Ndërlidhjet

KUPCHAN:"KOSOVA PO ECËN DREJT PAVARËSIMIT"


Charles A. KUPCHAN, ligjerues në Universitetin Georgetown /SHBA/


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Kupchan, si do ta komentonit gjendjen aktuale në Kosovë pas dorëheqjes së kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj dhe dorëzimit të tij në Tribunalin e Hagës.
A mendoni se kjo do të ndikojë në zhvillimet e ardhshme në Kosovë?

CHARLES A. KUPCHAN
Mendoj se në përgjithësi ky është një zhvillim pozitiv, në kuptimin që në kuadër të procesit të përgjithshëm të punës së Tribunalit, kjo është e rëndësishme për të çuar përpara ndjenjën e pajtimit në mbarë rajonin. Nuk mendoj se kjo paraqet ndonjë ndryshim të madh për situatën në vetë Kosovën, ku gjendja politike ende është e padefinuar, ku ka një situatë të ndërlikuar politike, me vështirësi ekonomike, dhe ende pa shenja të qarta nga bashkësia ndërkombëtare nëse ajo po përgatitet për t'u angazhuar në bisedimet për statusin final, të planifikuara për këtë verë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Kupchan, ju e përmendët statusin e padefinuar. Ka kaluar një kohë e gjatë që kur politikëbërësit në Uashington ishin të preokupuar me problemet e Ballkanit. Por, siç thatë ju, ende një nga çështjet e pazgjidhura mbetet statusi i Kosovës.
A mendoni se është realiste në një të ardhme të afërt të pritet një riangazhim i Shteteve të Bashkuara në kuadër të rishikimit të punës së qeverisë së Kosovës nga ana e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara?

CHARLES A. KUPCHAN
Mendoj se për shkak të situatës në Irak dhe vazhdimit të luftës kundër Al-Kaidës dhe terrorizmit ekstremist, Ballkani do të vazhdojë të mbetet çështje periferike për politikëbërësit amerikanë. Mendoj se kjo është gabim, sepse rajoni ende nuk ka dalë nga gjendja e trazuar, dhe potencialisht mund të shohë më shumë dhunë në të ardhmen. Nga ana tjetër, Kombet e Bashkuara me gjasë do të angazhohen në çështjen gjatë muajve të verës, gjë që do t'i detyrojë Shtetet e Bashkuara t'i kushtojnë vemendje. Mendoj që ndonëse Iraku do të vazhdojë ta dominojë skenën në Uashington, administrata e Bushit do të jetë e detyruar t'i kthejë Kosovën dhe Ballkanin prapë në agjendën e tyre, ndoshta duke përfshirë emërtimin e ndonjë negociatori apo të dërguari special.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Kupchan, disa ish zyrtarë amerikanë kanë thënë se angazhimi i Shteteve të Bashkuara në Kosovë ende nuk ka përfunduar.
A mendoni se viti 2005 mund të jetë kthesë?

CHARLES A. KUPCHAN
Jo, nuk mendoj se mund të flitet që viti 2005 të jetë fundi i angazhimit amerikan në Kosovë apo Ballkan. Nuk ka dilema se Shtetet e Bashkuara në tërësi e kanë shmangur shikimin nga Evropa, si në kuptimin e politikës, ashtu edhe të resurseve. Disa nga asetet e kundërzbulimit dhe potencialit ushtarak, të cilat gjendeshin në rajonin e Ballkanit, tash janë dërguar në Lindjen e Mesme. Por nuk mendoj se dikush mund të jetë naiv të besojë se Shtetet e Bashkuara apo bashkësia ndërkombëtare do të tërhiqen nga kursi gjatë 2005-ës, sepse është tepër herët. Mendoj se prania ndërkombëtare në Kosovë dhe ndoshta edhe në Bosnje, do të mbetet edhe në vitet që vijnë.

RADIO EVROPA E LIRË
Në një artikull së fundi, Uashington Post ka sugjeruar se Shtetet e Bashkuara duhet të formulojnë një plan dhe afat kohor për pavarësinë e Kosovës, i cili do të bëhej me bashkërendim dhe konsenzus funksional të administratës së Bushit dhe të Bashkimit Evropian.
Çfarë është komenti juaj lidhur me këtë?

CHARLES A. KUPCHAN
Mendoj se pothuajse ekziston një konsenzus jashtë qeverisë së Shteteve të Bashkuara, apo të themi në mesin komunitetit të politikës së jashtme, se një lloj forme e pavarësisë, me siguri është e pashmangshme. Them kështu sepse ka 'tepër ujë nën urë', dhe nuk ka kurrfarë dëshire brenda bashkësisë shqiptare në Kosovë që të mbetet pjesë e Jugosllavisë apo e Serbisë, dhe në këtë kuptim, ne tashmë jemi dëshmitarë të pavarësisë de-fakto. Shtrohet pyetja si të arrihet pavarësia de-jure. Dhe, ndonëse qeveria serbe dhe njerëzit atje këtë e kundërshtojnë, mendoj se ne shkojmë në këtë drejtim. Sipas meje, do të ishte punë e mençur që bashkësia ndërkombëtare të fillojë ta artikullojë këtë cak përfundimtar dhe të gjejë mënyrën si të arrijë atje në mënyrë paqësore.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Kupchan, kreu i Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore z.Erhard Busek, ka thënë se Bashkimi Evropian nuk ka strategji të qartë për Kosovën, dhe se Shtetet e Bashkuara njëanshëm mund ta njohin Kosovën.
Si e shihni një opcion të tillë?

