Ndërlidhjet

ZYRTARËT E BE-SË DHE NATO-S U PRONONCUAN PËR KOSOVËN


Augustin Palokaj, Bruksel

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer, dhe përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Javier Solana, u kanë thënë sot gazetarëve në Bruksel se një raport pozitiv i ambasadorit norvegjez Kai Eide, për përmbushjen e standardeve në Kosovë, do të krijonte kushte për vazhdimin e procesit atje. Scheffer dhe Solana kanë folur sot para gazetarëve në selinë e NATO-s, pas një takimi të Këshillit të Përhershëm të Aleancës dhe të Komitetit për Siguri të BE-së. Shefi i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer, ka thënë se pret edhe takimin e Grupit të Kontaktit, për të parë se si do të vazhdohet procesi në Kosovë, por ka shtuar se KFOR-i vazhdon aktivitetet për të krijuar një ambjent të sigurtë në Kosovë, në të cilin akterët e tjerë mund të vazhdojnë punën. Sipas fjalëve të përfaqësuesit të lartë të BE-së Javier Solanës, ambasadori Eide pritet të raportojë më 19 shtator në Nju Jork, ku do të takohet edhe Grupi i Kontaktit për Kosovën, por ka shtuar se në këtë moment nuk dihet nëse ky raport i Eides do të jetë përfundimtar apo jo. Solana tha se raporti i ambasadorit Eide në Nju Jork para përfaqësuesve të Grupit të Kontaktit, do të jetë për të paraqitur gjendjen reale, se ku ka arritur procesi deri tani dhe ndoshta për përpilimin e raportit përfundimtar duhet pritur më shumë. Solana dhe Scheffer kanë refuzuar që të përgjigjen në mënyrë direkte lidhur me akuzat që dëgjohen në Kosovë për kryeminstrin Kosumi për korrupsion dhe për pjesëtarë të tjerë të qeverisë, por Solana ka thënë se presin raportin e ambasadorit Eide, duke pritur që ai raport të marrë parasysh të gjitha çështjet, përfshirë edhe sjelljen personale të liderëve të Kosovës. Solana ka thënë se prej këtij momenti e deri në verën e vitit që vjen, ka filluar një, siç e quajti ai, vit akademik i rëndësishëm ku presin që Kosova të jetë në rrugën e procesit të gjetjes së statusit. Prandaj ka porositur të gjithë liderët në rajon që të sillen me përgjegjësinë e duhur në këtë periudhë. Në konferencën për shtyp shefit të NATO-s Jaap de Hoop Scheffer, i është parashtruar edhe një pyetje për raportet se ushtria serbe është duke rritur praninë në zonën kufitare me Kosovën, por shefi i NATO-s ka thënë se nuk ka dëgjuar për këtë gjë.

XS
SM
MD
LG