Ndërlidhjet

GETOJA NË KRAKOV PO RINGJALLET


Jeffrey DONOVAN

Qendra e njohur për kulturën hebreje, getoja Kazimierz në qytetin polak Krakov, u shkatërrua gjatë Luftës së Dytë Botërore. Shumica e banorëve u vranë kurse ndërtesat u rrafshuan me tokë.
Më pas, gjatë komunizmit, vendi mbeti i paprekur dhe i shkretë, sa që ishte rrezik të shkoje aty natën.
Por në dekadën e fundit, fati i Kazimierz-it ndryshoi.
I emërtuar sipas një mbreti mesjetar që e themeloi, Kazimierz tani po rilind, si pjesë e ringjalljes së interesit për historinë dhe kulturën hebreje në Krakov.
A ka mbetur të paktën diçka nga hebrejtë në Krakov?
Kjo është pyetje e natyrshme që lind kur i viziton kampet e vdekjes Aushvic-Birkenau, në 60 vjetorin e çlirimit nga ushtarët sovjetikë.
Vlerësohet se nazistët gjermanë vranë mbi 6 milionë hebrej gjatë Holokaustit, gjysma e të cilëve ishin nga Polonia. Këtu përfshihen pothuaj të gjithë hebrejtë, nga 68.500 që para luftës jetonin në Krakov. Shumica jetonin në Kazimierz, geton historike të Krakovit, vendndodhjen e sinagogave më të rëndësishme dhe të varrezave hebreje.
I vendosur jo larg mureve të vjetra të Krakovit, Kazimierz është një labirint i rrugicave të ngushta të shtruara me gur kalldrëmi dhe me ndërtesa të ulta, që ende i mbajnë plagët e Luftës së Dytë Botërore.
Gjatë gjysëm shekullit të komunizmit, Kazimierz u la në harresë. Vizitorët nuk dilnin natën, kur lagjen e kaplonin errësira dhe rreziqet.
Magda Brudzinska është një muzikante lokale.
"Gjatë komunizmit, këtu në Kazimierz nuk kishte asgjë në këtë pjesë të qytetit. Ishte pak e ndaluar t'i rikujtoje hebrejtë. Thjesht, nuk lejohej", thotë Burdzinska.
Por dalëngadalë, gjërat filluan të përmirësohen në Kazimierz, falë filmit të regjisorit Stephen Speilberg "Lista e Schindlerit", që u xhirua në vitin 1993.
Filmi rrëfen tregimin e vërtetë për Oskar Schindler, një gjerman nga Sudetet në Çekosllovaki, i cili shpëtoi jetërat e 1.000 punëtorëve të tij hebrej, duke u shpikur atyre punë të paqena në fabrikën e vet në Krakov. Filmi u cilësua si kryevepër, fitoi shtatë Çmime të Akademisë dhe e rriti interesimin për Kazimierz, ku Spielberg e xhiroi pjesën më të madhe të epit tre orësh.
Rreth 13 vjet më vonë, Kazimierz dhe rruga e vet kryesore janë transformuar, thotë Tomasz Radzik, kamarier në restorantin hebrej me emrin Ariel.
"Para 13 vjetësh, kishte vetëm tre restorante në rrugën Szeroka dhe ato ishin restorante hebrejsh.
Tani ka 5 deri 7 restorante të hebrejve dhe rreth 50 pabe apo klube tjera", thotë Radzik.
Kjo është Burdzinska me grupin e saj, Kuarteti Klezmer Trio, që këtë javë luan në Ariel. Restoranti i mbushur me të huaj, është rregulluar me zbukurimet e Kazimierzit të vjetër dhe ofron ushqime tradicionale hebreje të Evropës Lindore.
Polakja e re Burdzinska nuk është hebreje. Por si artiste e edukuar në frymën klasike, ajo me grupin e saj kanë rënë në dashuri me Klezmer, muzikën e vjetër, e cila ka lindur nëpër kolonitë e hebrejve në Evropën Lindore.
Dashuria e saj për punën që bën është shumë e thellë. Në fakt, Burdzinskas i është shtuar interesimi për kulturën hebreje. Ajo filloi të studjojë Yiddish, dhe tani këndon në gjuhën e zhdukur të hebrejve të Evropës Lindore.
"Mahnitja ime me kulturën hebreje filloi me muzikën. Siç e dini, ne jemi muzikantë. Kjo është dashuria dhe puna jonë. Kur fillon të këndosh, këngët të hyjnë në zemër, dhe pastaj fillon të interesohesh edhe për kulturën", thotë Burdzinska.
XS
SM
MD
LG