Ndërlidhjet

VETË-FLIJIMI I FEMRAVE NË HERAT, VAZHDON ME RITËM ALARMANT


Ron Synovitz

Vetë – flijimi i femrave në krahinën e Heratit në Afganistan vazhdon të alarmojë zyrtarët dhe punonjësit humanitarë edhe një vit, pasi një delegacion nga Kabuli bëri hetime për këtë dukuri. Shumë femra nga Herati, vendosin të djegin veten, për shkak të keqtrajtimeve nga bashkëshortët. Sipas mjekëve, në spitalin e Heratit, gjatë një viti janë shtruar rreth 180 femra me plagë nga djegiet, 60 prej të cilave kanë vdekur. Numri i saktë i rasteve të vetëvrasjeve të tilla mund të jetë më i madh, pasi është bërë vetëm regjistrimi i atyre të cilat janë shtruar në spital.
15 vjeçarja Fazela është e shtrirë në njësinë për përkujdesje intensive në spitalin, Abdullah Ansari, në Herat. Në gjithë trupin e saj ka shenja të djegies. Ashtu si shumë gra në Herat, ajo thotë se ka menduar që vetëvrasja është e vetmja rrugë shpëtimi për keqtrajtimet fizike dhe emocionale të shkaktuara nga burri, me të cilin e kanë detyruar që të martohet.
"Quhem Fazela. Ditën kur e kam djegur veten, burri, që njëkohësisht është kushëriri im, më ka rrahur. Pas kësaj unë e kam lyer veten me vajguri dhe jam ndezur. Tani pendohem pse kam vepruar kështu" thotë Fazele. Ajo është mjekuar nga doktor Abdullah Ardalan. Ai i tha Radios Evropa e Lirë, se ka vëzhguar nga afër raste të dyshuara të vetëflijimit të femrave në Herat, që para një viti kur qeveria kishte dërguar atje një ekip për të hetuar prirjen alarmuese.
"Që nga fillimi i vitit solar afgan, më 22 mars 2004, kemi regjistruar 234 raste të djegieve të femrave, 84 prej të cilave kanë vdekur nga plagët. Besoj se më shumë se 60 prej viktimave kanë vrarë veten" tha Ardalan.
Një anëtar i Komisonit të Pavarur për të Drejtat e Njeriut në Afganistan, i tha Evropës së Lirë, se beson që 184 nga viktimat e Heratit, janë femra që dyshohet se i kanë vënë zjarrin vetes. Paluahsa Kakar drejton njësinë e komisionit për femra në Herat:
"Ky komision nuk ka fuqi egzekutive, por ka mënyra për të ndihmuar zgjidhjen e këtij problemi. Kemi kontakte me qeverinë dhe kur kemi të dhëna për raste të tilla, menjëherë e njoftojmë. Gjithashtu, mundohemi të tërheqim vëmendjen e organeve gjyqësore" sqaron Kakar, sipas së cilës ky komision po ashtu provon të ndihmojë femrat që të luftojnë për të drejtat e tyre, të cilat, siç thotë ajo, janë të garantuara me ligjet islamike.
Por, Mohamed Azam, zëvendës kryetar në Gjykatën e Heratit, thotë se institucionet afgane kanë informacione të pakta për të drejtat e femrave. Sipas tij, femrat gëzojnë të drejtën për divorc, në rastet kur arrijnë të provojnë se bashkëshortët i kanë keqtrajtuar.
"Ka raste kur edhe të afërmit, apo miqtë e bashkëshortit ndikojnë në krijimin e raportit të keq martesor. Të afërmit mund ta kenë detyruar femrën që të martohet me një burrë të caktuar" thotë ai.
Në spitalin e Heratit, ndërkaq ka edhe adoleshente të keqtrajtuara nga vjehrrat.
Studjuesja nga organizata Human Rights Watch, Zajma Kursen Nef, thotë se pa marrë parasysh nëse rastet e djegies janë tendencë për vetëvrasje apo vrasje, të dyja paraqesin mungesë të zgjidhjeve për femrat në Herat. Sipas saj, këto raste manifestojnë edhe dështimin e qeverisë krahinore për të ofruar ndihmë për femrat e keqtrajtuara dhe të martuara pa dëshirën e tyre.
XS
SM
MD
LG