Ndërlidhjet

IVANOVIQ: MOSPJESËMARRJA NË INSTITUCIONE DOBËSON POZICIONIN E SERBËVE TË KOSOVËS


Zijadin Gashi, Prishtinë

Subjektet politike përfaqësuese të serbëve të Kosovës duhet të gjejnë zgjidhje për përfaqësim dhe parashtrim të pikëpamjeve të tyre, pasi qëndrimi jashtë institucioneve ndikon që vendimet në të merren pa i dëgjuar edhe serbët, ka pohuar sot, kryesuesi i Listës Serbe për Kosovën e Metohinë, Oliver Ivanoviq. Ai ka paralajmëruar për javën e ardhshme një takim të një organizimi politik, që veten e quan Këshilli Kombëtar për Kosovën, ku sipas tij mund të merret ndonjë vendim, por vetëm nëse për këtë është dakord edhe Beogradi.
“Objektivisht, koha nuk na shkon për shtat, kurse shumë gjëra po zhvillohen edhe pa ne. Mendoj se ne do të vihemi në pozitë që të gjejmë një zgjidhje apo përgjigje për atë që mund të pasojë”, thotë Ivanoviq. Sipas tij, për pak muaj do të fillojnë dhe bisedimet për statusin e Kosovës, kështu që serbët duhet të jenë të bashkuar në qëndrimet e tyre. Ndërkaq nisur nga fakti se më 10 mars, Kuvendi i Kosovës do të debatoj në lidhje me decentralizimin, Ivanoviq thotë se kjo është një çështje jetike për serbët, por se sipas tij, për këtë process aktualisht nuk ka një pajtim as te partitë politike shqiptare. Lista Serbe ka tetë deputetë, por sipas Ivanoviqit, ata as në këtë seancë nuk do të marrin pjesë por do të shohin se si do të rrjedhë puna atë ditë, duke i ditur kundërshtimet e mëdha në lidhje me decentralizimin ndërmjet pozitës dhe opozitës. Por sidoqoftë, Ivanoviq thotë se serbët e Kosovës janë duke humbur shumë nga bojkoti që po u bëjnë institucioneve vendore. Reflektimi negativ i mospjesëmarrjes së tyre, sipas tij, vërehet edhe në tekstin e dokumentit të qeverisë për decentralizimin:

“Po të merrnim pjesë, me siguri që edhe dokumenti do të ishte më i mirë. Në parim, mendoj se mospjesmarrja në institucione e dobëson pozicionin tonë," thotë Ivanoviq. Mirëpo pavarësisht dëmeve që u shkakton serbëve bojkoti, Ivanoviq vlerëson se kthimi i tyre në institucione nuk do të ndodhë, përderisa të mos pajtohet për këtë hap edhe Beogradi zyrtar. Në anën tjetër, subjekti i dytë përfaqësues i pakicës serbe, Iniciativa Qytetare Serbia, merr pjesë në institucione. Ajo përfaqësohet me dy deputetë në Kuvend si dhe drejton Ministrinë për Kthim e Komunitete në Qeverinë e Kosovës.



XS
SM
MD
LG