Ndërlidhjet

LEGJENDA E ÇIKLIZMIT AMERIKAN ARMSTRONG TËRHIQET NGA GARAT


Më pak se një vit pasi hyri në historinë e sportit, çiklisti legjendar amerikan Lance Armstrong, ka shpallur se do të tërhiqet nga garat.
Armstrong, lufta e të cilit kundër kancerit i ka frymëzuar miliona njerëz në mbarë botën, tha të hënën se gara e sivjetme Tour de France do të jetë gara e tij e fundit profesionale në çiklizëm.
Armstrong thotë se më nuk do t'i hipë biçikletës së tij, kur gara Tour de France të përfundojë në sheshin Champs Elysees në muajin korrik.
"Tour de France do të jetë gara ime e fundit si çiklist profesionist. Në 24 korrik, do t'u jap fund 14 viteve të garimit. Kjo do të jetë hera e fundit, pavarësisht nëse fitoj apo humb", thotë Armstrong.
Gara tri javëshe Tour de France, e cila shihet si test i qëndrueshmërisë, është ngjarja më prestigjioze në çiklizëm. Korrikun e kaluar, Armstrong u bë çiklisti i parë që i fitoi 6 gara radhazi. Kështu, 33 vjeçari nga Teksasi la në hije legjendat evropiane të çiklizmit, si Eddie Merckx nga Belgjika, Miguel Indurain nga Spanja dhe Jacques Anquetil nga Franca, të gjithë këta fitues të 5 garave të njëpasnjëshme.
Por të hënën, duke u folur gazetarëve në shtetin federal Georgia, Armstrong u zotua se ai është përcaktuar të triumfojë edhe në garën e fundit, dhe rekordin ta zgjerojë në 7 fitore të njëpasnjëshme.
"Nuk dua ta humb numrin 7, por nuk desha t'i humb as numrat 1, 2, 3, 4, 5 apo 6. Është madhështore kur fiton, por është vështirë kur humb, kur i sheh në sy anëtarët e tjerë të ekipit, personelin, sponsorët, dhe përpiqesh të arsyetohesh përse nuk fitove, sidomos pasi ke fituar 6 vite me radhë", thotë Armstrong.
Përveç presionit që do të ketë në garën finale, Armstrong do të përballet edhe me presione ekonomike. Sponsori i tij i ri, kanali televiziv amerikan Discovery, investoi shumë në të me shpresë se ai do ta fitojë garën. Armstrong gjithashtu i ka edhe mijëra simpatizantë në Shtetet e Bashkuara dhe në mbarë botën, të cilët do të frymëzohen nga suksesi i tij.
Armstrong u diagnostifikua nga sëmundja e kancerit në vitin 1996, kur ishte 25 vjeç dhe premtonte shumë. Asokohe, pak njerëz mund të imagjinonin se ai do të bëhej çiklisti më i famshëm i gjeneratës së vet. Megjithatë, ai ia doli mbanë, edhe pse kanceri ia përfshiu abdomenin, mushkëritë dhe trurin. Mjekët i dhanë 50% të gjasave për të mbijetuar. Më pas pranuan se gjasat ishin edhe më të vogla, por nuk ia kishin thënë të vërtetën e plotë.
Gjatë një vizite në Pragë në korrik të vitit që kaluar, pak pas fitores në Tour de France, Armstrong i vizitoi fëmijët e sëmurë nga kanceri, si pjesë e fushatës së tij për luftimin e sëmundjes dhe inspirimin e viktimave të saj.
"E kam të vështirë të shkoj në spital sepse ende kam kujtime të freskëta për kohën që kam kaluar nëpër spitale, kështu që fare mirë kuptoj çfarë përjetojnë pacientët dhe familjet e tyre. Por si i mbijetuar nga kanceri, mendoj se detyra ime është që ta ndaj përjetimin tim dhe t'u jap pak shpresë pacientëve të rinj, familjarëve, mjekëve dhe infermiereve. Nuk duhet harruar se edhe mjekët duhet të rikujtohen se shpresa egziston", tha Armstrong.
Të hënën, Armstrong tha se një nga arsyet për t'u tërhequr janë edhe tre fëmijët e tij, me të cilët dëshiron të kalojë më shumë kohë.

XS
SM
MD
LG