Ndërlidhjet

SERBËT PARALAJMËROJNË MUNDËSINË E KTHIMIT NË KUVENDIN E KOSOVËS


Zijadin Gashi, Prishtinë

Përfaqësuesit e Listës Serbe për Kosovën e Metohinë, që përfaqëson subjektin më të madh politik të serbëve të Kosovës, gjatë takimeve të zhvilluara me kryetarin e Kuvendit, Nexhat Daci dhe kryeministrin Bajram Kosumi, u kanë parashtruar kërkesat e tyre për t’u kthyer në institucione. Këto kërkesa kanë të bëjnë ekskluzivisht me marrjen nën drejtim të Ministrisë për Kthim e Komunitete, të cilën e udhëheq subjekti tjetër serb, Partia Demokratike Serbe e Kosovës. Njëri nga zyrtarët e Listës Serbe, Goran Bogdanoviq, thotë se me kryeparlamentarin Daci deri diku vetëm se janë marrë vesh për përfaqësim në Kuvend, ndërkaq kryeministrit Kosumi i është paraqitur kërkesa për Ministrinë e Kthimit, duke e refuzuar Ministrinë e Bujqësisë që aktualisht i është lënë kësaj partie:
"Sa u përket bisedimeve me kryeministrin, ne kemi apostrofuar një temë e cila është mjaft e rëndësishme për popullin e Kosovës dhe për ata që janë përndjekur e kjo është Ministria për Kthim”, thotë Bogdanoviq. Ai megjithatë edhe kësaj radhe e ka ndërlidhur vendimin e Listës serbe me qëndrimet e Beogradit dhe përderisa të mos ketë një dritë të gjelbërt nga Beogradi, kjo parti serbe duket se nuk do të vendosë të hyjë në qeveri. Po ashtu, edhe kryeministri Kosumi, qysh dje ka bërë me dije se nuk do të bëjë një ri- kompozim të qeverisë së tij duke bërë rindarjen e ministrive, çka ka lënë të kuptohet se përfshirja e këtij subjekti politik në qeveri, mbetet ende në procesin e negociatave.
Mirëpo në anën tjetër Lista Serbe pritet që të përfshihet në punën e Kuvendit të Kosovës. Këshilltari i kryeparlamentarit Daci, Ramush Tahiri, thotë se gjërat kanë lëvizuar dhe se me përfaqësimin e tyre, serbët do të mund t’i mbrojnë më mirë dhe në formë institucionale të drejtat e tyre dhe komunitetit që përfaqësojnë:
“Në bisedën e djeshme është shprehur gadishmëria dhe vendimi që të marrin pjesë në të gjitha institucionet e Kosovës dhe kjo do të bëhet së shpejti. Gjithashtu do të na njoftojnë me shkrim edhe për emrat dhe kandidatët që do t’i kenë dhe në çfarë funksionesh, për anëtarin e kryesisë, për ministrin që është vend i rezervuar dhe për shefin e grupit parlamentar. Konsiderojmë se kjo është rrugë normale e veprimit institucional e parlamentar”, tha Tahiri.
Kuvendi i Kosovës do të mblidhet më 21 prill, kur do të shihet nëse edhe subjekti i dytë serb do të marrë pjesë në punimet e asaj dite. Ndërkaq lidhur me përfaqësimin në qeveri, mbetet që bisedimet e këtij subjekti politik me zyrën e kryeministrit Kosumi të vazhdojnë edhe në të ardhmen, apo si opsion tjetër përmendet që Partia Demokratike Serbe si gjest të vullnetit të mirë, t’ia lëshojë Listës Serbe Ministrinë e Kthimit dhe Komuniteteve dhe ta marr vetë nën drejtim atë të Bujqësisë.

XS
SM
MD
LG