Ndërlidhjet

PAVARËSIA E KOSOVËS SHTYSË PËR STABILIZIMIN E RAJONIT


Alma Çupi, Tiranë

Pavarësia e Kosovës do të jetë një shtysë për të stabilizuar të gjithë rajonin. Të këtij mendimi janë analistë dhe komentatorë politikë të Shqipërisë dhe Kosovës, të cilët debatuan sot në Tiranë në lidhje me statusin e ardhshëm të Kosovës dhe procesin që i paraprin.
Profesor Muhamedin Kullashi, përfaqësues nga Kosova i Forumit 2015, tha në fjalën e tij se vonesa e statusit të Kosovës, ka ndikuar negativisht në zhvillimin ekonomik të saj. Profesor Kullashi, si zgjidhje të mundshme për statusin e ardhshëm, shikon realizimin e një referendumi duke iu referuar kështu edhe përvojave të ngjashme në republikat e ish Jugosllavisë.
"Si mundësi ose si element të themi për realizimin e zgjidhjes së statusit të Kosovës mund të bëhet një referendum, nën mbikqyrjen e Kombeve të Bashkuara, ku do të konsultohet vullneti politik i atyre që jetojnë në Kosovë. Në këtë mënyrë, të ripersëritet një referendum si ai i mbajtur në Kosovë në vitin 1991, edhe pse tani në rrethana të reja, dhe të merret parasysh ashtu sikurse referendumi në Maqedoni, apo vende të tjera, që u morën si bazë për pranimin e shteteve të reja që lindën në Ballkan."
Drejtori i Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim, Sotiraq Hroni, tha se Shqipëria nuk mund të qëndrojë e mënjanuar në çështjet e statusit, pasi problemi i Kosovës është një çështje, që nuk prek dy vende, por të gjithë rajonin.
"Çështja e Kosovës nuk mendoj se është një çështje vetëm midis Beogradit dhe Prishtinës, por është një çështje shumë rajonale që prek pak a shumë të gjitha raportet midis vëndeve dhe Shqipëria ka një rol për të luajtur, që çdo status i ardhshëm i Kosovës do të thotë stabilitet për të ardhmen e gjithë rajonit."
Analisti kosovar Shkëlzen Maliqi, tha se edhe në rast të një qëndrimi pasiv të Shqipërisë, Tirana zyrtare mund të bëjë shumë me rrjetin e konsoliduar të përfaqësive diplomatike që ka në botë dhe mund të ndikojë pozitivisht në sqarimin e politikave të Kosovës.
"Mund ta ndihmojë edhe platforma e vetë kosovarëve qeverinë e Shqipërisë që të punojë, ndoshta jo dhe aq haptazi, por në kanale diplomatike dhe të propagandojë e ta ndihmojë procesin, sepse ka mundësi, ka një rrjet të përfaqësive diplomatike, ku së paku mund të dërgojë disa mesazhe, ose të bëjë disa konsulta më delikate në ato qendra, ku rezistencat për zgjidhjen përfundimtare janë më të mëdha."
Në debatet e analistëve dhe politologëve, u shprehën rezerva për deklarimin e Ministrit të Jashtëm të Shqipërisë Besnik Mustafaj, për një pavarësi të kushtëzuar të Kosovës. Sipas analistëve të pranishëm në debatin e sotëm, komuniteti ndërkombëtar është i vonuar në çështjen e përcaktimit të statusit përfundimtar të Kosovës.

XS
SM
MD
LG