Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

42,3 PËRQIND ËSHTË SHKALLA E PAPUNËSISË NË KOSOVË


Nadie Ahmeti, Prishtinë

Në Kosovë llogaritet se rreth 42,3 përqind e popullatës së përgjithshme është e papunë. Këto të dhëna kanë dalë nga një analizë e bërë nga Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale këtë vit, tha Ylber Shabani, drejtor i departamentit për punësim në këtë ministri. Ai tha se krahasuar me vitet e kaluara kjo përqindje është më e vogël, por prap se prap sipas tij, papunësia në Kosovë është shumë e lartë.
"Është shumë e lartë, është shumë alarmante, sepse sipas standardeve evropiane çdo gjë që kalon shkallën 12 përqind, konsiderohet e lartë. Kur themi se është 42,3 përqind është shumë alarmante", tha zoti Shabani.
Zoti Shabani thotë se shkaktarët kryesorë të papunësisë në Kosovë janë të shumtë.
"Statusi i papërcaktuar, mungesa e investimeve të jashtme, mosrealizmi i privatizimit, edukimi jo adekuat dhe periudha e tranzicionit. Duhet që të ngrihet vetëdija ndaj kësaj dukurie dhe të fokusohen të gjitha përpjekjet në zbutjen e papunësisë, përmes politikave aktive të punësimit. Problemi i papunësisë nuk është vetëm i Ministrisë për Punës dhe Mirëqenies Sociale, por i tërë i shoqërisë", tha zoti Shabani.
Ahmet Jetullahu, drejtor i Agjencionit Rajonal për Ndërmarrje, ka thënë se institucionet vendore dhe ndërkombëtare kanë dështuar në këtë drejtim dhe dështimi i tyre qëndron pikërisht tek mungesa e analizave të bazuara në gjendjen reale të tregut.
"Para se ato të ndërmarrin një buxhet për ta definuar, para se ato të bëjnë një marrëveshje apo një ligj, madje marrëveshje të tregtisë së lirë, duhet të angazhojnë ekipe ekspertësh shumë profesionalë për bërë studime analitike, që të mos gabojnë si kanë gabuar deri tani," tha zoti Jetullahu.
Zoti Jetullahu, thotë se administrata ndërkombëtare dhe institucionet vendore duhet të përgatisin një strategji të mirëfilltë zhvillimore dhe të kenë një bashkëpunim më reciprok në mes veti.
"Edhe institucionet vendore edhe ndërkombëtare duhet të binden se koha është për ndryshime dhe reformime, nëse ata binden se kanë bërë shumë pak nga ajo që është dashur të bëhet, atëherë ata duhet të ulen bashkë dhe të vendosin se ku kanë gabuar ose çka mund të përmirësohet."
Përballë papunësisë, e cila ka shënuar një rënie të vogël në përqindje, ajo që më së shumti duket se shqetëson autoritetet është rritja e varfërisë ekstreme nga 13 në 16 për qind.
XS
SM
MD
LG