Ndërlidhjet

DECENTRALIZIMI I PUSHTETIT VENDOR FILLOI TË ZBATOHET EDHE NË MAMUSHË


Albana Isufi, Prishtinë

E qenë deri tanni nën administrimin e komunës së Prizrenit, Mamusha që sot ka Kuvendin e saj të përkohshëm komunal, të krijuar në kuadër të procesit të decentralizimit, duke shënuar kështu rastin e tretë të zbatimit të pilot-njësive komunale, por rastin e parë të një kuvendi me shumicë turke.
Shefi i UNMIK-ut Soren Jessen Petersen, ka thënë se deri tani zhvillimit të demokracisë në Kosovë i ka munguar reforma e qeverisjes lokale. Sipas tij me zbatimin e tre pilot njësive të para komunale Kosova po i bën disa hapa përpara.
“Mamusha si vendbanim i dominuar nga turqit është i rëndësishëm edhe në kuptime të tjera; së pari reflekton kontributin e madh të bërë nga komuniteti turk për një kohë të gjatë për krijimin e nje shpirti multietnik në Kosovë. Së dyti po zbaton një nga parimet themelore të reformës së qeverisë lokale, e cila duhet t’u shërbejë nevojave të të gjitha komuniteteve, veçanërisht minoriteteve," tha Jessen Petersen.
Kryeministri Bajram Kosumi, ka quajtur pakicat si vlerën më të madhe të Kosovës së pasluftës, duke theksuar se është ndërtuar një shoqëri krejtësisht ndryshe nga ajo e para disa vjetëve:
“Ne kemi ofruar më shumë pushtet për qytetarët dhe komunat dhe më shumë autonomi për qytetarët e Kosovës, por jo edhe autonomi territoriale. Ne nuk ofrojmë ‘më shumë se autonomi dhe më pak se pavarësi’. Ne ofrojmë më shumë pavarësi të plotë të Kosovës për të gjithë qytetarët e saj dhe jemi duke e ndërtuar një Kosovë qytetëruese, evropiane e demokratike”, tha Kosumi.
Ministri i Pushtetit Lokal, Lutfi Haziri, të cilit edhe i ka rënë barra më e madhe për zbatimin e decentralizimit, ka kërkuar që serbët e Kosovës të ndjekin shembullin e Mamushës.
“Mesazhi i sotëm reflekton ftesën publike, që Graçanica dhe Parteshi ta përcjellin shembullin tuaj që ta ndërtojnë jetën në vendbanimet e tyre, për të marrë mbi vete udhëheqjen e interesave të komuniteteve”, tha Haziri.
Këshilltari i Kuvendit komunal të Përkohshëm të Mamushës, Ruzhdi Kryezi, thotë se Mamusha ka pritur për një kohë të gjatë zbatimin e këtij procesi.
“25 apo 30 vjet po punojmë për këtë ditë, pasi sot kjo ditë u realizua, ne jemi shumë krenarë’.
Shefi i Zyrës Turke në Prishtinë, Metin Këlliç, i tha Radios Evropa e Lirë se dëshiron që turqit të dëshmojnë se Mamusha do jetë një njësi komunale e suksesshme.
“Është shumë e rëndësishme për minoritetin turk, që iu bashkua këtij projekti, kur kihet parasysh se serbët nuk po e bëjnë këtë. Vërtet duam që të jetë ky një projekt i suksesshëm, pasi shumë nga turqit lokalë po emigrojnë në Turqi, kështu që ajo që e dëshirojmë është që ta ndërtojnë jetën e tyre këtu”, tha Këlliç.
Ende mbetet e paqartë se kur do të fillojë së zbatuari decentralizimi në dy pilot-njësitë komunale të banuara me serbë, në Graçanicë dhe Partesh, pasi deri tani vetë pala serbe nuk e ka pranuar planin për decentralizmit të qeverisë. Jessen Petersen i kërkoi sot qeverisë që t’i mbajë në krye të agjendës Graçanicën dhe Parteshin.
“Inkurajoj qeverinë që të vazhdojë bisedimet me minoritetin serb dhe reformën e qeverisë lokale ta konsiderojë si një proces të hapur me pjesëmarrjen e të gjithëve”, tha Petersen.
Kryeministri Kosumi ka thënë se në ditët e ardhshme qeveria do të diskutojë me serbët e Parteshit dhe të Graçanicës, për një zgjidhje të mundshme. Por, ai ka thënë se modalitetet do të arrihen pa cënuar planin e tashëm për decentralizim të qeverisë.
XS
SM
MD
LG