Ndërlidhjet

KONGRESI DO TË HETOJË ZHVILLIMET RRETH URAGANIT KATRINA


Robert Parsons

Ndërsa uji në Nju Orleans ka filluar të bjerë, zhiva politike në Uashington ka filluar të rritet. Armëpushimi i përkohshëm, që pasoi kaosin shokues pas uraganit Katrina ka përfunduar dhe presidenti Xhorxh Bush i është kthyer vijës së zjarrit- i akuzuar nga kritikët e tij për paaftësi, pandjeshmëri dhe vetëkënaqësi.
Senatorja Hillari Klinton ka hedhur rrebeshet e para:
"Kur presidenti Bush nënshkroi deklaratën e gjendjes së jashtëzakonshme më 27 gusht, përpara uraganit Katrina, qeveria federale tha se do drejtonte përpjekjet për të përballuar krizën. Por, është e qartë se diçka nuk funksionoi", tha Hillari Klinton.
Ajo ka përqeshur idenë e Bushit se ai vetë do të udhëheqë hetimet rreth uraganit:
"Nuk mendoj se qeveria mund të hetojë vetë. Për këtë arsye unë kam kërkuar një hetim të pavarur", tha Klinton.
Por kjo ishte e butë, në krahasim me sulmin e ashpër ndaj presidentit të lideres demokrate të Senatit Nensi Pelosi. Ajo po kërkon shkarkimin e menjëhershëm të Majkëll Braunit, personit që presidenti Bush e emëroi në krye të Agjencisë Federale për Menaxhimin e Emergjencave apo FEMA-s. Përvoja e tij e mëhershme ishte në organizimin e shfaqjeve të kuajve. Pelosi thotë se Bush duhet të pranojë përgjegjësinë:
"Bush është ai, gjykimet e të cilit ishin të rrezikshme. Ai zgjodhi Majkëll Braun të udhëheqë FEMA-n, i cili nuk kishte kredenciale për këtë punë. Dhe e dini se kur i kam thënë presidentit se duhet ta largojë Majkëll Braunin, më ka thënë "pse duhet ta bëj këtë". I kam thënë për shkak të të gjithave, që nuk funksionuan javën e kaluar. Ai më tha: "Çfarë nuk funksionoi?". I pavëmendshëm, refuzues, i rrezikshëm", tha Pelosi.
Por, demokratët nuk janë të vetmit që vënë në pikëpyetje përkushtimin e administratës për të gjetur të vërtetën e asaj që nuk funksionoi pas sulmit të Katrinës. Norman Ornstein është analist politik në Institutin Amerikan të Ndërmarrjeve, një grup konzervativ:
"Reagimi i administratës së Bushit në dështimet e së kaluarës ka qenë që të gradojë më lart ose të japë medalje për njerëzit, që nuk kanë punuar si duhet. Asgjë më tepër nuk urren kjo administratë sesa pranimin e gabimeve të saj. Kështu që do të ketë një prirje të fuqishme për të mos shkarkuar askënd, për të mos pranuar fajin dhe natyrisht tashmë kemi parë të jenë drejtuar gishtat drejt guvernatores së Luizianës Kethlin Blanko dhe prefektit të Nju Orleansit", tha Ornstein.
Derisa politikanët po i mprehin thikat e tyre, në Nju Orleans policia dhe ushtarët po shkojnë rrugë më rrugë, derë më derë që të fuqizojnë urdhrin e prefektit të qytetit për të përfunduar evakuimin. Mendohet se më pak se 10 mijë njerëz kanë mbetur në qytet. Dhe derisa frika fillestare për sëmundjet po zbehet, zyrtarët shëndetësorë thonë se niveli i bakterieve në ujë është 10 herë më i madh sesa është niveli i pranueshëm. Por rreziku për shkaktimin e kolerës dhe tifos është i vogël.
Nga dëmet sociale dhe ekonomike- vlerësohet se shkatërrimi i gjirit të bregdetit do t'i kushtojë rajonit me humbjen e 400 mijë vendeve të punës.
Ekspertët financiarë thonë se dëmet nga Katrina kanë kushtuar dhjetëra miliardë dollarë. Por, analisti Adam Kaluber, thotë se rimëkëmbja mund të jetë më e shpejtë se sa që mendohet:
"Industria është e gatshme që të marrë një pozicion për të absorbuar këtë stuhi pa e humbur torruan. Industria është mbushur me kapital pas disa viteve të rritjes së fuqishme të çmimeve", tha Kaluber.
Shtetet jugore si Luiziana, Misisipi dhe Alabama duhet të merren me dëmet e stuhisë që kapin vlerën prej 100 miliardë dollarësh. Bush i ka apeluar Kongresit që të japë 50 miliardë dollarë ndihmë emergjente, për ta rimëkëmbur rajonin.
XS
SM
MD
LG