Ndërlidhjet

SINGH: E VETMJA POLICI LEGJITIME ËSHTË AJO E UNMIK-UT DHE E SHPK-SË, TË TJERAT TË PALIGJSHME


Albana Isufi, Prishtinë

Tre pjesëtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, të arrestuar në dy incidente të ndara në territorin e Kosovës, pasi janë zënë me një sasi të konsiderueshme armësh, janë duke u mbajtur në paraburgim prej 30 ditësh. Rastin është duke e shqyrtuar Gjykata e Qarkut në Prishtinë. Zëdhënësi i UNMIK-ut Neeraj Singh, ka thënë se vizita e dy xhandarëve dhe e një polici serb javën e kaluar në Kosovë nuk ka qenë rutinore, për këtë edhe janë arrestuar.
"E vetmja polici legjitime është ajo e UNMIK-ut dhe e Shërbimit Policor të Kosovës, dhe çdo individ apo organizatë që synon të veprojë si polici këtu, është e paligjshme", tha Neeraj Singh në takimin e mekanizmave ndërkombëtarë me gazetarët.
Grupi Ndërkombëtar i Krizave në raportet e tij, shpesh ka përmendur praninë e pjesëtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë në Kosovë, sidomos në pjesën veriore. Madje në raportin e fundit për Mitrovicën, Grupi Ndërkombëtar i Krizave thekson se në veri të këtij qyteti Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë vepron edhe në stacione policie.
Megjithatë zëdhënësi Neeraj Singh nuk ka pranuar të komentojë rreth deklaratave të fundit të GNK-së, se në Kosovë janë rreth 1 000 pjesëtarë të xhandarmërisë serbe.
"Nëse ka ndonjë individ ose grup që operon në kundërshtim me ligjet në Kosovë dhe kryen aktivitete kriminale, policia e heton këtë çështje dhe merr masa të përshtatshme," tha Singh.
Dy pjesëtarët e xhandarmërisë serbe dhe një polic serb janë arrestuar në Shtërpcë dhe në pikën kufitare Dheu i Bardhë. Ndërkohë në dy javët e fundit në rajonet ku janë kapur policët e Serbisë, kanë ndodhur disa incidente, ndër të cilat edhe dy sulme ndaj pjesëtarëve serbë të SHPK-së.
Zëdhënësi Singh tha se policia është duke i hetuar të gjitha këto raste.
"Ajo që ka ndodhur në Shtërpcë është nën hetime dhe kur teë kemi rezultatet e hetimeve do të flasim", tha Singh, duke shtuar se nuk dëshiron të spekulojë nëse ka patur apo jo lidhje mes incidentëve në Shtërpcë me arrestimin e policëve nga Serbia.
Arrestimet e dy xhandarëve serbë dhe një polici të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, janë të parat, që nga vendosja e pranisë ndërkombëtare në Kosovë.

XS
SM
MD
LG