Ndërlidhjet

MYSLIMANËT BRITANIKË NË DILEMË SE ÇFARË TË BËJNË


Jan Jun

Pas sulmeve të pasuksesshme terroriste në Londër, që ndodhën të enjten, myslimanët britanikë janë të shqetësuar sepse fajësohen nga popullata shumicë. Ata pohojnë se vrasja e njerëzve të pafajshëm nuk ka vend në Islamin e vërtetë, por thonë se nuk dinë çfarë të bëjnë.
Ata sugjerojnë se liderët e komunitetit dhe xhamitë duhet t'i përzënë ekstremistët, për të cilët thonë se nuk e dinë se kush janë.
Sulmet e së enjtes në Londër e kanë shtuar frikën e tjetërsimit në mesin e popullatës myslimane. Myslimanët e thjeshtë nuk u ngëshëlluan shumë as nga takimi i liderëve të tyre me kryeministrin Toni Blair. Shumica e tyre as që kanë dëgjuar për "fatwa"-n kundër terroristëve, që u lëshua nga rreth 500 dijetarë myslimanë.
Edhe liderët e myslimanëve britanikë thonë se ata vetë nuk mund ta luftojnë e terrorizmit. Imami Ibrahim Mogra është kryesues i Bashkësisë së Këshillave të Xhamive në Këshillin Mysliman të Britanisë.
"Ne duhet të sigurohemi se kush janë njerëzit që vijnë në xhami. Nëse vjen ndonjë i ri, duhet të kemi kujdes të mos predikojë urrejtje. Edhe njerëzit rreth xhamisë nuk duhet të përhapin urrejtje. Gjithashtu duhet t'i informojmë autoritetet, nëse dikush bën diçka që nuk përkon me bashkëjetesën paqësore", thotë Mogra.
Por çfarë mendojnë myslimanët e thjeshtë në Londër?
Jemina është një shtëpiake dhe ka dy vajza.
"Duhet të gjithë të bashkohemi sepse jetojmë në Britani dhe jemi britanikë. Liderët tanë duhet t'i mbledhin të rinjtë dhe t'u thonë se ajo që po bëjnë është gabim", thotë Jemina.
38 vjeçari Hasan është pronar i njërit nga restorantet e shumta myslimane në lagjen Whitechapel. Ai është tejet i mllefosur ndaj sulmuesve.
"Ne e dënojmë ashpër atë që ndodhi. Po të isha në vendin e policisë britanike, do t'i vrisja ditën e njëjtë. Po, ata mund të jenë myslimanë, por nuk janë myslimanë, dhe ne nuk u besojmë", thotë ai.
Rruga Tooting High është mjaft e njohur, dhe u përngjan rrugëve të Karachit. Në fakt, duket si një qytet i vogël i Pakistanit. Nasim, i cili punon në bankën e afërt, thekson se sulmuesit janë armiq të Islamit.
"Është qesharake të thuhet se ata janë myslimanë të vërtetë. Kur thoni selamalejkum, tjetrit i dëshironi paqe. Predikuesit nëpër xhamitë dhe krerët e komunitetit duhet të mblidhen bashkë dhe të thonë se kjo nuk bën", thotë Nasim.
Ndërkaq 30-vjeçari Muhammad jep shpjegim dhe zgjidhje globale.
"Është më shumë një kauzë politike, sepse në fund të fundit, arsyeja kryesore përse këta njerëz i terrorizojnë britanikët është për shkak të Luftës së parë të Gjirit, kur amerikanët zbarkuan në tokën saudite. Kjo është arsyeja për të gjitha", pohon Muhammad, duke konkluduar se sulmet terroriste nuk do të pushojnë, përderisa Amerika dhe Britania t'i përmbushin premtimet e tyre për t'i gjetur zgjidhje problemit palestinez.
Shabana, një shitëse, ka shumë ide se çfarë duhet të bëjnë myslimanët.
"Ata duhet të dalin në demonstrata, në programet radiotelevizive apo në gazeta dhe revista. Ata mund të shkruajnë për këto gjera dhe t'i gjykojnë të gjitha llojet e terrorizmit", thotë ajo, duke shtuar se një dënim i ashpër i terrorizmit nga vetë myslimanët "do t'i shëronte të rinjtë e indoktrinuar, të cilët janë çmendur".
XS
SM
MD
LG