Ndërlidhjet

DITË ZIE NË SHQIPËRI PËR PAPA GJON PALIN E II


Alma Çupi, Tiranë

Sot Shqipëria është në ditë zie kombëtare për vdekjen e Papa Gjon Palit të II, Atit të Shenjtë që do të mbetet në histori dhe si Papa që rrëzoi komunizmin. Flamuj në gjysëm shtizë, janë ngritur pranë të gjitha institucioneve, ndërsa media i ka kushtuar Papa Vojtilës emisione të plota për aktivitetin e tij. Në shtypin e sotëm faqe të tëra gazetash i janë kushtuar Atit të Shenjtë, në nderim të punës së tij për një botë të paqme. Papa Gjon Pali i II bekoi Shqipërinë nga Otranto më 1982 dhe u lut që Shqipëria të lirohej nga komunizmi. "Në Shqipëri nuk ka vdekur Zoti, sepse Zoti nuk mund të zhduket nga një dekret njerëzor". Kështu është shprehur Papa Gjon Pali i Dytë 23 vite më parë. Kjo deklaratë ngjalli reagimin e diktatorit Enver Hoxha, i cili i persekutoi të gjithë klerikët.
Kryearqipeshku Rrok Mirdita, në meshën e tij i lutet shpirtit të Atit të Shenjtë, që të lutet për Shqipërinë dhe hallet e saj.
" O At i Shenjtë që e kishe kaq shumë për zemër Shqipërinë, që e deshe aq shumë sa ishe këtu në tokë, të lutemi merri dhe hallet dhe problemet e saj dhe paraqitja Atij që zgjidh çdo problem, paraqiti në qiell dhe o At i Shenjtë lutju Zotit për vendin tonë".
Presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu, kryeministri Fatos Nano dhe dy ish presidentët Berisha dhe Mejdani, do të jenë të pranishëm ditën e premte në funeralin e Atit të Shenjtë. Vdekja e Papa Gjon Palit të II ka hidhëruar jo vetëm të krishterët, por edhe përfaqësuesit e besimeve të tjera fetare. Komuniteti mysliman dhe ai orthodoks kanë përcjellë mesazhe ngushëllimi në Vatikan.

XS
SM
MD
LG