Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

LËVIZJA VETËVENDOSJE KËRKON QË STATUSI PËRFUNDIMTAR I KOSOVËS TË CAKTOHET ME REFERENDUM


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Dhjetëra qindra aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë protestuar sot kundër vendimit të djeshëm të Kuvendit të Kosovës për miratimin e grupit negociator të Kosovës për bisedat lidhur me statusin dhe përgjithësisht kundër negociatave me Serbinë për statusin. Aktivistët e kësaj lëvizjeje janë mbledhur para tre hyrjeve zyrtare të Kuvendit të Kosovës dhe kanë bërë vija me ngjyrë të kuqe para secilës nga hyrjet. Albin Kurti, udhëheqës i kësaj lëvizjeje, gjatë gjithë kohës ka lexuar në megafon arsyet e protestës së sotme, duke thënë se negociatat synim dhe përfundim e kanë kompromisin, i cili është mohim i aspiratave të popullit të Kosovës për liri, që rezultat përfundimtar do ta kenë mohimin e vullnetit të popullit:
"Jo negociata, sepse ato po planifikohen për Kosovën dhe jo edhe për Serbinë. Rezoluta 1244 do të jetë baza e negociatave, e siç dihet kjo rezolutë e ruan nominalisht sovranitetin e Serbisë mbi Kosovën dhe e nxit restaurimin faktik të tij".
Zoti Kurti tha më tej se negociatat po bëhen pa u realizuar drejtësia dhe për ta mbytur drejtësinë, në kohën kur Serbia ende nuk ka dhënë llogari dhe as që është dënuar për krimet e kryera në Kosovë.
"Jo negociata, sepse negociatat nuk planifikohen të bëhen për të kërkuar përgjegjësi dhe dëmshpërblim nga Serbia për 12 mijë të vrarë, 3 mijë të rrëmbyer, 20 mijë femra të dhunuara, 1 milionë të dëbuar dhe 120 mijë shtëpi të shkatërruara. Jo negociata, pasi ato përfundimisht do ta barazojnë krimin dhe gjenocidin".
Lideri i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka ftuar qytetarët që të mos e pranojnë qëndrimin e udhëheqësve politikë për negociata:
"Nëse katër-pesë udhëheqës janë të gatshëm të pranojnë zgjidhje të dëmshme, këtë gjë s’duhet ta lejojnë 2 milionë njerëz"
Shumë qytetarë janë solidarizuar me aktivistët e lëvizjes, të cilët kanë ftuar të gjithë që t’u përmbahen rregullave të protestës. Qytetarët, thanë se i mbështesin kërkesat e lëvizjes Vetëvendosje:
"Vetëm për vetëvendosje. Jemi kundër negociatave, s’ka tjetër rrugë, vetëm populli të vendosë me referendum",
"Janë të drejta, pasi nuk kemi nevojë të negociojmë me ta, kur e dimë se çka na kanë bërë, s’kemi nevojë të negociojmë me ta".
Sidoqoftë, vija e kuqe që kanë vënë protestuesit nuk ka penguar deputetët që të hyjnë në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës për ta vazhduar seancën e djeshme. Glauk Konjufca, një nga udhëheqësit e kësaj lëvizjeje në afërsi të njërës nga hyrjet ku ishte vënë vija e kuqe, shpjegoi synimet e protestës së sotme:
"Nëpërmjet këtij aksioni Lëvizja Vetëvendosje synon të tregojë se si gadishmëria e këtyre institucioneve jodemokratike dhe e këtyre njerëzve për ta negociuar lirinë, s’është asgjë tjetër, përveçse shkelje mbi gjakun e derdhur, mbi sakrificat e mëdha dhe mbi përpjekjet e vazhdueshme për çlirim të këtij populli. Ne jemi kundër negociatave, pasi ato patjetër do të çojnë në kompromis, e kompromisi nënkupton zgjidhje të padrejta për Kosovën".
Protesta e sotme ka përfunduar pak pas fillimit të mbledhjes së Kuvendit dhe ka kaluar pa asnjë incident. Lëvizja Vetëvendosje gjatë tre muajve të fundit nëpër të gjitha qytetet e Kosovës ka shkruar parullat "Jo negociata- vetëvendosje," për ç’ shkak policia ka arrestuar dhjetëra aktivistë.




XS
SM
MD
LG