt, nëse nuk ka vullnet të dyanshëm, thotë zëdhënësi i kryeministrit të Kosovës, Arben Qirezi. Në qeverinë e Kosovës, thekson ai, janë dy ministri të rezervuara për serbët dhe disa poste të tjera më të ulëta, kështu që mbetet te përfaqësuesit e këtij komuniteti që t’i shfrytëzojnë të drejtat e tyre. Zëdhënësi Qirezi tha se ka pasur një nismë të kryeministrit Ramush Haradinaj në drejtim të përfshirjes së tyre, mirëpo ajo ka mbetur e parealizuar:
“Ka pasur një iniciativë të kryeministrit në të cilën, përfaqësuesit politik serbë, të cilët kanë marrë pjesë në mbledhje, të inkuadrohen në ekzekutivin kosovar. Qëndrimi i këtyre përfaqësuesve serbë tashmë është i ditur botërisht dhe kryeministri së bashku me qeverinë, kanë vendosur të ecin përpara në zbatimin e programit dhe në zbatimin e standardeve, me apo pa pjesëmarrjen e serbëve”, tha Qirezi.
Në anën tjetër, përfaqësuesit e serbëve të Kosovës nga "Lista Serbe për Kosovën e Metohinë", vazhdojnë me parashtrimin e kushteve për pjesëmarrje në punën e parlamentit dhe qeverisë. Dragisha Kërstoviç nga kjo Listë, thotë se parakushtet mbeten të njëjta, e që janë siguria, liria e lëvizjes, decentralizimi dhe kthimi i serbëve të zhvendosur:
“Ne qëndrojmë në pozicionin tonë të njohur. Do të marrim pjesë nëse do të ketë zhvillime pozitive në kuptimin e përmirësimit të gjendjes së komunitetit serb në Kosovë”, tha Kërstoviç, duke shtuar se ky mbetet kushti themelor.
Ai thotë se është i vetëdijshëm se gjatë vitit 2005 do të hapet për diskutim dhe çështja e statusit të Kosovës, mirëpo kjo, sipas tij, nuk është arsyeja për mospjesëmarrje në institucione. Pozicionet aktuale të këtij subjekti politik, janë që përfaqësuesit serbë të mos marrin pjesë as në grupet për zbatimin e standardeve:
“Vështirë mund të pritet që serbët të marrin pjesë në grupet punuese, nëse nuk marrin pjesë në punimet e kuvendit e qeverisë, pasi këtu ka një lidhje tejet të ngushtë në mes njërit e tjetrit organ”, tha Kërstoviç.
Sidoqoftë, ai mendon se gradualisht mund të priten zhvillime pozitive që do të ndikonin në kthimin e tyre në jetën institucionale:
“Jam optimist dhe gjithmonë kam qenë dhe pres që disa zhvillime pozitive të ndodhin, në mënyrë që edhe ne të kyçemi në punën e institucioneve," pohoi Kërstoviç.
Dilemat rreth pjesëmarrjes së serbëve në institucionet vendore, priten të sqarohen në një masë dhe pas takimit të paralajmëruar ndërmjet shefit të UNMIK-ut Soren Jessen Petersen me kryeministrin e Serbisë, Vojisllav Koshtunica i paraparë për datën 17 janar.




XS
SM
MD
LG