Ndërlidhjet

CELIBASHI: KQZ-JA E PËRGATITUR PËR PËRSËRITJEN E ZGJEDHJEVE NË TRE ZONA"


Berisha kërkon nga Presidenti thirrjen e Kuvendit të ri

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka vendosur që më datë 21 të muajit gusht të përsëriten zgjedhjet ne tre zona zgjedhore, përkatësisht në ato me numër 2, 64 dhe 90-të.
Kryetari i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi thotë se nuk do të ketë ndryshime në fletët e votimit përveç elementeve të sigurisë, të cilat do të jenë të ndryshme nga fletët me të cilat u votua më tre korrik. Ndryshime, sipas Celibashit, mund të ketë tek anëtarët e komisioneve zonale zgjedhore, duke patur parasysh problemet që u shkaktuan prej tyre gjatë numërimit të votave në disa zona.
"Punën e komisionerëve KQZ-ja do ta shqyrtojë si çështje në ditët në vazhdim. Nëse do të gjejë parregullsi do të pezullojë punën e komisionerëve në fjalë apo do të marrë masa të tjera sipas ligjit", tha Celibashi.
Më tej kryetari i KQZ-së Celibashi, thotë se shpreson se ripërsëritja e zgjedhjeve do të shkojë pa probleme.
"Zgjedhjet do të jenë pa probleme, po kështu edhe proçesi i numërimit do të ecë pa probleme", shprehet kreu i KQZ-së për radion "Evropa e Lirë".
Në zonën 90-të të Gjirokastrës, ku do përsëriten zgjedhjet, dy kandidatët rivalë, Makbule Çeço e PS-së dhe Genc Ruli i PD-së, shprehen optimist për fitoren.
Kandidati i Partisë Demokratike Genc Ruli, thotë se ato faktorë që favorizuan në garë kundërshtaren e tij më tre korrik, nuk ekzistojnë më.
"Nuk mendoj që dega e doganave, tatimeve, arsimit, policia dhe gjithë strukturat e tjera që kanë qenë në shërbim të Partisë Socialiste në këtë fushatë të shkelin ligjin dhe të angazhohen sërish në fushatën zgjedhore. Ndaj fitorja jonë këtë rradhë do të jetë më e konfirmuar seç ishte më 3 korrik", thotë zoti Ruli.
Ndërsa kandidatja Çeço e Partisë Socialiste, shpreson se elektorati i majtë do të votojë i bashkuar për kandidaturën e saj.
"Pavarësisht nga mosmarrëveshjet në lidershipin e tyre ata votën do ta japin për të majtën", pohon zonja Çeço.
Partia Demokratike po kërkon me ngulm nga presidenti i Republikës që të përshpejtojë thirrjen e Kuvendit të ri. Këtë kërkesë udhëheqësi demokrat Berisha e mbështet tek fakti se KQZ-ja dhe kolegji zgjedhor me vendimet e tyre, kanë konfirmuar një shumicë të qartë në Kuvendin e ri të Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj. Disa juristë konstitucionalistë thonë se presidenti duhet të thërrasë Kuvendin e ri, pas përfundimit të plotë të zgjedhjeve dhe çertifikimit tç rezultatit përfundimtar nga KQZ-ja.

Alma Çupi
XS
SM
MD
LG