Ndërlidhjet

LUTFI HAZIRI: DECENTRALIZIMI SIPAS PLANIT B TË QEVERISË


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Qeveria e Kosovës është e gatshme që edhe një herë diskutojë me të gjithë modalitetet për jetësimin e komunave provuese me shumicë serbe në Graçanicë dhe në Partesh, mirëpo nuk do të heqë dorë nga varianti B i planit të decentralizimit dhe nuk do të lejojë që Beogradi të zëvendësojë serbët e Kosovës në këtë proces. Kështu ka thënë sot për Evropën e Lirë, Ministri i Pushtetit Lokal në qeverinë e Kosovës, Lutfi Haziri, në fund të javës e cila ka shënuar formimin e tre komunave të reja provuese, dy me shumicë shqiptare dhe një me shumicë turke.
Ministri Haziri tha se deklarata e qeverisë së Serbisë në muajin e fundit ka bërë që përfaqësuesit politikë serbë të bojkotojnë procesin dhe të shkaktojnë vështirësi në përgatitjet për zbatimin e dy pilot-projekteve në Graçanicë dhe në Partesh, edhe pse banorët e këtyre vendbanimeve kanë qenë për formimin e komunave provuese:
"Megjithatë, gjatë javës së ardhshme do të takoj partitë politike pjesëmarrëse në parlament dhe përfaqësuesit serbë, për të diskutuar modalitetet e zbatimit të këtyre dy pilot-projekteve," tha Haziri, i bindur se do të ndeshet me sfida dhe ka premtuar se do të angazhohet për të gjetur modalitetet, edhe pse kjo është një ofertë dhe jo detyrim:
"Ne nuk do të detyrojmë zbatimin, nëse nuk është në interesin e tyre dhe kjo për herë të parë bëhet në Kosovë dhe nuk ka ndodhur asnjëherë në asnjë vend, që qeveria të ofrojë devolvimin e pushtetit dhe dhënien e të drejtave vendimmarrëse në autoritet shumë të gjerë dhe të refuzohen."
Në anën tjetër, përfaqësues të serbëve të Kosovës, nga Lista Serbe nuk kanë dhënë ndonjë shenjë gadishmërie për të miratuar jetësimin e këtyre komunave. Rangjel Nojkiq tha sot se ata do ta përkrahin formimin e dy pilot-komunave në mjediset serbe, vetëm nëse zbatohet decentralizimi në tërë territorin e Kosovës:
"Zoti Petersen ka nënshkruar për tre pilot-komunat dhe ne nuk kemi asgjë kundër që ato komuna të bëhen, ndërsa sa i përket Graçanicës dhe Parteshit, ato mbeten në pritje, deri sa nuk përmbushen kërkesat tona për të cilat jemi marrë vesh," tha Rangjel Nojkiq, sipas të cilit serbët janë në pritje të fillimit të procesit gjithëpërfshirës të decentralizimit:
"Ajo për çka jemi marrë vesh me zotin Petersen është që të kalohet në decentralizim gjithëpërfshirës. Prandaj, ne po e presim atë proces dhe aty do të përfshihemi," tha Nojkiq, sipas të cilit takimi i Vjenës ndërmjet ministrit Haziri dhe homologut të tij nga Serbia, Llonçar ka qenë pozitiv vetëm në kuptim të vazhdimit të kontakteve, ndërkohë që ministri Lutfi Haziri tha se takimi i Vjenës ka pasur për qëllim relaksimin e raporteve dhe dhënien e legjitimitetit përfaqësuesve politikë të serbëve të Kosovës, që të përfshihen në diskutimet për decentralizimin. Ministri Lutfi Haziri tha se janë dy parime mbi të cilat mund të bisedohet:
"Pjesëmarrës në proces janë vetëm serbët e Kosovës. Dokumenti i vetëm është dokumenti kornizë i miratuar nga qeveria e Kosovës, pas debatit në parlament dhe mbi këto dy parime të vëna ne mund të vazhdojmë të bisedojmë për të gjetur modalitete. Roli i Beogradit mund të jetë rol mbështetës për serbët e Kosovës. Ata kanë të drejtë legjitime të interesohen për komunitetin pakicë të serbëve në Kosovës dhe këtë legjitimitet nuk mund t’ua kontestojë askush, por nuk mund të jenë bartës të procesit dhe pjesëmarrës në emër të tyre".
Sidoqoftë, ndërkohë që dy komunat që janë paraparë të kenë shumicë serbe presin ende vendimet politike, tre komunat e reja, Hani i Elezit, Juniku dhe Mamusha, tashmë kanë konstituuar Kuvendet e tyre komunale, sipas vendimit administrativ të nënshkruar nga shefi i UNMIK-ut.





XS
SM
MD
LG