Ndërlidhjet

BANORËT E PLEMETINIT KËRKOJNË LAGJE SHUMË-ETNIKE


Albana Isufi, kampi i Plemetinit

I ulur në mes të dhomës së ftohtë, në një nga kontejnerët e kampit Plemetin, Xhemajl Berisha, nga Magurja e Lipjanit, është i vendosur, që të mos e lëshojë kampin, pavarësisht planeve të qeverisë që të shpërbëjë kampin dhe banorëve t’ua sigurojë kthimin nëpër vendet e tyre.
“Shkurt me të thënë edhe para luftës kam hequr për punë të jetesës, unë nuk e kam ndërmend të kthehem aty. Unë jam i interesuar që të shkoj atje ku shkon populli im krejt, edhe unë jam për atë”, thotë Berisha, i cili së bashku me 9 anëtarë të tjerë të familjes, jeton në dy dhomat e pamobiluara dhe pa kushtet elementare për jetesë.
Berisha nuk është i vetmi, që nuk dëshiron të kthehet aty ku ka jetuar para luftës.
Xhemile Berisha, ka jetuar në Nakarad të Fushë Kosovës dhe nuk dëshiron më të kthehet atje. Megjithatë, ajo e dëshiron largimin nga kampi.
“Që 6 vjet jam këtu. Po unë në Nakarad nuk kthehem se askush nuk është më atje. Por duhet të na kthejnë se këtu nuk munden të na lenë”, thotë Xhemilja e moshuar, e cila ecën në oborrin e kampit të mbuluar me borë, pranë kontejnerit, që prej 6 vjetësh po i shërben si shtëpi banimi.
I zhvendosuri tjetër i këtij kampi, Hysni Shaqiri, nuk u beson planeve për shpërbërjen e kampit:
“Po të ishin të interesuar nuk ka kishin lënë këtu qe prej 6 vitesh, duke na u sëmurur fëmijët, duke na vdekur dhe duke hequr pleqtë e të gjithë”, shprehet Shaqiri, që pas pak minutave, duke rënë ndesh me fjalët e tij, thotë se megjithatë beson në përpjekjet e qeverisë Haradinaj.
Përfaqësuesi i kampit Plemetin Bajrush Berisha, hedh poshtë pohimet e djeshme të zëvendëskryeministrit Adem Salihaj, se Mitrovica dhe Rahoveci kanë tërhequr familjet e tyre nga kampi.
“2 familje, vetëm dy familje, nga Rahoveci vetëm një person dhe një familje nga Mitrovica me 6 anëtarë. Unë e përshëndes punën dhe angazhimin, por le të flitet gjithmonë e vërteta,” thotë Berisha, duke shtuar se qeveria dhe kushdo që merret me fatin e kampit Plemetin, duhet ta marrë parasysh vullnetin e vetë banorëve.
“Këta banorë që jetojnë këtu rreth 70- 80 për qind nuk kanë pasur para dhe pas luftës pronë të vetën dhe kanë jetuar me qira. Kërkesa jonë, një lloj rekomandimi që ia kemi paraqitur dy zëvendësministrave, është që nëse është e mundur të krijohet një lagje multietnike, që kjo pronë, e cila është e komunës së Obiliqit, të na jepet dhe të formohet një lagje e re multietnike”.
Banorët e Plemetinit nuk duan që për ta të ndërtohet një qendër kolektive dhe e konsiderojnë këtë ide si përpjekje për enklavizim.
“Po shohin që sa më shpejt të na ndërtojnë një lagje të re për të shkuar sa më shpejt, për të ngrënë e pirë e jetuar si krejt bota," thotë i riu Xhemajl Bunjaku, që bashkë me disa moshatarë të tij, bisedonin para shkollës së adaptuar të kampit, në të cilën fëmijët ashkalinj, romë e egjiptas vijojnë mësimin në gjuhën shqipe.
Qeveria e Kosovës ka vënë qershorin si afat kur do të bëhet zhvendosja e banorëve dhe mbyllja e kampit të Plemetinit. Megjithatë, zyrtarët e qeverisë kanë premtuar se kampi nuk do të mbyllet pa u zgjidhur problemi i strehimit të 464 banorëve. Përvec, ashkalinjve, romëve e egjiptasve, edhe 6 familje serbe të Kroacisë jetojnë në kampin e cilësuar shumë shpesh si njolla e zezë e Kosovës.

XS
SM
MD
LG