Ndërlidhjet

EKSPERTËT KËRKOJNË TRANSPARENCË TË SHPENZIMEVE TË BUXHETIT TË KONSOLIDUAR TË KOSOVËS


Albana Isufi, Prishtinë

Ekspertët e ekonomisë vlerësojnë se deri tani Buxheti i Konsoliduar i Kosovës nuk është menaxhuar në mënyrë të drejtë.
Profesori në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës Skender Berisha e ilustron këtë me faktin se brenda dy viteve fiskale, ka pasur tepricë të madhe buxhetore, por edhe mungesë buxhetore.
“Vetë fakti se kemi pasur periudha kur në këtë ekonomi shumë të varfër, në këtë shoqëri shumë të varfër të kemi tepricë buxhetore me qindra miliona dollarë, ajo është e pakuptueshme, në anën tjetër tash u planifikua buxheti për vitin 2005 dikund të hyrat 640 milionë dollarë, ndërsa të dalat 740 milionë. D.m.th. prej suficitit të madh tani po shkojmë në deficit të madh. Këto janë fakte se nuk mund të pajtohem me vlerësimin se menaxhohet mirë buxheti i Kosovës.”
Berisha thotë se është më se e nevojshme që i tërë opinioni të dijë se si shpenzohet buxheti, përkatësisht, që të gjitha institucionet të jenë transparente në shpenzimin e buxhetit.
“Atë transparencë unë nuk e kam parë, sepse nuk është debatuar për buxhet se ku shkojnë mjetet, si grumbullohen, ku dedikohen, në Kuvend të Kosovës nuk ka pasur debate të tilla, a duhet të debatohet lidhur me menaxhimin, shfrytëzimin dhe destinimin e buxhetit”.
Ndërkohë, derisa zyrtarët e Ministrisë s Ekonomsië dhe të Financave, nuk janë prononcuar lidhur me procedurat rreth menaxhimit të buxhetit, zëdhënësja e Shtyllës së katërt të UNMIK-ut Mechtilde Henneke, thotë se egzitojnë zyra të prokurimit që kontrollojnë shpenzimin e buxhetit.
“Të gjitha shpenzimet duhet të shkojnë përmes rregullave të prokurimit, që rregullohen me rregullore të ndryshme, pra egziston mekanizmi, që siguron se paratë po shpenzohen në mënyrë të rregullt dhe pastaj, njëherë në vit, shpenzimet e qeverisë rishikohen nga zyra e Revizorit”, tha Henneke.
Por, sipas ekonomistit Skënder Berisha, vetë mungesa e transparencës ngre çështjen e keqpërdorimit të buxhetit.
“Me vetë faktin që nuk është transparent menaxhimi i buxhetit, mund të ketë edhe keqpërdorime”.
Berisha thotë se duhet egzistojnë komisionet e veçanta, që hetojnë shpenzimin e buxhetit, po që edhe puna e këtyre komisioneve të jetë transparente.
“Ne e patëm, një komision financiar italian, por nuk dimë se deri në çfarë rezultate arriti ai komision. A gjeti ndonjë keqpërdorim a nuk gjeti, disa sende i konstatoi dhe u shukatën ato çështje”.
Për herë të parë buxheti për vitin 2005 është përcjellë me deficit buxhetor, ndërkohë që nga përfundimi i luftës, Buxheti i Konsoliduar i Kosovës kishte tepricë buxhetore.


XS
SM
MD
LG