Ndërlidhjet

QEVERIA E GATSHME TË FILLOJË ZBATIMIN E PILOT PROJEKTEVE TË DECENTRALIZIMIT


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Përderisa Grupi i Kontaktit ka kërkuar përparim konkret në fushë të decentralizimit dhe ambasadori Kai Eide ka thënë se kur të kthehet në fillim të korrikut do të dëshironte të shihte përparim në fushë të decentralizimit, zyrtarët e qeverisë së Kosovës thonë se janë të gatshëm për nisjen e pilot-projekteve, por vendimi u takon niveleve politikë. Ministri i Pushtetit Lokal në qeverinë e Kosovës, zoti Lutfi Haziri, tha se ai e kishte përfunduar dokumentin në bazë të rekomandimeve të grupeve parlamentare dhe të deputetëve, ku rekomandimi kryesor ka të bëjë me konsensusin që është arritur për të formuar komisionin ad-hoc që do ta ndihmojë procesin e decentralizimit:
"Dokumenti është përgatitur dhe do t’i dërgohet qeverisë për adoptim dhe kryesisë së Kuvendit që do të vendosë më vonë për procedim. Ne jemi të gatshëm për të filluar – grupet punuese kanë mbajtur të gjitha takimet njohëse me shumë punë, është bërë vlerësimi financiar i procesit dhe testimit dhe gjithçka është gati. Tani krejt varet nga niveli politik dhe vendimet që duhet të pritet të ndodhin në të ardhmen e afërt."
Ndërkaq, zëdhënësi i UNMIK-ut Remi Durlout, tha se ky proces është një nga sfidat e mëdha të UNMIK-ut dhe të Kosovës, dhe është e qartë se nuk ka pajtueshmëri të mjaftueshme të të gjitha palëve:
"Nga njëra anë duhen realizuar pilot-projektet, sepse janë të mira për të afruar pushtetin tek njerëzit, ndërsa nga ana tjetër nuk mund të implementojmë me forcë këto projekte, pasi mund të nxisim rritjen e panevojshme të tensioneve," tha Durlout, sipas të cilit këto pilot-projekte duhen realizuar në atë mënyrë që të jenë të qëndrueshme dhe kjo është arsyeja që implementimi i tyre po merr më shumë kohë sesa është menduar në fillim.
Sa i përket aspektit financiar, ministri Lutfi Haziri tha se qeveria i ka të rezervuara mjetet financiare për implementimin e fazës provuese të pesë njësive komunale, dy me shumicë shqiptare, dy me shumicë serbe dhe një me shumicë turke:
"Qeveria, pjesë e harxhimeve buxhetore që do të merren për ndërtimin e pesë njësive komunale, pjesën e vet e ka siguruar, ndërsa pjesa tjetër që u takon donatorëve pritet konfirmimi nga ata. Unë e kam mbajtur takimin informativ me donatorët, të cilët i kam njoftuar edhe për qëndrimin se qeveria i ka të rezervuara mjetet e veta".
Ndërkaq, zëdhënësi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Remi Durlout, tha se
disa donatorë kanë shfaqur interesim për të financuar disa aspekte të implementimit të pilot-projekteve dhe tashmë ka fonde nga Shtetet e Bashkuara, por edhe nga disa donatorë të tjerë.
Ambasadori Eide, pas një takimi që ka pasur dje me kryetarin e Kuvendit të Kosovës Nexhat Daci, tha se kur të kthehej në fillim të korrikut do të dëshironte të shihte përparim në shumë fusha, përfshirë edhe decentralizimin. Ministri Lutfi Haziri tha se mezi priste që t’ia ofronte zotit Eide gjithë informacionet me të cilat dëshmohet përparimi konkret i bërë në këtë fushë:
"Unë pres me padurim që t’ia ofroj të gjitha rezultat që i kemi arritur në këtë drejtim dhe meqë është ai që ka vendosur për këtë proces në bazë të rekomandimeve të vitit të kaluar, do të jetë më i përgatituri dhe më kompetenti për të vlerësuar se sa Kosova ka arritur ta zhvillojë procesin. Unë besoj se ka zhvillim pozitiv dhe këtë bindje mund t’ia ofroj edhe zotit Eide".
Edhe pse decentralizimi nuk është në mesin e tetë standardeve të përcaktuara nga bashkësia ndërkombëtare, përparimi në këtë fushë është konsideruar një nga çështjet prioritare nga mekanizmat ndërkombëtare.


XS
SM
MD
LG