Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

REN: NUK MUND TË LEJOJMË NJË DËSHTIM NË BALLKAN


Augustin Palokaj, Bruksel

Komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Oli Ren tërhoqi sot vërejtjen se do të ishte papërgjegjësi nëse BE-ja ndal procesin e stabilizimit të Ballkanit, në këtë kohë kritike kur duhet zgjidhr statusi i Kosovës.
Oli Ren e përsëriti këtë qëndrim në një ligjëratë që mbajti sot në qendrën për politikën evropiane në Bruksel, ligjëratë me titullin: "A është vazhdimi i zgjerimit të BE-së në rrezik". Ky titull kësaj ligjërate i është vënë pas dështimit të samitit në Bruksel dhe pas dështimit që të miratohet kushtetuta në Francë dhe në Hollandë. Oli Ren tha se pasojat më të mëdha nëse ndalet ky proces do të mund të ndiheshin në Ballkan. Ai tha se tani për vazhdimin e procesit të zgjerimit, duhet gjetur një barazpeshë në mes të frikës së qytetarëve evropianë dhe në mes të detyrimeve të natyrës historike për të stabilizuar tërë kontinentin e Evropës. Një pjesë të madhe të fjalimit të tij dhe të përgjigjeve në pyetjet e pjesëmarrësve në këtë ligjëratë, komisioneri Oli Ren ja kushtoi Ballkanit apo thirrjes ku padyshim mund të ndihen më shumë pasojat eventuale të procesit të zgjerimit nëse ai ndalet.
" Ne pas dështimeve në vitet 90' nuk mund t'i lejojmë vetes edhe një dështim në Ballkan. Nuk mund të bëjmë ndonjë pushim në procesin e stabilitetit të Ballkanit, ku perspektiva e anëtarësimit në BE, ende është motivi kryesor i reformave. Ai tha se për të gjitha vendet e Ballkanit, mënyra e vetme për të përparuar në rrugën drejt integrimit në BE, është që ato t'i kryejnë detyrat e tyre të shtëpisë. Oli Ren tha se edhe Kosova duhet të ketë një perspektivë evropiane, prandaj për të konkretizuar këtë perspektivë sipas tij, Kosovës i duhen dhënë dhe kompetencat për të nënshkruar marrëveshje. Ren gjithashtu theksoi se po vërehet që tani as në Beograd çështja e Kosovës nuk është tabu dhe se edhe atje po bëhen refleksione rreth Kosovës gjithashtu. Në slloganin e Beogradit rreth Kosovës, më shumë se autonomi dhe më pak se pavarësi, mund të përfshihet çfarëdo interpretimi. Por çfarëdo zgjidhje e Kosovës duhet të ketë parasysh perspektivën e qëndrueshme evropiane të saj", ka thënë komisioneri Ren.



XS
SM
MD
LG