Ndërlidhjet

PROBLEMI PAQERUAJTËS I NATO-S


“Wall Street Journal”

Operacionet paqeruajtëse të NATO-s, sikur ato në Kosovë dhe Afganistan, shpeshherë pengohen nga një problem i përbashkët i të gjitha forcave ndërkombëtare; këto forca nuk zbatojnë rregulla të njëjta të angazhimeve të tyre. Shumë prej kontigjenteve ndërkombëtare përballen me kufizime mbi natyrën e operacioneve që ato ndërmarrin. Vitin e kaluar për shembull, ushtarë të vendeve të ndryshme që veprojnë në Kosovë nuk kanë qenë të lejuar të angazhohen në kontrollimin e turmave. Në një kohë kur NATO-ja mëton që kufijtë e operacioneve të saj paqeruajtëse t’i zgjerojë edhe më shumë, strategët ushtarakë kanë tërhequr vërejtje se në këtë kuadër, një prej problemeve kryesore me të cilat përballet kjo aleancë janë kufizimet që vendet anëtare ua vënë ushtarëve të tyre. Një zyrtar i lartë ushtarak në Kosovë ka thënë se pas tarzirave të marsit të vitit të kaluar, shumë probleme në këtë drejtim tashmë janë zgjidhur, ndonëse disa çështje vazhdojnë të jenë të hapura. Disa vende kërkojnë një paralajmërim prej 12 orësh para se të merret vendimi për zbarkimin e forcave jashtë rajoneve të përcaktuara gjeografike, të tjerët nuk lejojnë fare shfrytëzimin e gazit lotsjellës ose topave të ujit gjatë operacioneve për kontrollimin e turmave. Rregullat për përdorimin e armëve ndërkaq ndryshojnë, varësisht se për cilin vend anëtar bëhet fjalë. Sekretari amerikan i shtetit, Donald Rumsfeld, ka thënë gjatë samitit të NATO-s në Francë se kjo çështje mund të ilustrohet me një ekip basketbolli, i cili stërvitet për gjashtë muaj me rradhë dhe kur vjen koha e ndeshjes, një ose dy lojtarë heqin dorë fare nga loja.
Gjatë trazirave të muajit mars në Kosovë, 18 mijë ushtarët e NATO-s që vijnë nga 40 vende të botës, nuk kanë arritur të ofrojnë një mbrojtje solide. Dhuna e vitit të kaluar nuk është përsëritur më, por situata e sigurisë vazhdon të jetë e tensionuar, ndërkohë që bisedimet për pavarësinë e mundshme nga Serbia pritet të fillojnë gjatë këtij viti. Si kundërpërgjigje ndaj trazirave të muajit mars, strategët ushtarakë kanë bërë përpjekje që të shfuqizojnë kufizimet gjeografike dhe kanë përcaktuar rajonet e ndjeshme, duke autorizuar ushtarët që mbrojnë këto rajone të shfrytëzojnë gjithë forcën e domosdoshme për të ndalur sulmuesit. Në këtë kuadër, komandanti i forcave amerikane në Kosovë, brigadier gjenerali William Wade, ka thënë: “Ajo çfarë ne jemi duke bërë tani në Kosovë mund të shërbejë si model për operacione të ndryshme të koalicionit”. Edhe Gjermania, pikërisht pas trazirave në Kosovë, ka hequr dorë nga doktrina e vjetër ushtarake. Deri vonë, rregullat kombëtare gjermane kanë parandaluar ushtrinë që të angazhohet në kontrollimin e turmave, një ndalesë kjo që ka dalë nga periudha e pas Luftës së Dytë Botrërore dhe që për qëllim ka pasur të kufizojë fuqinë e ushtrisë gjermane. Pas marsit të vitit 2004 në Kosovë, Gjermania ndryshoi rregullat dhe hoqi kufizimet në përdorimin e substancave kimike, siç është gazi lotsjellës.

XS
SM
MD
LG