Ndërlidhjet

SHËNOHET 19 VJETORI I KATASTROFËS BËRTHAMORE TË ÇERNOBILIT


Ukraina dhe Bjellorusia, shtetet më të prekura, përballen ende me pasojat e katastrofës atomike të Çernobilit. Megjithëse aksidenti më i rëndë civil bërthamor ndodhi në Ukrainë, numri më i madh i viktimave u regjistrua në vendin fqinj Bjellorusi. Era vdekjeprurëse bëri që rreth 70 për qind e radioaktivitetit të Çernobilit të shkonte në Bjellorusi, duke kontaminuar një të tretën e këtij territori. Një milionë e gjysëm njerëz, mes të cilëve 420 mijë fëmijë ndodheshin në zonën e prekur.
Valeri Karbaleviç analist politik nga Minsku deklaron se përvjetori i kësaj fatkeqësie po kthehet në rutinë. Sipas tij dihet që presidenti Aleksandër Lukashenko viziton zonat e prekura ndërkohë që anëtarët e opozitës shfrytëzojnë rastin për të kritikuar qeverinë.
"Sot opozita ftoi popullin përballë presidencës që të linin atje peticione me propozime dhe pyetje. Pas kësaj njerëzit u ftuan të mblidheshin në një zonë tjetër të kryeqytetit, ku do të zhvillohet ceremonia e përkujtimit të viktimave".
Përvjetori i Çernobilit ka marrë domethënie politike në Bjellorusi. Kjo, sepse fatkeqësia nisi të trajtohej në media, vetëm disa ditë pasi kishte ndodhur dhe u kthye kështu në një simbol të censurës së ish-Bashkimit Sovjetik. Analisti Karbaleviç më tutje thotë:
"Problemi nuk ka mbaruar. Ai mbetet. Të gjitha pasojat negative nuk janë zhdukur. Mund të themi që problemet po shtohen, por njerëzit janë duke i kushtuar më pak vëmendje. Gjithashtu edhe shteti po i lë pas dore", analizon Karbaleviç. Madje sipas tij, kohët e fundit qeveria ka hedhur idenë e ndërtimit të një uzine bërthamore, për të fituar më shumë pavarësi ndaj gazit që marrin nga Rusia. Ky propozim as që do të diskutohej pak vjet më parë.
Ogor Losev, profesor në akademinë e Kievit Mohyla, rrëfen se si kujtohet sot kjo ngjarje në Ukrainë.
"Është kthyer në biznes, ashtu si ndodh me listën e gjatë të ngjarjeve të shënuara. Konferenca, mitingje, takime për këtë përvjetor tragji. Çdo gjë është bërë e zakonshme tashmë. Në parim nuk ka asgjë të re", shpreh opinionin e tij Losev.
Por ai këmbëngul se megjithëse përkujtimet janë formale, problemi është real.
"Katastrofa i shqetëson të gjithë dhe pasojat do të ndihen për një kohë të gjatë. Akoma sot atje ka probleme. Qindra tonë me lëndë bërthamore gjenden atje dhe askush nuk di se ku t'i çojë. Dhe askush nuk mund të na thotë me siguri se çfarë po ndodh në stacionin e Çernobilit, ku ndodhet reaktori famëkeq, pikërisht ai që shpërtheu", thotë Losev. Ai më tutje ka kërkuar rehabilitimin e kësaj zone, duke shpjeguar se problemi nuk është vetëm shqetësim i Ukrainës, pasi në rast se ndodh diçka për herë të dytë, atëherë e gjithë zona do të infektohej. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë 5 milionë persona janë të rrezikuar në Ukrainë, Bjellorusi e Rusi. Por numri i saktë i viktimave të shkaktuara është vështirë të përcaktohet. Federata Ndërkombëtare e Kryqit të Kuq dhe Shoqata e Gjysëmhënës së Kuqe, deklaruan se programi për të zbuluar rastet e kancerit në zonën e kontaminuar, është në rrezik për shkak se mungojnë fondet. Ndërkohë këto raste janë në rritje. Sipas parashikimit të ekspertëve kanceri do të arrijë kulmin në vitet 2006 dhe 2020.


XS
SM
MD
LG