CHARLES A. KUPCHAN
Nuk mendoj se Bashkimi Evropian apo Shtetet e Bashkuara do të duhej të vepronin njëanshëm. Çështja është tepër delikate dhe rreziku është tejet i lartë. Unë shpresoj që në kuadër të Këshillit të Sigurimit të KB apo të Grupit të Kontaktit, përfaqësuesit nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian mund të arrijnë një plan për të ardhmen. Por, mendoj se ekziston një hendek ndërmjet realitetit dhe retorikës. Prandaj, duhet thënë se në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara, ekziston ndjenja se rezultati me siguri do të jetë një lloj i pavarësisë. Çështja që shtrohet është a jemi të gatshëm të përballemi me atë realitet, dhe të sjellim vendime të rënda e të vështira, të cilat do të na çonin atje? Kjo, sa më duket mua, është ajo që qëndron para diplomatëve amerikanë dhe evropianë këtë verë.

RADIO EVROPA E LIRË
Pra, a do të thotë kjo se politikat e Shteteteve të Bashkuara dhe të Bashkimit Evropian mund të konvergjojnë në rastin e Kosovës?

CHARLES A. KUPCHAN
Nuk mendoj se ka dallime të mëdha të mendimeve kur të shihet nën sipërfaqe. Mendoj se ka shkallë të ndryshme të gatishmërive për t'u përballur me çështjen, por nuk mendoj se nëqoftëse amerikanët dhe evropianët do të merreshin me të, do të dilnin me përfundime të ndryshme. Sipas meje, çështja është se si të arrihet atje, e jo se ku të shkohet.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Kupchan, çfarë mendoni për propozimin e Grupit Ndërkombëtar të Krizave për pavarësinë e kushtëzuar të Kosovës?

CHARLES A. KUPCHAN
Mendoj se diskutimet e GNK-së dhe të tjerëve, si ai komisioni i pavarur, i cili së fundi e shpalli raportin për një lloj statusi të përkohshëm të Kosovës nën kujdestarinë e bashkësisë ndërkombëtare, kanë mjaft kuptim, sepse kjo u jep shqiptarëve të Kosovës dhe të tjerëve në rajon vizionin për ardhmërinë. Kjo poashtu është blerje kohe dhe i zbaton mekanizmat për mbrojtjen e minoritetit serb, dhe siguron që struktura qeverisëse në Kosovë do ta respektojë sundimin e ligjit, do të luajë sipas rregullave të bashkësisë ndërkombëtare kur bëhet fjalë për të drejtat e njeriut dhe marrëdhëniet ndëretnike. Prandaj, mendoj se është me rëndësi të artikullohet një vizion, i cili do të përfshinte një shkallë apo formë të pavarësisë, por nuk mendoj se kjo do të duhej të merrte kahje të ngutshme.

RADIO EVROPA E LIRË
Po, si e shihni rolin e Beogradit në gjithë këtë?

CHARLES A. KUPCHAN
Mendoj se Beogradi është njëra arsye, për të cilën qeveritarët amerikanë dhe evropianë janë pëmbajtur nga ecja përpara drejt pavarsisë. Qeveria në Beograd mbetet mjaft e vendosur se Kosova duhet të mbetet pjesë e Serbisë, prandaj mendoj se me kalimin e kohës, duhet të bëhet një fushatë për përgatitjen e opinionit dhe të dialogut të ndershëm politik, për t'u sugjeruar serbëve se në një kohë, në një të ardhme jo të largët, Kosova me siguri do të ketë status të pavarur dhe më nuk do të jetë krahinë e Serbisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Pra, kjo është mënyra si e shihni të ardhmen e Kosovës?

CHARLES A. KUPCHAN
Po. Do të thosha se në teori unë jam ithtar i fortë i multietnicitetit, dhe mendoj se çdo gjë tjetër përveç se të jesh i barabartë, është më e mirë se sa ribërja e kufinjve apo ndarja. Por në rrethana të rralla, ndarja, secesioni dhe pavarësia kanë kuptim, dhe besoj se Kosova është futur në këto rrethana të rralla. Edhe për rajonin do të ishte më i mirë nëse Kosova, de fakto dhe de jure do ta kishte pavarësinë. Tash në Ballkan kemi ngecur. Luftërat kanë përfunduar, por ende nuk kemi arritur në pikën ku mund të parashohim një paqe të vetë-qëndrueshme rajonale. Mendoj se ka ardhur koha të përballemi me çështjet e vështira dhe të fillojmë t'i vëmë në vend strukturat, të cilat do të shpiejnë drejt një paqeje në rajon, pa praninë afatgjate të bashkësisë ndërkombëtare.

Intervistoi: Vullnet POSHKA

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG