Ndërlidhjet

BERLIN


Gerhard Schroeder u tha bashkëvendasve të tij se antisemitizmi ende ekziston në Gjermani dhe se neonazistët vazhdojnë ta mohojnë holokaustin.
Kancelari gjerman i bëri këto komente në 60 vjetorin të çlirimit të kampit të përqëndrimit Aushvic, që bie të enjten.
"Të përkujtosh epokën naziste dhe krimet e saj është detyrë morale. Ne ia kemi këtë borxh jo vetëm viktimave, të mbijetuarve apo familjarëve të tyre, por edhe vetes tonë", tha Schroeder.
Në Paris, presidenti Jacques Chirac e udhëhoqi ceremonialin në përkujtim të 76 mijë viktimave hebreje, që nga Franca u dërguan në kampet naziste.
"Dua të ripërsëris fuqishëm se antisemitizmi nuk ka vend në Francë. Antisemitizmi nuk është opinion, është një perversion që vret. Është një urrejtje që arrin në thellësitë e së keqes, andaj nuk mund të lejohet apo tolerohet", tha Chirac.
Në Këshillin e Evropës në Strasbourg, flamujt u ulën në gjysëm shtizë, kurse ligjvënësit evropianë zbuluan një memorial pranë selisë së organizatës.
Ndërkaq në Rusi, komuniteti hebrej ka reaguar ashpër kundër thirrjeve të disa ligjvënësve rusë për ndalimin e organizatave hebreje, të cilat sipas tyre, kanë sjellje "ekstremiste".
Në letrën e grupit të 20 deputetëve, të cilëve u prin politikani kontraverz Vladimir Zhirinovsky, thuhet se "e gjithë bota demokratike sot është nën kontrollin finansiar dhe politik të hebrenjve".
XS
SM
MD
LG