Ndërlidhjet

PROGRAMI I QEVERISË AMBICJOZ, POR I DUHEN KOMPETENCA TË PLOTA


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Investimet e huaja dhe ndërtimi i shtetit ligjor bashkë me zgjidhjen e statusit të Kosovës janë zgjidhja që ekspertët e ekonomisë shohin, në mënyrë që Kosova të dalë nga kriza e thellë ekonomike. Sipas zyrtarëve të institutit Riinvest dhe hulumtimeve që janë bërë nga Banka Botërore, Kosova ka një numër prej 50 për qind të popullsisë aktive të papunë, pastaj 12 për qind e popullatës jeton në varfëri ekstreme me më pak se një dollar të ardhura për një ditë dhe më shumë se 40 për qind të popullatës jeton në kufijtë e varfërisë.
Ymer Havolli, ligjërues në Fakultetin Ekonomik dhe zyrtar i institutit Riinvest, thotë se rrugët për të dalë nga kjo gjendje duhen parë në disa aspekte:
"Problemi kryesor qëndron tek investimet e huaja, që aktualisht në Kosovë është tepër i ngadalshëm apo fare nuk kemi investime të huaja, për shkak se, siç është e njohur, vazhdimisht po mbahet pezull statusi i Kosovës. Faktori i dytë është faktori i funksionimit të shtetit ligjor dhe ndërtimi i infrastrukturës legjislative."
Në këtë mënyrë thotë zoti Havolli, Kosova do të mund të bëhej atraktive për investuesit e huaj. Mirëpo, sipas Mustafë Ibrahimit, nënkryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, statusi i Kosovës është çelësi kryesor për të dalë nga kjo situatë:
"Nën një duhej të ishte që Kosova të përcaktohet si entitet i veçantë ekonomik, nën dy Kosovës duhet t’i mundësohet qasja në institucionet financiare ndërkombëtare, nën tre komunitetit të biznesit duhet t’i ofrohet mundësi të zhvillohet me tepër, përmes krijimit të ambjentit më të kënaqshëm, në këtë rast me ndërrimet në politikat ekonomike e në veçanti me politikat fiskale, të cilat sot për sot nuk janë në funksion të zhvillimit apo mbështetjes së biznesit, por janë vetëm në funksion të mbushjes së buxhetit".
Eksperti i ekonomisë Ymer Havolli, thotë se për një shoqëri me shkallë të tillë të zhvillimit ekonomik siç është Kosova, bizneset e vogla dhe të mesme janë bartëse të zhvillimit ekonomik, ndërkohë që në Kosovë egzistojnë tashmë rreth 60 mijë biznese të regjistruara:
"Prioritetet kryesore duhet të orientohen, në radhë të parë në financimet e huaja direkte, duhet të orientohen në ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, të funksionalizojmë dhe t’i forcojmë këto ndërmarrje, pasi ato biznese e kanë marrë tashmë rrugën", tha zoti Havolli, sipas të cilit përqendrimi në çështjen e edukimit do të përbënte një parakusht për zhvillim të mëtejshëm ekonomik. Ai ndërkohë i ka lavdëruar hapat e fundit në fushën e ekonomisë të ndërmarra nga qeveria e re e Kosovës:
"Me zbatimin e strategjisë që aktualisht janë duke e synuar, mendoj se do të ketë të ardhura më të mëdha buxhetore, me mundësi të mëdha që këto të ardhura përsëri t’i kthehen ekonomisë në mënyrë të destinuar, për degë dhe veprimtari të veçanta".
Programin ekonomik të qeverisë e ka vlerësuar mjaft ambicjoz edhe përfaqësuesi i Odës Ekonomike, zoti Mustafë Ibrahimi, mirëpo sipas tij, institucionet e Kosovës duhet të pajisen me kompetenca të plota:
"Mendoj se institucionet e Kosovës në mënyrën më të shpejtë dhe më urgjente duhet t’i marrin kompetencat që u duhen dhe që janë të përcaktuara në lëminë e ekonomisë".
Sidoqoftë, ekspertët pajtohen që ndërtimi i shtetit funksional ligjor, që do të krijonte infrastrukturën e nevojshme, e cila garanton sigurinë për veprimtaritë afariste, do të ishte joshja më e mirë që mund t’u bëhet investuesve potencialë nga jashtë.



XS
SM
MD
LG